Spiunë, mavri dhe mavitë "liberale" progresiste

Postuar në 13 Gusht, 2022 17:04

Autoritetet amerikane të akuzës kanë zbardhur arsyet e mësymjes në shtëpinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Florida. Sipas tyre në shtëpi janë gjetur dokumente top-secret ndërkohë që aludimi është se Trump dyshohet për spiunazh. Vetë ish-presidenti ka deklaruar se dokumentet ishin të deklasifikuara ndërkohë që partia Republikane e ka cilësuar mësymjen si politike. Ka arsye të shëndosha dhe të shëndetshme për këtë: e vërtetë që në Shtëpinë e Bardhë është Biden, alternativa demokratike ndaj Trump, por z. Biden është në prag të bastunit dhe përkundrejt eventualitetit të një rikandidimi nga Trump, demokratët nuk kanë një emër.

Në psikozën e një elite që është mësuar të bëjë çfarë do në botë dhe SHBA patjetër, një rikthim i Trump do të ishte goditje serioze, tani që është e qartë se sanksionet e SHBA ndaj Rusisë dhanë valë sizmike në botë më shumë se vetë lufta dhe se ikja nga Afganistani reflektonte takimet virtuale imagjinare të Biden me dikë që nuk ndodhej aty.

Situata dhe mekanizmi ngjan kaq shumë me dosjen e I.M në Tiranë, zbardhur si dosje bashkëpunimi e ish-presidentit Ilir Meta me Sigurimin e Shtetit. Dhe pas dosjes qëndron ideja e një skualifikimi nga e drejta për të kandiduar në zgjedhje.

Të dyja rastet shembullizojnë një fakt dramatik të përbashkët: pervertimi i të ashtuquajturave elita liberale ka tejkaluar plotësisht kufirin e çdo skandali që aktualizohet dhe merr vlerë reale si i tillë, jo sipas dispozitave ligjore, por sipas kontrastit mes asaj që thuhet dhe asaj që ndodh. Trump mund të jetë një spiun i Putin, por a është kjo më keq dhe më e rëndë sesa drejtimi i vendit nga i ndershmi(!) Joe Biden?

Ilir Meta mund të jetë një spiun i 1989-ës, por a përbën ky fakt shqetësim për interesin e sotshëm të qytetarëve që drejtohen nga Edi Rama, që për ta firmos Belinda, vendos Taulanti dhe përfaqësohen nga Olta?

Përdorimi në këtë mënyrë i një mekanizmi ligjor, kushtetues apo ajo, në kontesktin e një hibridizimi të së mirës dhe të keqes, të të majtës dhe të djathtës, të liberalit dhe konservatorit, të monetarizimit të politikës si të tillë, ka efekt të kundërt. Një spiun nuk mund të cenojë më shumë interesat publike sesa një hajdut me imunitet, madje një spiun është më i rrezikshëm kur edhe ai vetë shndërrohet në liberalin që vjedh duke u mbrojtur me procedurë. Kjo nuk është teorike, por fakt i përditshëm. Mekanizma të tilla përkundrejt kundërshtarëve të diskredituar, por të padiskreditueshëm më tej në një sistem që ka ezauruar të gjithë rezervën morale, është në thelb një shprehje e diktaturës së ligjit të shumicës, që si e tillë pushon së qeni demokratike, por shndërrohet në një klasë që uzurpon një pushtet prej nga ku rrjedh një e drejtë e cila konfirmohet apo afirmohet te vota.

Nëse shumica apo një pjesë e madhe voton një spiun të deklaruar, çfarë duhet të lexojmë? Është një pyetje, përgjigja e të cilës sëkëlldis elitën e sotme që është kapur me presh në dorë dhe tek akti i vjedhjes përkufizon veten.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.