Zgjedhjet/ 22% i pushtetit dhe ‘patriotizmi’ i Veliajt

Postuar në 27 Maj, 2023 16:33
Ilir Sinanaj

 

Sapo mbaruan zgjedhjet vendore dhe ajo që bie më shumë në sy është pjesëmarrja shumë e ulët në procesin zgjedhor. Vetëm 38.22% e zgjedhësve votuan. Forcë e parë rezultoi Partia Socialiste me 787598 vota (shuma e votave të marra për kryetar në mbarë vendin) ose e thënë ndryshe 21,57% e zgjedhësve shqiptarë. Pra në këtë proces zgjedhor mjaftuan 21.57% e zgjedhësve ose rreth 1/5 e të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote që Partia Socialiste të merrte 53 nga 61 bashki në të gjithë vendin. Kështu lind pyetja: A mund ta quajmë një proces të tillë zgjedhor si gjithëpërfshirës dhe demokratik?

Partia Socialiste

Në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në vitin 2021 pjesëmarrja ishte 46,32%. Kjo ishte pjesëmarrja më ulët e qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare në historinë e pluralizmit, si edhe më e ulëta krahasuar me vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën. Ndërkaq, ata që votuan Partisë Socialiste, e cila për pasoja mori 74 nga 140 deputetë në parlament (shumicën), përbënin rreth 22,15% të të gjithë zgjedhësve shqiptarë, pra një çikë më shumë se 1/5. Dhe kjo u përkthye në pushtet shumice për PS-në.

Këto të dhëna të këtyre dy palë zgjedhjeve na tregojnë se PS-ja ka gjetur mënyrën, në sistemi aktual zgjedhor, që me 1/5 e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote të sundojë e vetme dhe si të dojë mbi të gjithë qytetarët shqiptar. A është e drejtë kjo? I tillë është sistemi zgjedhor, i cili është një realitet objektiv. Dhe me shumë gjasa PS-ja nuk ka vullnet politik për ta ndryshuar atë sepse ka gjetur një përqindje të artë (rreth 20% të zgjedhësve) që i mjafton për pushtet shumice.

Por ndërkaq vihet re një ngecje e PS-së si forcë politike për përfaqësuar forcat prodhuese dhe krijuese të vendit. Nga vihet re kjo gjë? E para nga ngecja për sa i përket numrit të zgjedhësve të kësaj force politike siç u arsyetua më lartë. E dyta nga mënyra sesi PS-ja gjatë fushatës së saj zgjedhore shfaqi prirje për të demoralizuar votuesit për të mos marrë pjesë në votime. E treta nga fakti që një nga pikat më të forta të PS-së gjatë fushatës zgjedhore ishte sulmi barabar ndaj koalicionit “Bashkë Fitojmë” lidhur me histori të ndodhura në mijëvjeçarin e kaluar. Jetojmë në një kohë të zhvillimeve ekonomike dhe teknologjike të jashtëzakoshme dhe PS-ja merret me ngjarje që kanë ndodhur mijëvjeçarin e kaluar! E katërta nga sllogani i PS-së: “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa.” Përdorimi i fjalëve si “vetëm” dhe “kurrë” tregojnë ndrydhje dhe bien ndesh me faktin që bota është gjithmonë në lëvizje. Jetojmë në kohën e lëvizjeve marramendëse.

Pjesëmarrja

Një faturë politike që do të mbarti PS-ja në këto 10 vite pushteti është ajo e pjesëmarrjeve të ulëta në zgjedhje të qytetarëve shqiptarë. Jemi një vend anëtar i NATO-s dhe politikisht jemi renditur ndër ato vende që duan integrimin në Bashkimin Evropian. Zemreku i vendeve të NATO-s si edhe atyre të Bashkimit Evropian është demokracia. Tipar i demokracisë janë zgjedhjet. Për rrjedhojë pjesëmarrja në zgjedhje është një votë besim për sistemin demokratik. Çfarë mund të thuhet për Shqipërinë kur pjesëmarrja në votime është jashtzakonisht e ulët? Nuk po arrihet të kapet as 50% pjesëmarrje. Thonë se njerëzit kanë iku jashtë shtetit. Por është e pakonceptueshme të kenë ikur aq njerëz jashtë shtetit sa të mos ketë 50% pjesëmarrje në votime! Se po të ishte e vërtetë, atëherë duhej shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Sipas Institutit të Statistikave në Janar 2022 numri i popullsisë nga 20 deri në 85 vjeç e sipër kapte shifrën 2,154,307 (ndërsa e gjithë popullsia kapte shifrën 2,793,592). Numri i zgjedhësve shqiptarë sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) është 3650658, dhe gjysma e këtij numri është 1,825,329. Nga ana tjetër, 50% pjesëmarrje në një proces zgjedhor do të thotë, në mendimin tim, një votëbesim për strukturën shtetërore, duke përfshirë të gjitha shërbimet që i ofrohen qytetarit.

Lëvizja

Është qartë që PS-ja në stadin ku ka ngecur në lidhje me zgjedhësit e ka të vështirë të përparojë dhe të përfaqësojë lëvizjen e forcave prodhuese dhe krijuese të vendit. Këtë gjë e pamë, siç u parashtrua më lart. Madje PS-ja i bën qëndresë me kryeneçësi zhbllokimit të forcave prodhuese dhe krijuese. Kjo shihet qartë edhe me një deklaratë të kryebashkiaku të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një interviste për “News 24”. Ja si shpehet ai:

… Këtu duhen vlerësuar jo vetëm ata që unë falenderova që votuan për ne, në një farë mënyre kanë bërë një akt patriotik dhe ata që ndejtën në shtëpi edhe që nuk pranuan… ndoshta ne, s’ishin gati të na votonin, pra duhet që t’ua fitojmë besimin me punë, por nuk ishin gjithashtu gati që të vazhdonin për inercinë 30-vjeçare ti jepnin vota “Salikes”…

 

A ka logjikë të marrësh përsipër të deklarosh se çfarë mendojnë njerëzit? A mund të quhet akt patriotik të rrish në shtëpi dhe të mos votosh? Edhe sa vite do t’u duhen njerëzve të jenë gati të votojnë PS-në? Sa punë duhet të bëjë PS-ja për t’u fituar njerëzve besimin kur më pak se 50% e zgjedhësve votojnë dhe vetë PS-ja ka vite që nuk josh dot më shumë se rreth 1/5 e zgjedhësve shqiptarë? Rreth 501982 e zgjedhësve shqiptarë votuan për një kandidat për kryetar bashkie të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, apo e thënë ndryshe rreth 13.75% e tyre. Këta nuk janë patriotë? Rreth 255305 votuan për kandidatët e këshillave bashkiake të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Këta nuk janë patriotë? Po ndonjë që mund të ketë votuar si për PS-në ashtu edhe për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, a mos vallë është gjysmë patrioti?

Fatkeqësisht, PS-ja i sheh njerëzit si bujkrobër zgjedhorë të njërit feud politik apo të tjetrit. Ja pse kjo forcë nuk i përgjigjet më realitetit objektiv. Zgjidhja e vetme për këtë gjendje është pjesëmarrja masive në votime, jo thejsht për të mundur X apo Y forcë politike por për të mbrojtur kombin dhe për ta bërë të qartë që kombi shqiptar u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë. Si vend me kaq burime natyrore, si minerare ashtu edhe ujore, me një klimë mesdhetare, në mijëvjeçarin e teknologjisë dhe komunikimit, nuk mund të mbetemi peng e ngjarjeve të së kaluarës dhe kënetës politike. Në Shqipëri më shumë se kurrë duhet zhbllokimi i fuqive krijuese dhe prodhuese të çdo individi dhe jo “kryqëzatat” politike pa bukë të forcave politike që po perëndojnë. Na duhen forca politike që t’u përgjigjen pyetjeve të më poshtme: Pse të mos zhvillohet bujqësia dhe konkurrojmë në tregjet evropiane si edhe ato të të gjithë botës me produktet tona. Pse të mos shfrytëzojmë marrëdhëniet me vtë gjitha vendet e botës për të sjellë teknologjinë më të avancuar në Shqipëri për të zhvilluar si industrinë e rëndë dhe të lehtë ashtu edhe sektorin e teknologjisë së informacionit? Pse të mos ketë një rrjet hekurudhor si i bie Shqipërisë kryq e tërthor. Pse të mos kemi porte detare dhe ajrore që të jenë qendra të lëvizjes dhe tregtisë rajonale, kontinentale dhe ndoshta botërore? Pse të mos jemi në arenën diplomatike botërore si vendi që sponsorizon rezoluta bashkëpunimi midis kombeve, në një kohë që tensionet po prekin majat (për të mos thënë që i kanë prekur tashmë)? Pse mos të jetë Shqipëria një vend model në rajon për sektorin e mjekësisë? Pse të mos jetë Shqipëria një model botëror për vlerat e familjes? E shumë pse të tjera... Por ky ndryshim besoj nis me një pjesëmarrje masive në zgjedhje...

(Burimi i rezulatatve zgjedhore: KQZ sipas të dhënave paraprake 22 maj 2023)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.