Greqia bashkëkohore është një problem i hapur, me dyer dhe dritare të mbyllura

Postuar në 22 Dhjetor, 2022 00:01
Intervistoi: Jorgos Pilihos

 

Në 4 shkurt 2010, ndërroi jetë në Paris, Kostas Akselos, filozof dhe pedagog filozofie, një nga mendimtarët grekë më të rëndësishëm. Më poshtë një intervistë e tij që mund ta quajmë edhe një lloj testamenti të pesimizmit.

Si e shpjegoni faktin që filozofia, pavarësisht “çelësave” që sajoi, që nga koha e filozofëve aziatikë gjer te Platoni e Aristoteli dhe nga krishtërimi te Kartezi, Marksi e filozofët e kohës sonë, nuk ka arritur të hapë “portën” që shpie drejt lirisë së vërtetë të njeriut, lumturisë së tij? 

Akselos: Qëllimi i filozofisë nuk ka qenë t’i japë njeriut “çelësat” që do t’i hapin derën drejt lirisë së vet, lumturisë. Përkundrazi, përpiqej gjithmonë - qoftë edhe në mënyrë gati dogmatike - të ngrejë problematika rreth metodave e fjalëve kumbuese: liri, lumturi. Qëllimi i mendimit të sotëm dhe të nesërm, që na mobilizon- ne mendimtarët e pakët e të padobishëm - është të kthejë Gjithçka në në Zero (që s’është thjesht asgjëja).

Nëse as filozofia nuk do mundej të jepte “çelësat” për ta ndihmuar njeriun, atëherë çfarë do mund ta ndihmonte?

Akselos: Mendimi do mund ta ndihmonte. Për ata që nuk duan ose nuk munden të përdorin mendimin, s’u mbetet gjë tjetër, veçse të integrohen në kornizat e caktuara.

Besoni, domethënë, që nuk do mundej ndonjëherë njeriu të arrijë në një shoqëri, ku s’do ketë ndarje, diferencime, dallime dhe grupime njerëzish me ide njëjta ose interesa të përbashkëta?

Akselos: Shoqëria ideale është pjellë e idealizimit ( e atij ideal dhe material) dhe si e tillë, nuk do të ekzistojë kurrë. Në shekujt e ardhshëm, ravijëzohet perspektiva e një shoqërie teknoburokratike, shfrytëzuese, me ngjyra kapitaliste ose socialiste, që pikëtakohen në një flamur të përbashkët. Kërkesa e drejtësisë sociale, na stis shumë lojra të pandershme. Për sa kohë nuk e kuptojmë, është e pamundur të bëjmë një hap para. Dhe çdo hap para, nënkupton dhe një hap prapa. 

Ekzistojnë sot ata që flasin për falimentimin e kristianizmit, sikurse dhe ata që flasin për falimentimin e marksizmit. Çfarë mendoni në lidhje me to?

Akselos: Çdo - izëm sot ka falimentuar. Nga primitivizmi e gjer te marksizmi. Na mbetet, ama, të shohim mbi kriteret e tyre, strukturën, rezultatet dhe të shkojmë në mënyrë krijuese drejt kapërcimit të tyre. Duhet gjithashtu të kuptojmë, që çfarë kapërcehet e mbetet pas, lë gjithmonë disa shenja, gati të pashlyeshme. 

Çfarë shpjegimi jepni për imazhin kontradiktor që shfaq njeriu në ditët tona: nga një anë sheh te vetvetja vlerën e epërme brenda botës dhe nga ana tjetër vetëdenigrohet me imponimin ose pranimin e dhunës, privimit të lirisë (individuale, shpirtërore, etj), të padrejtësisë sociale?

Akselos: Njerëzimi ecën paralelisht si i tillë, me vendosjen arbitrare të njeriut në qendër të botës. Krejt zotërimet humane dhe njëkohësisht shtazëritë njerëzore, kanë që të dyja një emërues të përbashkët: njeriun e fryrë nga mendjemadhësia e smira. Vetëm nëse njeriu arrin të dalë nga ky pozicion dhe të thellohet në vetënjohjen e tij, mund të hapet një horizont i ri.

A s’është paradoksale, që gjithmonë njerëzimi vuante nga tiranitë, shtazëritë, shtypjet dhe shfrytëzimi i egër i mundit njerëzor nga një pakicë “të këqinjsh” që qeveriste planetin gjatë periudhave të caktuara? Domethënë, a s’është paradoksale që pakica e “të këqinjve” i imponohet shumicës së “të mirëve”?

Akselos: Dallimi mes së “mirëve” e të “këqinjve” mbetet skematik. Të ashtuquajturit “të mirë”, vlejnë në kuptimin, që përfaqësohen nga të ashtuquajturit “të këqinj”. Që të dyja kategoritë përputhen. […]

Do desha t’ju bëj edhe një pyetje tjetër “aktuale”: Cilin qëndrim mendoni se duhet të mbajë njeriu i letrave përkundër problemeve të mëdha social-politike të kohës së tij? Sartri p.sh., thotë që “dhunës duhet t’i përgjigjesh me dhunë”. Ju, çfarë besoni?

Akselos: Përkufizimi “ intelektual” shkakton një lloj të qeshure. Le të themi që njeriu mendimtar i kohës sonë, duhet të ketë një mendim të pamëshirshëm ndaj atyre që ndodhin, duke mbajtur të hapur mundësinë të përdorë gjithë mjetet, përderisa e di, që mjete dhe qëllime mbeten problematike. Përsa i përket enigmës së dhunës, fsheh shumë anë e përmasa. […]

Përderisa prekët temën e “Greqisë bashkëkohore”, më duhet t’ju them, që kur pyeta tani së afërmi Jani Ksenakin “Ç’ është Greqia për të nga ana kulturore”, m’u përgjigj: “Zbrazëti dhe mosekzistencë”. Për ju çfarë është Greqia bashkëkohore?

Akselos: Greqia bashkëkohore është një problem i hapur, me dyer dhe dritare të mbyllura. Shpesh më përshkon dyshimi: Mos ndoshta Greqia bashkëkohore është metropoli i ardhshëm turistik i shoqërisë globale kapitalisto-socialiste? Por ama, një mit i çuditshëm qarkullon nën sipërfaqe dhe pulson në atmosferën e zbrazëtisë së kaltër. Greqia dhe grekët nuk kanë mendim. Mos ndoshta nuk u duhet?

Si arritët në konkluzionin që Greqia bashkëkohore nuk ka mendim?

Akselos: Nuk është konkluzion. Thjesht, Greqia e sotme nuk duket të ketë nevojë për mendimin. Dostojevksi pat thënë dikur për Rusinë, që është një gabim i natyrës. Ndoshta me të njëjtën ironi, mund të themi që Greqia e sotme është një gabim historik.

Edhe ju, edhe Ksenaki, Seferis, Kazanxaqis, Kavafis e një mori njerëzish të tjerë nga bota e letrave, dolët nga gjiri i Greqisë së re. 

Akselos: Disa grekë, dalin nga kornizat e ngushta të Greqisë dhe lidhen me Europën e mendimin global, poezinë dhe artin. 

Ju jetoni në Paris, por ndonjëherë vizitoni edhe Greqinë. Cilat janë arsyet e kësaj mungese të gjatë nga Greqia?

Akselos: Gjatë tridhjetë viteve që mungoj, kam bërë shumë udhëtime verore në Greqi. Por nuk ndesha askund një interes të thellë përsa i përket mendimit. Greqia bashkëkohore, duket se e shpërfill. Jeton e zhytur në imediaten, në atë që ndodh në mënyrë direkte, të drejpërdrejtë. Prej kësaj burojnë dhe fatkeqësitë  e saj. 

Jeni përsiatur se nga burojnë fatkeqësitë e vendit tonë?

Akselos: Fatkeqësitë e Greqisë kanë të bëjnë me mungesën e mendimit, si dhe me disa faktorë historikë dhe socialë. […]

Cila mendoni se është gjëja më e keqe për njeriun?

Akselos: Të jetojë si zvarranik mbi sipërfaqen e planetit dhe të pranojë në mënyrë pasive gjithë goditjet, në vend që të jetë më i hapur ndaj gabimit. 

Ju tremb ideja e vdekjes? Çfarë është për ju vdekja?

Akselos: Vdekja është miku më i mirë dhe njëkohësisht armiku më i keq. Me frikë, por jo me tmerr, e shoh si afrohet.

 

Burimi: in.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Comments

Submitted by Andrea (not verified) on

Na e veshtiresuat jeten me keto shkrimet e intervistat me greket e gjalle e te vdekur. Une do sugjeroja qe te merrni me shume me italiane, austriake, spanjolle, malazez, kroate e sllovene. lerini keta greket ne punen e tyre se as ua kemi pare hajrin ndonjehere, as do fitojme ndonje gje ndonjehere nga ata. Vetem sherrin i kemi pare. Na kane vrare e prere, na kane marre tokat tona, zakonet tona, veshjet tona.
Une ju lexoj mjaft e kthehem shpesh ne gazeten tuaj se me dukene nje sy me i zgjuar, e nje kendveshtrim ndyshe nga turma
Po me dalin greqizmat perpara qe as me ka lidhur gje, as do me lidhe ndonje here me to.
Lerini vella ne punen e vet, nuk u dua te keqen, po nuk i dua ne te perditshmen time per fare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.