Fundi i Europës është afër

Postuar në 27 Gusht, 2023 12:35
Gerard Araud - Ish-ambasador i Francës në SHBA

 

Ne europianët jemi ende të bindur se kontinenti ynë i vogël është qendra jo vetëm e historisë së njerëzimit, por se ai formëson edhe botën e sotme. Ne u japim të gjithëve leksione bazuar mbi vlerat në të cilat ne besojmë vendosmërisht se janë universale. Ne e mendojmë veten si fisnikë, të fuqishëm me qëllime të mira. Por periudha e fuqisë së vërtetë europiane ishte thjesht një devijim historik.

Po, europianët e dominuan botën mes 1815-1945, dhe që atëherë e deri më sot ne kemi qënduar pas SHBA. Por kjo zgjati vetëm dy shekuj; një koma në historinë e botës. Deri më 1650, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Indisë dhe deri më 1750, PBB e Kinës, ishin me gjasë më të mëdhenj sesa ai i çdo vendi në Europë. Kështu që në New Delhi dhe Pekin, ne jemi parë si fillestarë gjatë periudhës sonë të dominimit dhe ribalancimi ekonomik që mori hov gjatë dekadave të shkuara mes Europës dhe Azisë, është parë si vetëm një kthim në normë historike afatgjatë. Fillestarët po i kthejnë pas në vendin e tyre. Nuk është për t’u çuditur që në vitin 2016, Barack Obama, gjatë një interviste për “The Atlantic” shprehte mendimin se e ardhmja e njerëzimit do të vendosej mes New Delhit, Pekinit dhe Los Angeles.

Në të vërtetë, kur shërbeja si ambasador i Francës në Washington, vura re mënyrën sesi trashëgimtarët tanë të supozuar na shihnin; një përzierje indiference, bezdije dhe shmangieje. Ne ishim halla plakë përçartjet e pafundme të së cilës injoroheshin pak a shumë me xhentilesë.

Për SHBA-të rritja potenciale, por edhe sfidat kryesore janë në Azi, kështu që është logjike për Washingtonin të përqendrohet drejt atij kontinenti. Nuk duhet të ketë konfuzione mbi këtë. Për SHBA-të, Rusia është një fuqi rajonale, një dhimbje, por jo qendra e vëmendjes së tyre. Ata duan t’i japin fund luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, për të përballur kërcënimin real: Kinën. A jemi në gjendje në europianët që të dëshmojmë se vlejmë ende, se nuk jemi thjesht një destinacion periferik turistik?

Dyshoj, dhe për një arsye shumë të veçantë. Si një francez që e ka parë vendin e tij, Kinën e Europës së 1815-s, të humbasë progresivisht fuqi paralelisht me rënien e vet demografike, unë jam i bindur se demografia është fati ynë. Mbi këtë bazë, Europa po përballet me një situatë të paprecedentë. Popullsia e saj totale parashikohet të bjerë me 5% mes viteve 2010-2050, por me 17% mes kategorisë së moshës 25-64. Popullsitë e Hungarisë, shteteve balltike, Sllovakisë, Bullgarisë, Portugalisë, Italisë dhe Greqisë, janë tashmë në rënie, ndërkohë që Gjermania po qëndron në vend, përpara tatëpjetës së parashikueshme. Mosha mesatare e europianëve është 42 vjeç, në krahasim me 38 që është në SHBA. Është një rritje mbi mesataren me 0.2 vjet në një vit.

Çfarë do të thotë kjo? Më pak kërkesë dhe pra më pak rritje; dhe shoqëri më pak dinamike. Në terma më konkretë, kjo përcakton një kërcënim ndaj “modelit europian”, që bazohet mbi një kompromis jo të lehtë mes shtetit social dhe realitetit ekonomik. Votuesit e vjetër privilegjojnë të parin në kurriz të të dytit. Kjo do të bëhet më shumë sesa problem në dekadat që vijnë, nisur nga fakti se numri i europianëve mbi 80 vjeç do të rritet mbi dyfishin. Moshë e vjetër do të thotë rritje në vijim e shpenzimeve mbi shëndetin dhe asistencën personale. Kriza demografike do të ndajë shoqëritë tona mes atyre që punojnë dhe pensionistëve në një kontekst ku këta të fundit gëzojnë një standard jete, të cilin të parët as që mund të shpresojnë ta arrijnë.

Burimi: The Telegraph

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.