Reforma e axhaminjve

Postuar në 07 Maj, 2023 16:03

Në një prononcim për MCN Tv, kreu I Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, ka bërë këtë koment për çështjen e Besnik Canit, që ka kërkuar rishikim të vendimit të KPA-së që e largonin nga sistemi:

Zoti Cani ka marrë një vendim nga GjEDNj-ja e cila ka konstatuar shkelje të një neni të Konventës së të Drejtave të Njeriut që ka të bëjë me gjykimin nga një gjykatë e krijuar me ligj. Në këtë rast ata kanë patur parasysh papajtueshmërinë e një anëtari të KPA, z Daci. Ka disa vite që Strasburgu nuk i hyn procedurës së rikthimit në detyrë, por vetëm konstaton shkeljen. Pala e “paditur”, qeveria shqiptare nëpërmjet Avokatit të Shtetit ka pranuar në gjykim se nuk është parashikuar rishikimi i vendimit në rastet e vendimmarrjes së organeve të vetingut pasi ky proces është i përkohshëm. Ka një boshllëk ligjor se kush duhet ta rishikojë këtë vendim të KPA-së, pasi janë konsumuar 4 anëtarë dhe vetëm një ka mbetur që mundet ta gjykojë. Mundet që p.sh Kolegji i Zakonshëm i Gjykatës Kushtetuese ta rishikojë.  Pasi KPA quhet kolegj i Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli ende nuk është shprehur me vendim nëse do pranohet apo jo kjo kërkesë. Ne kemi marrë një kërkesë nga z. Cani për rishikim të vendimit tone, pra të KLP-së, pasi ka një specifikë: ai ka qenë anëtar i KLP-së në momentin kur e shkarkoi KPA. Personalisht mendoj se rishikimin duhet ta parashikojë ligji, qoftë në analogji me rishikimin penal apo civil

SItuata krijohet pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që vendos një standard të detyrueshëm për t’u ndjekur në raste si ky i Canit. Kostoja publike është e gjitha e qeverisë shqiptare, pasi nëse sheh procesin në fjalë, faktet e pretenduara nga Cani kanë qenë publike. Ka munguar vullneti. Komenti i Ballës na thotë se e ashtuquajtura reform në drejtësi, që bëri lesh arapi(konfiguracion ornamental) Kushtetutën, nuk ka parashikuar situatën në fjalë: pra kush risihikon një vendim të një institucioni? Dhe vijmë tani në improvizime dhe sugjerime spontane që vetëm me seriozitetin nuk kanë lidhje.

Pak ditë më parë, ish-prokurori Gent Trenova, deklaroi nga studiot e MCN-së se ONM-ja apo KPA-ja duhet të ishte shprehur për vendimin e Strasburgut 3 muaj pas vendimit. Heshtja që pasoi ilustron sikletin e madh të krijuar nga Strasburgu jo vetëm për notën negative që i jepet procesit të vetting-ut, por për faktin se procedura e rishqyrtimit të Canit vendos një standard. Mjafton vetëm fakti që një vendim zhbëhet pasi është konstatuar në gjykatë ndërkombëtare shkelje e Konventës për të Drejtat e Njeriut, për të pyetur: po ONM-ja që paguhet me parët e europianëve për të siguruar standardet, çfarë bën? Nuk po flasim për gabime materiale, por shkelje të të drejtave që na sjell edhe te absurdi se nuk dihet kush e korrigjon këtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.