Loja e Kinës/Plan paqeje për Ukrainën, mundësi armatimi për Rusinë

Postuar në 26 Shkurt, 2023 23:33

Në dallim nga ShBA dhe BE, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka konsideruar publikisht propozimin kinez për një paqe me Rusinë. Duke folur në një konferencë për shtyp në Kiev, Zelenskiy u shpreh se ai është i gatshëm të pranojë disa prej 12 pikave të propozimit kinez dhe të takojë presidentin Xi Jinping për të diskutuar më shumë mbi dokumentin. 

Mesa di, Kina respekton integritetin historik. Besoj se fakti që Kina ka nisur të flasë rreth Ukrainës nuk është keq. Por çështja është se çfarë pason fjalët. Është në hapat dhe se ku ato do të çojnë

citohet ai. 

Situata është shumë e ndërlikuar tashmë për të gjithë. Propozimi kinez vjen ndërkohë që në media ka dalë lajmi se Pekini ka ndërmend të furnizojë me armë të sofistikuara Rusinë, diçka që shihet si shumë shqetësuese në Perëndim pasi mendohet se do të kthejë balancën në terren. Nga ana tjetër nevoja për armë nga Rusia që thuhet se ka ezauruar edhe dronët iranianë të importuar muaj më parë, nënkupton se Kremlini nuk është gati për të ashtuquajturën ofensivë të pranverës dhe nëse për të analiza lidhet strikt me luftën, për Kinën problemi është më kompleks.

Ndërkohë që ajo shihet si rival nga mbarë Perëndimi, Kina ka relacione të thella tregtare me të dhe nuk ka interes të shohë një pengesë natyrale si Rusia të shkërmoqet kaq lehtë. Rivaliteti ruso-perëndimor është një avantazh për Kinën, që ka problemin madhor se pavarësisht sesi do të sillet nuk arrin dot të akomodhet veçse si kundërshtar në të gjitha analizat e Perëndimit pikërisht pse ekzistenca e saj sfidon dominimin e botës prej tij. 

Rrjedha e ngjarjeve në planin afatshkurtër do të kuptohet megjithatë nga rezultati i vizitës së presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko në Pekin në datat 28 shkurt – 2 mars. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.