Ndotësi i TEC-it Vlorë

Postuar në 18 Nëntor, 2022 18:16

Në një takim elektoral apo politik – po çfarë rëndësie ka tashmë – në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka premtuar shumë gjëra. Poshtë hapësirës qiellore ku flututrojnë satelitët kuqezi, po ngrihet një Shqipëri e denjë për shekullin ku jetojmë, me një qeveri e cila madje siç tha z. Rama financon 70-80% të kostove reale të energjisë për familjarë dhe biznese. Lidhur me këtë çështje, ai ka premtuar për Vlorën një të ardhme që ndoshta as Ismail Qemali nuk e ka imagjinuar, teksa përvec aeroportit që entuziazmon dhe turizmit, TEC i Vlorës, kur të vihet në punë, do ta shndërrojë atë në nyje nevralgjike të energjisë në rajon. Ndonëse z. Rama e cilësoi TEC të Vlorës një investim komplet të dështuar dhe të gabuar nga qeveria paraardhëse, rivënia në punë e tij, do të bëhet me gaz të lëngshëm, por edhe duke u lidhur me gazsjellësin TAP.

Për këtë çështje. Pra të TEC Vlora, ResPublica ka një përgjigje të Koroporatës Energjetike Shqiptare të vitit 2015, pra të qeverisë së tanishme, përmes së cilës jepet një tjetër pasqyrim për TEC, duke nisur që nga fakti se vepra u ndërtua me kredi nga institucionet e huaja financiare që përgjithësisht kërkojnë studime fizibiliteti.  

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, me një kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare (WB, EIB, EBRD) ka kontraktuar në vitin 2007 ndërtimin dhe vënien në punë të një Termocentrali me cikël të kombinuar në Vlorë. Projekti i Termocentralit me fuqi 96 MW përfundoi në Tetor të vitit 2011, pasi ishin kryer më parë testi i performancës gjatë muajit gusht 2011 dhe testet e besueshmërisë (3 “trial run” me periudha 10-ditore pune gjatë muajve shtator, tetor 2011).

Në janar të vitit 2012 (pas një stuhie detare të ditëve të para të janarit) u bë prezent defekti që lidhej me sistemin e tubacionit të marrjes së ujit nga deti, i cili shërben për ftohjen e impiantit prodhues. Prezenca e rërës në impiantin ftohës tregoi që tubacioni i ujit në det, i cili lidh pikën e marrjes së ujit me sistemin ftohës të TEC-it ishte dëmtuar. Nga inspektimi doli se elementët përbërës të tubacionit ishin shkëputur nga njëri-tjetri në një pjesë të tij dhe tubacioni ishte mbushur me rërë. Kjo e bënte të pamundur furnizimin me ujë, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemin ftohës dhe për rrjedhojë operimi i TEC-it ishte i pamundur. Nga data e marrjes në dorëzim dhe deri në ditën e shfaqjes së këtij defekti, TEC-i ka qenë nën garancinë e firmës kontraktore, “Maire Tecnimont”.

KESH menjëherë deklaroi tek kontraktori këtë defekt të ndodhur brenda periudhës së garancisë dhe i kërkoi atij të kryejë riparimin e tij, në mënyrë që të garantohet jetëgjatësia e linjës sipas projektit. Kontratori asnjëherë nuk e pranoi përgjegjësinë për defektin e ndodhur, duke pretenduar se defekti nuk ka ndodhur për shkak të cilësisë së punimeve të kryera prej tij. Në këtë periudhë rezulton se operimi i Termocentralit është bërë në përputhje me manualet e operimit të furnizuara nga vetë kontratori dhe nën mbikqyrjen e specialistëve të shoqërisë së kontraktuar për supervizionin gjatë operimit dhe mirëmbajtjes.

Aktualisht TEC-i mbahet në gjendje konservimi, duke respektuar procedurat e konservimit edhe të mirëmbajtjes së sistemeve operative të impiantit, në mënyrë që gjendja teknike e impiantit të mos përkeqësohet më tej. Personeli i mirëmbajtjes zhvillon aktivitetet e përcaktuara për të garantuar funksionimin normal të sistemeve që mbahen në punë si dhe për kryerjen e aktiviteteve periodike për sistemet që janë në kushte konservimi.

Lidhur me ndjekjen gjyqësisht të mosmarrëveshjes me firmën ndërtuese të TEC Vlora, KESH sh.a., i përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, ka zhvilluar procedurën e arbitrimit me një Arbitër (Adjudicator) sipas parashikimeve të kontratës me kompaninë ndërtuese. Në përfundim Arbitri i vetëm, me vendim të datës 02 Prill 2014, ka vendosur lidhur shumat e garancisë, sipas kërkesës së kompanisë ndërtuese, duke i dhënë kësaj të drejtën e tërheqjes së tyre.

Pas kësaj vendimmarrjeje, Avokatura a Shtetit, si përfaqësuese ligjore e interesave të Shtetit Shqiptar në mosmarrëveshjet ndërkombëtare, ka filluar procedurat për kalimin e çështjes në arbitrazh ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me firmën ndërtuese, bazuar kjo në parashikimet kontraktore. Për këtë arsye Avokatura e Shtetit, me pëlqimin e KESH sh.a., do të përzgjedhë një studio të huaj ligjore për mbështetjen e palës shqiptare në gjykimin e kësaj çështjeje.

KESH së bashku me Institucionet Financiare Ndërkombëtare që kanë financuar ndërtimin e termocentralit, po zbatojnë një plan masash me qëllim rivënien në punë të TEC-it të Vlorës.

Në këtë plan masash përfshihet edhe përzgjedhja e një kompanie konsulence, e cila do të asistojë KESH në përgatitjen e një vlerësimi të arsyeve që kanë shkaktuar defektin në sistemin e ftohjes, do të propozojë zgjidhjen më të mirë të mundshme teknike, e cila të garantojë jetëgjatësinë sipas projektit, si dhe do të hartojë një projekt të detajuar për riparimin e sistemit të ftohjes dhe vënien në gadishmeri pune të impjantit. Në përfundim të këtij procesi do të kemi një pamje më të qartë dhe më të besueshme për shkaqet, pasojat dhe kostot e riparimit të difektit. Për përzgjedhjen e kësaj kompanie, KESH është duke ndjekur procedurat e prokurimit publik sipas legjislacionit shqiptar

thuhet në përgjigje.

Kanë kaluar 7 vjet nga kjo përgjigje dhe ne dimë vetëm që dikur Damian Gjiknuri tha se TEC do lidhet me TAP apo se Belinda Balluku deklaroi se gazi i lëngshëm vjen në Vlorë. Sot kryeministri na thotë tjetër gjë : që TEC ka qenë një investim i gabuar dhe i dështuar dhe se ai, si përherë do ta rregullojë edhe këtë punë. Nëse do të bëhej fjalë për dallime minimale në detaje për sa i përket kësaj çështjeje, nuk do ia vlente barra qeranë të ndalesh, por këtu z. Rama po thotë të kundërtën e asaj që zyrarisht deklaron Korporata e drejtuar prej njerëzve të zgjedhur prej tij.

Është folur më herët se lënda djegëse e TEC ka qenë mazuti dhe se ai jep efekte ndotëse, ndërkohë që ka kosto, por sipas përgjigjes së KESH TEC është ndërtuar si impiant me cikël të kombinuar, parimi i të cilit është efikasiteti më i lartë energjetik. Nga ana tjetër, defekti në fjalë ka ngecur si yçkël ligjore në duart e shtetit shqiptar, të paktën për aq sa kemi ne përgjigjen e korporatës, ndaj të flasësh për një situatë të ndërlikuar është një gjë, e të deklarosh se vepra është investim i dështuar është tjetër gjë.

Është i njëjti person që kohë më parë deklaronte se kishte bërë çmos që të vinte në punë me investime rafinerinë e Ballshit, pse nafta jonë siç u shpreh është për industri. Sot në Vlorë na tha një gjë tjetër: Azerbajxhani do ndërtojë një rafineri moderne. Mbetet për t’u parë mos vallë Ballshi do të zgjidhet sërish si vendondodhje...

Kjo është një tymnajë e cila gjenerohet nga ndotësi kryesor i ligjërimit publik, Pushteti; njësoj si dikur kur Sali Berisha që fliste për Shqipërinë bërthamore, që mundet të ketë qenë një projekt apo ide e hedhur diku, por që u mor e u qarkullua si realitet fare i prekshëm. Zanat i përhershëm i politikanëve të këtij vendi që nuk dihet për ç’arsye edhe energjinë bërthamore, apo ngritjen në hapësirë kanë sevda të madhe ta ndajnë si lajm me popullin. Ndjesë: Si lajm popullor ku tellalli janë vetë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Heu bre (not verified) on

Po e keni Henri Ciilin aty apo jo. Jepjani detyre atij dhe ....hop vihet ne pune TEC-i Vlore duke u kthyer ne HEC.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.