Mikpritje shqiptare, apo përulje ndaj më të fuqishmit?

Postuar në 24 Shtator, 2022 23:05
Inxhi Brisku

 

Në një intervistë për mediumin gjerman "Der Spiegel" kryeministri Rama, nuk ka arritur t'i japë përgjigje pyetjeve në lidhje me varfërinë edhe pabarazinë ekstreme në vend edhe largimin masiv të shqiptarëve në emigracion përfshirë edhe Gjermaninë. Por në fund të intervistës i ka bërë thirrje pensionistëve gjermanë të vijnë për të kaluar pleqërinë në bregdetin me diell të Shqipërisë, duke përdorur një shprehje patetike "shtëpia e shqiptarit është e zotit edhe e mikut." Fraza të ngjashme kryeministri i ka përdorur edhe më parë kur ka dashur të mburret përpara audiencës së huaj, për "mikpritjen shqiptare" ndaj opozitës iraniane apo afganëve të larguar nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

Në rastin e pensionistëve gjermanë, italianë, britanikë apo amerikanë, nëse vijnë në Shqipëri, qeverisë do t'i interesonte, sepse ata do të shpenzonin në vend pensionet e tyre, mjaft më të larta se pensionet apo rrogat e Shqipërisë. Kështu që mikpritja zor se hyn në këtë rast, pasi ata do të vijnë këtu të shpenzojnë paratë e tyre, duke përfituar që standardi i jetesës në Shqipëri është më i ulët se në vendet përkatëse, edhe me një pension minimal të atyre shteteve mund të bësh një jetesë relativisht të rehatshme. Por edhe në rastin e "mikpritjes" së opozitës iraniane apo refugjatëve afganë, zor se mund t'i mvishet si meritë mikpritjes së qeverisë apo popullit shqiptar. Këto dy raste kanë qenë më tepër plotësime të kërkesave të aleatëve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Në rast se do të dojë dikush të testojë mikpritjen e qeverisë shqiptare, mirë do të qe të shqyrtonte sjelljen e organeve qeveritare me refugjatët sirianë, të cilët keqtrajtohen nga policia edhe gjenden në kushte mjaft të vështira jetese. Kjo gjë u duk më qartë në mbylljen gjatë pandemisë në vitin 2020, kur të mbetur pa strehë edhe pa asnjë mjet tjetër jetesë, refugjatët sirianë detyroheshin të lypnin bukë për të mbijetuar.

Rast edhe më flagrant i cili vërteton të kundërtën e pretendimeve të kryeministrit është deportimi për në Turqi i një gazetari turk para pak ditësh, pasi autoritetet shtetërore i refuzuan me procedura aspak transparente kërkesën për azil politik, megjithë pretendimet e tij se i rrezikohej jeta në rast kthimi në Turqi. Ky nuk është rasti i parë kur nga Shqipëria deportohen me procedura shumë të dyshimta, shtetas turq megjithë pretendimet e tyre se në vendin e origjinës u rrezikohet jeta. Lidhjet e kryeministrit Rama me presidentin turk Erdoğan shkojnë përtej marrëdhënieve të mira shtetërore që ka pasur historikisht shteti shqiptar me shtetit turk, pavarësisht regjimeve në dy vendet. 

Këto lidhje personale të këtyre dy udhëheqësve shtetërore kanë bërë që shteti shqiptar të shkelë ligjin vendas edhe të drejtën ndërkombëtare në lidhje me procedurat e shqyrtimit edhe dhënies së azilit politik. Në këtë situatë është krejtësisht e turpshme që kryeministri guxon të flasë mbi mite të mikpritjes për të mbuluar problemin kryesor të vendit, shpopullimin si pasojë e emigracionit masiv.

Viktimë e kësaj lidhje personale ra edhe kolegji “Mehmet Akif,” i cili vepronte prej afro 30 vjetësh në vendin tonë. Pavarësisht justifikimeve te kryeministrit Rama apo ministres së Arsimit, mbyllja e këtij kolegji u bë pas presionit prej disa vjetësh të qeverisë turke. Prej këtij presioni të gjithë institucioneve arsimore të lidhura me lëvizjen Gülen, të cilën qeveria turke e konsideron terroriste, u ishte vështirësuar tashmë veprimtaria. Por fatkeqësisht kjo situatë mund të ketë edhe viktima të tjera. 

Në vizitën e tij të fundit në Shqipëri, Presidenti Erdoğan si në konferencën për shtyp me Kryeministrin Rama, ashtu edhe në fjalën e mbajtur në parlament, tha që pjestarë të lëvizjes Gülen ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në institucione arsimore, shëndetësore edhe fetare të Shqipërisë, duke dhënë edhe një paralajmërim për spastrimin e këtyre institucioneve nga veprimtarët e kësaj lëvizje. Këto hapa të qeverisë shqiptare, lënë shteg për të dyshuar se në një të ardhme të afërt, institucione te tjera mund të goditen si pasojë e presionit të qeverisë turke edhe përulësisë së qeverisë shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.