Çfarë halli ka çzdromsi?

Postuar në 12 Gusht, 2022 22:37

Erion Veliaj ka dhënë sot në Top-Channel një intervistë pa kuptim. Në parim një prononcim kërkohet për një çështje brenda kuadrit të detyrës dhe profilit publik, ose në një rrethanë të caktuar. Intervista e Veliajt sot, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka qenë asgjë më shumë se një replikë ndaj sulmeve të Ilir Metës, të cilat siç e dimë në politikë shfrytëzohen edhe për të faktorizuar kundërshtarin. 

Në një prej komenteve të tij me një shqipe parafabrikate, Veliaj thotë se: 

Unë jam totalisht pro që çdo gjë të hetohet me çfarë ka ndodhur me sistemin e plehrave, por vetëm fakti që ajo reja veshtullore, kancerogjene mbi Tiranë nuk është me dhe Tirana sot nuk është Kabuli i Ilir Metës dhe talebanët nuk kanë më hapësira në Tirane ku zbatohej gjithçka, kjo është një  diferencë shumë e madhe

Është një standard propagandistik kaq i përsëritur i dikujt që pak a shumë po na thotë se kur punohet edhe vidhet. Dhe z. Veliaj po thotë se është punuar. Çështja është se përballja e tanishme e manifestuar kaq hapur nuk është se nuk e streson z. Veliaj i cili qarkullon prej vitesh në cekinën ku e lë dyshimi nëse padroni i tij po e shet apo jo. 

Me inceneratorët po goditen deri më tani 3 persona kyç: Engjëll Agaçi, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj. Këta kanë dalë në akuzën publike si levrekët e një skandali që nuk mbyllet. Nuk mbahet më dhe që ilustron se sistemi është i korruptuar. Z. Veliaj po bën atë që di më mirë: të hidhet në sulm duke u kujtuar të tjerëve se është gjallë, por ai stonon sepse jo vetë, nuk është gjahtar por pre në këtë lojë, por edhe sepse ai nuk ka profilin për këtë protagonizëm. Dhe na sqaron ne se kush është Ilir Meta, apo Metaj. Të qeshësh e të qash! 

Akuzat për milionat e kaluara drejt inceneratorëve nuk i pastron asnjë gjykatë dhe kështu, kushdo që do të shohë e kupton se çzdromsi i Tiranës nuk merret me vija të bardha dhe pemë. Nuk ka sesi të jetë kështu në një qytet ku milionat lëvizin nëpër kulla e marifete të tjera. 

Ajo çka të bën përshtypje këtu është se politika është vënë nën presionin e një shtatori të qametshëm, kataklizmik: shkruajnë thuajse të gjithë për këtë shtator. Edhe ambasadori britanik u shfaq sot me paralajmarimin se do të ketë të tjera non grata. Një ambasador si ky nuk është parë, një diplomat që sillet si gazetar investigativ dhe i cili sot ndër të tjera tha edhe se: 

Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj, më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pandëshkueshmërisë

Nëse është kështu ka për të gjithë kështu që këtë purgë anglosaksone mbetet vetëm ta kuptojmë si kryqëzatë morale dhe ta përshëndesim, pse jo edhe si spektatorë në një vend ku gladiatorë janë vetë hajdutët që qeverisin. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.