Shqiptarçe, jo Turp!

Postuar në 06 Nëntor, 2022 15:22

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka disa ditë që ka nisur atë që mund të quhet një fushatë përgënjeshtrimi personal dhe publik të lajmeve të ndryshme sidomos nga Top-Channel. Së fundmi z. Rama ka reaguar edhe ndaj qëndrimeve të Ilir Metës pro “asaj ministres britanike që akuzon shqiptarët”, ndërkohë që sot, përmes një statusi akuzon kreun e PD-së, Sali Berisha për qëndrimet e veta përcjellë për “Daily Mail”:

Vetëm shërbëtorët e së keqes, jashtënxjerrjet e një kombi, pjellat e mbrapshta të sojit të lig që e ndjek pas si hija e një mallkimi këtë vend qysh prej 1912-ës, mund të lëshojnë në gjuhë të huaj deklarata të tilla kundër Shqipërisë!

shkruan z. Rama.

Për Ilir Metën z. Rama ndër të tjera u shpreh:

lir Meta del dhe mbron atë ministren britanike, i mbron nga unë. Është nuk e di. Është një lloj faqezezëllëku që i shoqëron shqiptarët që nga viti 1912, është një kategori shqiptarësh që nuk i ndahen këtij vendi si mallkim. Nuk kanë asnjë lloj cipe.

Këtu kemi dy momente: së pari fjalia “Nuk e di” që është mohim i pastër, ka fituar karakterin e një përcaktori të të padefinueshme me cilësi negative apo të befasisë. Sjellja e shqiptarit për shqiptarin është çdo gjë e mundshme, sepse “Shqipëri hesapi”. Dhe duke qenë “çdo gjë” ajo është aktualisht “nuk e di”. Fjala nuk e rrok dot e vetme potencialitetin e habereve që pret nga një shqiptar, ndaj shqipja bisedore ka shtënë në punë një nuancë në vend se të kërojë një fjalë, që patjetër nesër dej mund të sfidohet nga të tjera alametesh dhe xudhish që të dëgjojnë veshët.

Ky kontekstualizim i mohimit drejt një instance të re, pra dekategorizimit të tij në një përcaktori të së njohurës që nuk verbalizohet, është interesant dhe meriton studim më vete. Ky është “nuk e di d.m.th” mund ta themi edhe për z. Rama, qeverinë e tij, ministrat dhe duarakulloret e shumtë që kanë zënë karriget. Sepse as hajduti, as hajnia, as zullapëria, zorzopëria, dallkaukllëku, tahmaja dhe zilepsja nuk e përmbledhin atë gjendje komplekse të shqiptarit që teksa sheh vetëm nga e ardhmja me frikë e pasiguri, shkallmon çdo të tashme dhe përçmon me lehtësinë më të madhe të shkuarën e vet.

Shqiptari i sotshëm është një “nuk e di”, në proces të vazhdueshëm. Është një hajmali ditore e vetes në një vend të mjerë ku ka stigma absurde si “pabuks”, kur mbarë shoqëria jonë përcaktohet si Ikëse, emigrante.

E dyta është ai mallkimi përtë cilin flet z. Rama që daton që nga vjedhja që disa përfaqësues shqiptarë i bënë historisë. I vodhën një shtet, e shpallën si të tillë dhe mandej e morën me iradenë alla frënga për të na vërvitur nga një perandori në tokën e zbathur të një mileti pa busull.

Cili është ky mallkim? Është ai që Esad Pashë Toptani e rregullonte Shqipërinë “përmes ekuilibrit të urrejtjes”, atë urrejtje që ne e kemi organike për njëri-tjetrin, për konsideratën tribale që kemi për veten dhe njëri-tjetrin, për hierarkitë e dominimit që dimë të ndërtojmë duke u bërë kështu asgjë më shumë se mallkim i vetvetes.

Ky është ai mallkim që na jehon prej modeleve të Xheladin beut, apo të përvojave që na e sjellin fqinjët siç na kanë njohur. Konica p.sh na kujton se grekët në vdekje ngushëllonin: Zoti nuk është shqiptar, ose serbët: Ata sillen me vendin e tyre sikur të ishin të përkohshëm, apo italianët: të bësh shqiptarin(sikur nuk kupton). Mund të jetë e pavërtetë origjina e tyre, por ato kanë kaq të vërtetë brenda.

Dhe nëse sot ky zotëri po bën sërish Nolin e shekullit të XXI, duhet ftillohet, të marrë sërish atë taksinë që na thoshte se merrte dikur natën e vonë e të dalë I maskuar tebdil të dëgjojë se çfarë thonë, se çfarë mendojnë njerëzit. Për ta kuptuar edhe ky se çfarë do të thotë të qeverisesh nga një shqiptar. E kështu ndoshta kupton e shkon e këndohet gjetiu, ose në mos, emigron për të mirën e të gjithëve, pse në fund duhet ta pranojmë: Ikja jonë edhe na ka shpëtuar nga një urrejtje terminale, nga një “Nuk e di” asgjësuese.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.