Thesi pafund i ushtrisë

Postuar në 12 Janar, 2024 20:19

Ish-zëvendës Komandant i Forcave Detare, Artur Meçollari, thotë se dy prona të tjera të ushtrisë pritet t’i jepen privatit. Në studion e MCN, ai dha detaje për dy raste që nuk janë bërë ende publike, por që përbëjnë shkelje flagrante të ligjit. Meçollari tha se ka dijeni se deri më 28 janar, nga Rinasi duhet të lëvizë si komanda e Forcës Ajrore, edhe Policia Ushtarake.

Gjithë këto lëvizje bëhen vetëm për ta çliruar këtë pronë. Bëhet fjalë për komandën e Forcës Ajrore ku gjendet jo vetëm komanda, por edhe qendra e komandimit të NATO-s.

Lëvizja e saj nuk është një çështje e thjeshtë teknike. Plus lëvizja e këtyre komandave, komanda logjistike do shkojë në Babrru, komanda e Policisë ushtarake do shkojë në Kombinat.

Komanda e Forcës Ajrore do shkojë në Farkë, të gjitha këto janë shpenzime financiare që lidhen jo vetëm me infrastrukturën, por edhe me sistemin e komandim-kontrollit.

Lëvizjet bëhen vetëm me një qëllim: të lirohet prona e Rinasit. Natyrisht që kemi shkelje ligjore, se lirimi i saj nuk bëhet për arsye operacionale, por bëhet për ta liruar një pronë për ta marrë pronari.

Kjo ndodh kur në Rinas gjendet dhe ANTA, organi më i rëndësishëm i bashkëpunimit të Forcave Ajrore.

Kemi dhe një shkelje tjetër, që Policia Ushtarake sipas dekretit të Presidentit duhet të jetë në Sauk, është lëvizur para 4-5 vitesh pa dekret Presidenti në Rinas dhe lëvizja tjetër me dekret Presidenti në një vendndodhje tjetër duke e dekretuar Presidenti, nuk bën gjë tjetër veçse legjitimon lëvizjen e jashtëligjshme të bërë për këtë komandë para 5 vitesh pa dekret Presidenti.

Jemi në kushtet kur vendimet ose firmat që hedh Presidenti i Republikës janë duke cenuar hetimin që po kryen SPAK.

Kjo gjendje nuk vjen vetëm prej Presidentit, por që të merren vendime të tilla është gjithë linja e komandim kontrollit në nivelin operativ strategjik dhe kontrollin.

Kjo sipas Meçollarit tregon shkallën e korrupsionit në të cilin është zhytur lidershipi i FA. Ai kujtoi rastin e mëparshëm në Porto Romano,  ndërsa i bëri thirrje ministrit Peleshi të anulojë urdhrin nëse për të nuk ka dekret.

Jemi në kushtet kur lidershipi i Forcave të Armatosura është i përfshirë në korrupsion të thellë. Prandaj jemi në këtë gjendje.

Në Porto Romano 5.2 hektarë i kapur zaptuar pa asnjë letër, nga porti MBM në Port Romano i “Kastrati Group”, ka dy vjet që ka prishur godinat, ka shqyer kodrën, ka zhdukur një monument, ka rrethuar me beton murin antik dhe prej dy vjetësh si shefi i shtabit të mëparshëm, Barjam Begaj dhe shefi aktual Arben Kingji, nuk zbatojnë ligjin për Policinë Ushtarake.

Ligji për Policinë Ushtarake thotë se si pronat në përdorim dhe në administrim, në rast se zaptohen, Policia Ushtarake me urdhër të shefit të shtabit lirojnë pronën.

Prej dy vitesh që të dy këta shefa shtabi si ai që ishte dhe ky është nuk pranojnë të zbatojnë ligjin sepse i sjellin përfitim një pale të tjerë.

Mosveprimi nëpërmjet përfitimi të një pale të tretë është shpërdorim detyre i pastër.

SPAK ka hyrë sot më thellë nuk është në kushtet e hetimit të një shpërdorimi detyre por është në kushtet e korrupsionit, pasi kemi rreth 30 celularë që janë bllokuar në hierarkinë e lartë të Forcave të Armatosura.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.