“Turizëm masiv” në një vend që rrugët nuk e përballojnë dot

Postuar në 05 Shtator, 2023 13:48
Jak Simoni

 

Jetojmë në kohën e sjelljeve masive. Këtë përshtypje na dha dhe kjo verë. Sidomos gjatë gushtit, masa të mëdha njerëzish mbushen rrugët drejt qyteteve bregdetare dhe jo vetëm. Radhë pa fund makinash, shpesh dhe luksoze duke djegur naftë, benzinë, gaz, por të detyruara te ecnin si breshka. Për ata që lëviznin për pushim njëditor, orët në trafik barazuan ato të plazhit. Rrugët në Durrës, Fushë-Krujë, Lezhë, Shëngjin ishin më të ngarkuarat. Të krijohet përshtypja e një dyndjeje masive në plazhe, por, në fakt, shumica ishin emigrantë (ato me nënshtetësi tjetër statistikat i quajnë turistë të huaj), shqiptarë nga Kosova, që gjithsesi vijnë për patriotizëm, natyrisht dhe mjaft të huaj, sepse në bazë të disa statistikave të fillimit të kësaj vere për 60% të shqiptarëve pushimet janë të kushtueshme dhe mundësia ekonomike nuk ua lejon.  

Tek kjo kosto ndikon dhe fakti se, thuajse gjithë vija bregdetare, ku ka plazhe, mbahet peng dhe në qershor e korrik për të marrë frytet në gusht; muaji i vetëm, ku mund të zihet thuajse i tëri me pushues që paguajnë. Ata 60% e shqiptarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë do t'u argumentojnë në mënyrë “bindëse” fëmijëve të tyre se, meqenëse se në gusht do të vijnë turistët, nuk mund të bëjnë plazh pa paguar as në qershor. Jo vetëm “turizëm masiv”, por dhe elitar deri në atë pikë sa dhe lajmet shpesh fillojnë me numrin e jahteve që kanë ardhur në Shqipëri dhe fokusohen për minuta të tërë tek turizmi: ‘problemi kryesor i shqiptarëve’.

U fol më shumë, dhe në nivele të larta, për turistët italianë që ikën nga një restorant pa paguar, sesa për dy turistë po italianë që u aksidentuan për vdekje nga një 17-vjeçar. Statistikisht aksidentet nga fëmijët, dhe jo vetëm, në Shqiperi janë bërë dramatikisht të zakonshme. Krahas bukurisë natyrore të vendit tonë, ka dhe një realitet që u përmend më sipër e që varet nga shqiptarët.

Prej dekadash harxhohen dhe para publike për reklamime në mediat botërore, ku fragmente të zgjedhura japin dukjen, por jo realitetin e vërtetë të vendit tonë. Në fakt, një mënyrë më e qëndrueshme reklamimi do të ishte dhe duke krijuar kushte më të mira për një qëndrim më të rehatshëm për ata që vijnë dhe këta të fundit bëjnë vetë reklamë tek të tjerët.

Meqenëse shpërndarja e pushuesve në muaj të tjerë nuk mund të bëhet nga ne, sepse nuk mund të modifikojmë ciklin e aktivitetit prodhues në vendet e zhvilluara perëndimore, mjaft të kritikuar prej kohësh dhe në brendësi të tyre kryesisht nga Haideger, përfaqësuesit e Shkollës së Frankfurtit etj., sipas të cilëve tyre makineritë që njeriu ka venë në lëvizje tashmë, paradoksalisht, nuk mund të ndalohen më, përjashto një frenim i pjesshëm në gusht, të paktën paratë që harxhohen për reklamat të shkojnë për rrugët, me qëllim që në këtë muaj në të ardhmen rrugët mos të jenë tërësisht të bllokuara.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.