Portugalia i jep fund skemës së pasaportave të arta

Postuar në 04 Prill, 2023 10:18

Portugalia i ka dhënë fund skemës së pasaportave të arta, 10 vjet pasi e implementoi për herë të parë. Skema, e cila i ka sjellë miliarda euro ekonomisë kombëtare, nuk do të zbatohet më për aplikimet e paraqitura pas 16 shkurtit, ndërsa lejet e qëndrimit për investime do të mbeten efektive, raporton SchengenVisaInfo.com.

Kryeministri portugez, António Costa, tha se skema nuk është më e nevojshme, duke vënë në dukje se përgjatë 11 viteve të fundit, 89 për qind e lejeve të qëndrimit ishin ekskluzivisht për blerjen e pasurive të paluajtshme, ndërsa vende pune investitorët krijuan në vetëm 22 raste.

Vizat e arta për sipërmarrje do të mbeten në dispozicion për të interesuarit, gjë që u mundëson sipërmarrësve të huaj të zhvillojnë projekte të kësaj natyre në Portugali.

Sipas gazetës « El Pais”, mes tetorit të 2019-s dhe shkurtit të 2023-shit u dhanë gjithsej 11 758 viza nga autoritetet në Portugali.

Numri i të huajve jashtë BE-së që morën një leje qëndrimi portugeze, përveç anëtarëve të familjes së tyre, ka arritur në rreth 31 000.

Në krye të listës së përfituesve janë shtetasit kinezë, të cilët përfaqësojnë 45% të totalit. Ata ndiqen nga brazilianët (dhjetë për qind), ndërsa përfitues të tjerë vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Afrika e Jugut dhe Turqia.

Sipas programit të vizave të arta të Portugalisë, investitorët e huaj të pasur e kanë marrë rezidencën në Portugali përkundrejt investimeve financiare në vend. Vendimi për të përfunduar këtë program vjen pas një krize strehimi me të cilën po përballet aktualisht Portugalia, ndër arsye të tjera.

Me përfundimin e programit të qëndrimit për investim, Portugalia rrezikon të humbasë nomadët dixhitalë, të cilët i kanë kthyer sytë drejt Dubait, Singaporit, Turqisë, Gjermanisë dhe Hong Kongut.

Sipas të dhënave nga Shërbimi i të Huajve dhe Kufitarit (SEF), investimet e vizave të arta në pasuri të paluajtshme i kanë sjellë Portugalisë 5.9 miliardë euro shtesë gjatë dekadës së fundit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.