Tenton të hyjë nga dritarja e Italisë

Postuar në 19 Gusht, 2023 14:03

Intervista e fundit e ambasadores së BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, ishte si të thuash edhe mesazhi përmbledhës i misionit të saj në Shqipëri: KORRUPSIONI ËSHTË I PËRHAPUR NGADO. Një kancer e ka quajtur ajo duke shprehur kështu një qëndrim jo vetëm personal, por edhe institucional të delegacionit të BE-së, formësuar mbi informacione zyrtare. Është e qartë se mesazhet kanë kaluar në Bruksel dhe në kancelaritë kryesore të Europës dhe se ato përfaqësojnë padyshim një goditje për qeverinë e z. Rama, sepse janë në fakt nota e vërtetë ndaj saj në raport me Integrimin.

Në këto kushte dhe në dritën e zhvillimeve të fundit që e vënë Gjermaninë në krye të lëvizjeve për të ndryshuar politikën perëndimore në Ballkan, duke kërkuar një presion më të madh ndaj Serbisë, pozita e z. Rama ndikohet ndjeshëm qoftë edhe duke defaktorizuar lëvizjet e tij të politikës rajonale. Kështu deklarata e tij se Open Ballkan nuk funksionon më dhe se “tani duhet të fokusohemi te procesi i Berlinit”, ndërkohë që pak më pas rendi me vrap në Beograd, ishin një manovër për t’i shkelur syrin Berlinit, që qëndron pas Procesit të Berlinit dhe ka një politikë rajonale të qëndrueshme. 

Nuk kanë kaluar mesa duket pa u shënuar edhe qëndrimet e z. Rama në raport me Kosovën: ne nuk kemi ende sot asnjë përgjigje zyrtare nga Gjermania dhe Franca nëse drafti i propozuar prej tij për Ascacionin e Komunave Serbe në Kosovë, është konsideruar apo jo. Madje nëse e shohim me kujdes, në raport me Shqipërinë, po të heqim disa deklarata personale të Olaf Scholz në takime shumëpalëse, nuk ka asnjë qëndrim as nga Franca, as nga Gjermania. Mesazhet kryesisht vijnë nga zyrtarë të nivelit të dytë të KE-së, ku janë mesa duket edhe fijet e fundit të lobimit të kryeministrit. I vetmi moment që mund të rikthejë vëmendjen në Shqipëri është samiti i Tetorit, i cili qysh tani po merr goditje të mëdha për arsye të kuptueshme, por edhe të tjera që nuk zbardhen kollaj.

Ta zëmë, lajmi kryesor i djeshëm ishte darka informale e thirrur nga kryeministri greke, Mitostakis ku do të jenë pjesë Ursula von der Leyen, Charles Michel, përfaqësues të Ballkanit Perëndimor dhe të Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Mungojnë në atë takim përfaqësues nga një tjetër fuqi e interesuar si Italia e cila në janar të këtij viti përuroi atë që mund të quhet politika e re e saj në Ballkanin Perëndimor. Të cilit i ka dhënë rëndësi strategjike.

Lajmi këtu nuk është mungesa e Shqipërisë, as edhe refuzimi i “presidentit”, por pjesëmarrja e Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiç, që publikisht janë dy antagonistët e Ballkanit(nëse nuk e ndryshojnë). Është një zhvillim që duhet konsideruar për vlerën që ka sepse në fund të fundit të dy përfaqësuesit po pranojnë të ulen privatisht ndonëse formalisht kanë probleme themelore. Zyrtarisht Mitsotakis ka njoftuar se takimi celebron 20 vjetorin e Deklaratës së Selanikut, por a do të shënojë kjo bazën për një nismë të re rajonale? Kjo mbetet për t’u parë, por e qartë është se Athina tashmë po kërkon një rol në rajon, pas rreth 14 vitesh mungese për shkak të një krize të rëndë financiare.

Është e qartë se në një nismë të tillë eventuale, Shqipëria laramane e Edi Ramës nuk ka se çfarë të bëjë, as se çfarë të thotë dhe ofrojë dhe as i duhet kujt. Lodrat me ndërmjetësim dhe trekëndësha strategjikë mbetën pa bilanc dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar fytyrën është aderimi në Procesin e Berlinit, një format ku Tirana është përfituese, por nuk ka nismë. Dhe së dyti, akomodimi i z. Rama në kuadër të politikës së re italiane, instauruar në janar dhe për të cilën, u ofrua së fundmi edhe teatri i Vlorës me vizitën private dhe të shumëmediatizuar të kryeministres Meloni. Por ky nuk është viti 2013. Lodrat e këtij artisti tashmë i njohin të gjithë. Koha e provokimeve me atlete dhe dekorimin e veçantë të zyrës kanë kaluar, sikundër tashmë pakkush ka nge të bëjë sikur gjen në Tiranë galerinë e një artisti unik. Trafikimi i lajmit për një central bërthamor është një ndër ato masazhet e sforcuara që i bëhen një marrëdhënieje që po do të sinjalizojë elementë strategjikë.

Italia është e pakonkurueshme

do të shprehej z. Rama.

Një deklaratë që është fyese në të pavërtetën e vet sidomos kur një ndër problemet kryesore të debatuara në Itali është pikërisht kjo: të qenit më i dobëti i të fortëve të Europës. 

Ne po shikojmë atë që e kemi parë përherë: kryeministri i vendit tonë po hyn nga dritarja, pasi e nxorën nga dera. Hetimi për fondet e IPARD është padyshim një pështymë në fytyrë dhe mund të shmangej “për mikun Edi” pak kohë më parë. Po hyn nga dritarja e Italisë, drejt së cilës rend sa me origjinën e vet venciano-raguziane, e që patjetër ia ka rrëfyer Melonit në kuadër të shakave bajate dhe të pacipa që bën, sa me “miqësinë” fotografike me Papën, që patjetër e përmend si burim frymëzimi ekumenik në qasjet e veta globalizuese, aq edhe me dashurinë për pikturën. Një arsenal i përdorur dhe ezauruar, ndaj të cilit miqve u duhet të bëjnë sikur u bën efekt. Deri këtu mirë, por politika ka nevojë për përmbajtje, jo vetëm fasadë dhe komunikim. 

Ne pyesim vazhdimisht: cili është interesi ynë këtu? Çfarë projektesh paraqet Shqipëria në marrëdhënie me të tretë? Pyesim jo vetëm sepse nuk kemi dellin artisitik të z. Rama, që mund të molloisë për veten edhe dy ungjij të rinj, por sepse edhe për nga formimi që ka brezi ynë, edhe duke u nisur nga regjimi i Enver Hoxhës, parimi “pa eksport, nuk ka import” aplikohet edhe në politikë: Po japim dinjitetin e kryeministrit(me iniciativën(sovrane ndoshta) e tij kuptohet), po çfarë marrim? Po shesim mjaft mirë, diçka që nuk ekziston, por në këmbim?!

Se edhe Enver Hoxha jepte fjalën, por merrte diçka, ndonëse akuzohet për dogmatik sot. Ne çfarë po marrim në një botë që ka interesin tempull të vetin? Imazhin, begenisjen, vëmendjen? Këto janë pjesë të investimit në politikën e jashtme, por kjo e fundit është përmbajtje dhe jo vetëm teatër. E meqë jemi te teatri, mbetet mister se pse zonja Meloni nuk u çua të pushonte tek investime strategjike për të parë nga afër çelësin e suksesit në rivierën shqiptare, me shpresën se nuk do e kishte lexuar “intervistën e kancerit” të ambasadores gjermane të BE-së.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.