Chomsky: Rusia po lufton më njerëzisht sesa SHBA në Irak

Postuar në 10 Maj, 2023 23:00

Gjuhëtari Noam Chomsky ka qenë shpesh kritik i zëshëm i politikës së jashtme. Për herë të parë, në vitin 1967, eseja e tij «Përgjegjësia e intelektualëve» botuar në New York Review of Books, akuzoi klasën intelektuale amerikane se po u jepte tone të buta veprimeve të qeverisë amerikane dhe mizorive të kryera në Vietnam.

Në një intervistë të publikuar në «The New Statesman », Chomsky komenton konfliktin në Ukrainë dhe rolin që po luajnë SHBA-të në të. Chomsky ka një lidhje familjare me rajonin: babai i tij ka lindur në atë që është Ukraina e sotme, përpara se të emigronte në SHBA më 1913.

Ai thotë se negociatat e paqes në Ukrainë po pengohen nga SHBA-të dhe Britania, për të çuar përpara interesat e tyre kombëtare, pavarësisht se vendi po shkatërrohet.

"Ukraina nuk është aktor i lirë; ata varen nga ajo që përcaktojnë SHBA-të,” thotë ai, duke shtuar se SHBA-të po furnizojnë Kievin me armë thjesht për të dobësuar Rusinë. “Për SHBA-të, ky është një pazar. Për një pjesë të buxhetit kolosal ushtarak, SHBA-të janë në gjendje të degradojnë rëndë forcat ushtarake të kundërshtarit të vetëm ushtarak".

Sipas Chomsky-t, Rusia po vepron me përmbajtje dhe moderim. Ai krahason mënyrën e të luftuarit të Rusisë me atë të SHBA-ve gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, duke argumentuar se shkatërrimi në shkallë të gjerë i infrastrukturës që u pa gjatë atij konflikti "nuk ka ndodhur në Ukrainë". Padyshim që Rusia mund ta bëjë këtë, me sa duket me armë konvencionale. [Rusia] mund ta bënte Kievin po aq të pajetueshëm sa Bagdadi, mund të kalonte në sulmin ndaj linjave të furnizimit në Ukrainën perëndimore.”

I pyetur nëse kjo përgjigje nënkupton se Rusia po lufton në mënyrë më njerëzore në Ukrainë sesa SHBA-të në Irak, Chomsky përgjigjet: "Nuk po e nënkuptoj, është e qartë". Delegacionet e inspektorëve të OKB-së duhej të tërhiqeshin sapo të fillonte pushtimi i Irakut, thotë ai, "sepse sulmi ishte kaq i ashpër dhe ekstrem... Ky është stili i luftës së SHBA-ve dhe Britanisë".

Chomsky shton: “Shikoni numrin e viktimave. Gjithçka që di janë shifrat zyrtare… sipas OKB-së janë rreth 8 000 viktima civile [në Ukrainë]. Sa viktima civile pati kur SHBA dhe Britania sulmuan Irakun?".

Numri i personaliteteve të huaja që kanë udhëtuar në Kiev që nga shpërthimi i luftës është dëshmi e përmbajtjes së Rusisë, thotë Chomsky, në kontrast të plotë me Irakun. “Kur SHBA dhe Britania po e copëtonin Bagdadin, a shkoi ndonjë lider i huaj për ta vizituar Bagdadin? Jo, sepse kur SHBA dhe Britania shkojnë në luftë, ato e bëjnë në mënyrën më agresive. Shkatërrojnë gjithçka: komunikimin, transportin, energjinë, tronditjen dhe frikën – çdo gjë që e bën shoqërinë të funksionojë.”

Shifrat e viktimave në radhët e civilëve gjatë pushtimit të Irakut ndryshojnë shumë. Projekti Irak Body Count (IBC), i konsideruar si një nga bazat e të dhënave më gjithëpërfshirëse të vdekjeve gjatë Luftës në Irak, përllogarit 186 000 – 210 000 të vrarë në 20 vite. Pothuajse 25 000 nga këto vdekje i atribuohen drejtpërdrejt koalicionit të udhëhequr nga SHBA dhe aleatëve të tij irakianë. Dhjetëra mijëra të tjerë i atribuohen kryengritësve antiqeveritarë, përfshirë Shtetin Islamik, sipas IBC.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka regjistruar 8,490 civilë të vrarë dhe 14,244 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të Rusisë 14 muaj më parë. Megjithatë, ajo “beson se shifrat aktuale janë dukshëm më të larta” për shkak të të dhënave të mangëta nga zonat me numër të lartë viktimash, siç është qyteti i Mariupolit në jug. Zyrtarët ukrainas besojnë se dhjetëra mijëra – ndoshta deri në 50 000 njerëz – vdiqën vetëm në Mariupol gjatë rrethimit të qytetit nga Rusia në vitin 2022.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Kjo qe thote ky kriptokomunisti gjuhetar eshte si me krahasu dy mutra dhe te thuash qe njeri eshte me i embel se tjetri.

Submitted by dori (not verified) on

Ja cfare i ben bindja ideologjike ratios njerezore! Nje nder mendjet me racionale, vetegjymtohet per shkak te bindjeve politike. Chomsky eshte nje anarshist i shpallur; ne shek. e kaluar kjo ka qene njesifare mode mes intelektualeve te majte; te ishe intelektual ne shekullin e njezete, patjeter qe do te duhej te kishe bindje politike dhe per shume syresh bindje te majta. Ky ka qene nje fenomen absolut ne Europen Lindore, nje pjesen romano-latine dhe nordike te Europes Perendimore; kurse bota intelektuale anglosaksone e pat neveritur ne pergjithesi.
Eshte pikerisht ky gjymtim prej bindjes ideologjike, qe e ben edhe nje si Chomsky te thote marrezira te tilla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.