Mbi efektet anësore të AstraZeneca-s

Postuar në 06 Nëntor, 2023 15:28
Richard Buka dhe Samantha Montague

 

AstraZeneca ishte njëra prej “armëve” të para me të cilat iu kundërpërgjigj pandemisë së Covid-19 industria farmaceutike. Vaksina përdori një adenovirus për të udhëzuar qelizat njerëzore të prodhojnë antitrupa kundër koronavirusit, duke shpëtuar me miliona jetë. Por paralelisht pati raportime për efekte anësore. Më vonë shifrat treguan se një në 50 000 të vaksinuar zhvilloi mpiksje gjaku.

Kjo sindromë e mpiksjes së gjakut njihet si trombocitopeni trombotike imune e induktuar nga vaksina (VITT). Tek njerëzit që e kanë këtë gjendje, diçka nuk shkon me përgjigjen imune dhe ata prodhojnë antitrupa që mund të ngjiten në një nga proteinat e trupit. Proteina quhet faktori i trombociteve 4 (PF4). Ne e dimë se gjatë infeksioneve, organizmi njerëzor prodhon antitrupa që ngjiten në PF4 si pjesë e përgjigjes imune, por këto antitrupa zakonisht ngjiten dobët. Në VITT, formohen antitrupa që mund të ngjiten në PF4 si superngjitës.

Antitrupat në VITT ngjitin molekulat PF4 së bashku, duke formuar struktura të mëdha të njohura si "komplekse imune". Këto komplekse lidhen dhe aktivizojnë qelizat e vogla të quajtura trombocite, të cilat janë jetike për koagulimin e gjakut. Normalisht, trombocitet notojnë në gjak në një gjendje joaktive, por pasi aktivizohen ato përhapen, bëhen shumë ngjitëse dhe nxjerrin kimikate të ndryshme.

Në VITT, trombocitet aktivizohen fuqishëm dhe kjo shkakton mpiksjen e gjakut. Mpiksjet e gjakut zakonisht prekin venat që rrethojnë trurin, një vend shumë i pazakontë dhe i rrallë për mpiksjen. Shumë njerëz që patën përvojën e efekteve anësore të vaksinës raportuan dhimbje koke torturuese, të cilat ende vazhdojnë të prekin të mbijetuarit. Miliarda trombocite përdoren në këto mpiksje, duke çuar në një numër të ulët të trombociteve në gjak. Në disa pacientë, kjo çoi në hemorragji të rëndë dhe gati një në katër vdiq. Shumë të mbijetuar kanë ende simptoma apo kanë mbetur me pasoja të pakthyeshme.

Studimi i efekteve anësore të AstraZeneca-s ka nxjerrë deri tani vetëm një të dhënë gjenetike mbi arsyen pse disa njerëz i vuajnë ato. Një variacion i një gjeni që bën pjesë të antitrupave është i lidhur me VITT dhe kjo është më e zakonshme tek njerëzit me prejardhje evropiane - evropianët duket se janë në rrezik më të lartë të VITT. Shkencëtarët në Britani kanë bërë sekuencën e ADN-së në mbi 200 pacientë me VITT dhe rezultatet priten së shpejti.

Një tjetër enigmë e madhe mbetet arsyeja pse kaq shumë njerëz kanë mpiksje të gjakut në tru. Mpiksjet spontane në tru janë shumë të rralla, ato prekin vetëm rreth tre ose katër njerëz në një milion në vit. Por në rastin e pacientëve me VITT, gjysma e tyre kishin mpiksje të tilla. Ka disa teori se pse mpiksjet në tru ndodhin më shumë te pacientët me VITT. Këto përfshijnë shpejtësinë e rrjedhjes së gjakut dhe ngjitjen e PF4 dhe antitrupave në enët e gjakut. Kohët e fundit, shkencëtarët kanadezë treguan se pacientët, antitrupat e të cilëve ngjiten më shumë në PF4, kanë më shumë gjasa të kenë mpiksje në tru.

Ndërkohë që shkenca përpiqet të kuptojë lidhjen e AstraZeneca-s me mpiksjet e gjakut, në vendet e varfra, ajo mbetet arma kryesore për të luftuar virusin. Në vendet e zhvilluara, ajo dhe vaksinat e tjera adenovirale po shmangen pikërisht për shkak të rrezikut të VITT. Pavarësisht rrezikut, ato janë shumë efektive, të lira dhe shumë më të lehta për t'u ruajtur dhe transportuar sesa vaksinat mRNA - si p.sh. Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Nevoja për të studiuar efektet anësore të vaksinës i ka nxitur shkencëtarët që t’i studiojnë më nga afër pacientët e tjerë me mpiksje gjaku të pashpjegueshme. Çuditërisht, po gjenden gjithnjë e më shumë pacientë me mpiksje, trombocite të ulëta dhe antitrupa të ngjashëm me VITT-në. Dhe janë raste që nuk kanë lidhje me vaksinimin. Kohët e fundit, një sindromë e ngjashme me VITT u raportua në dy pacientë pas infeksionit me adenovirus dhe jo vaksinimit. Testimi për këto antitrupa ndoshta do të bëhet rutinë për pacientët me mpiksje gjaku të pashpjegueshme.

Më e rëndësishmja, imagjinoni një pandemi të re që është shumë më e rrezikshme se COVID - ndoshta një e treta e njerëzve që infektohen do të vdesin. Do të kishte panik dhe kaos. Do të na duheshin dëshpërimisht vaksinat adenovirale, pavarësisht rrezikut të VITT. Kjo e bën të domosdoshme njohjen e VITT si nga brenda edhe nga jashtë.

*Regjistrues i Hematologjisë dhe bashkëpunëtor i Kërkimeve Klinike, Universiteti i Birminghamit

*Studiuese postdoktorale, Instituti i Shkencave Kardiovaskulare, Universiteti i Birminghamit

The Conversation

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.