Si do ia bëjmë me njollat mbi imazhin tonë?

Postuar në 12 Maj, 2022 19:37

Ronela Hajati përfaqësoi Shqipërinë keq në Eurovizion. Thuhen shumë gjëra për këtë, se ajo u zhvesh apo bëri gjeste, se kënga nuk ishte si duhet, se siç dëgjojmë rëndom RTSh dështoi në menaxhim e kështu me radhë. Ronela na vuri një njollë. Dhe na e vuri këtë njollë edhe pse p.sh shumëkush nuk e di që ka një këgëtare apo artiste, performuese apo çfarë të duash që quhet Ronela Hajati dhe se paska shkuar në Eurovizion. Ajo na vuri një alamet njolle për disa, saqë personalisht po mendoj të anulloj ca kohë çdo dalje jashtë vendit nga droja se do më ndalojnë në kufijtë e BE-së si solidar i një turpi estetik dhe etik mbase.
Sa e merr veten nga ky njoftim ia jep Andi Bushati, gazetar ndoshta, që na thotë se Sali Berisha na ka vënë një njollë tjetër. Ai ka propozuar një rezolutë që dënon genocidin serb në Srebrenicë e cila u hodh poshtë nga shumica socialiste.

Z. Bushati thotë tekstualisht se: 

Nga sot e tutje, kushdo që të gërmojë në arkiva, kushdo që do të lundrojë në internet, do të gjejë një lajm se parlamenti ynë ka rrefuzuar ta dënojë genocidin serb në luftën e Bosnjës. Dhe kjo është një njollë që i mbetet gjithë shqiptarëve, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në kohën që u shqyrtua kjo rezolutë. Prandaj në raste të tilla, forcat politike, përpara se të shpallin nisma të ngjashme, bien paraprakisht dakord me njëra-tjetrën, për të shmangur çdo të papritur
Pra ja edhe një njollë që do ta kemi nesër

Ideja pas këtyre pretendimeve është se përfaqësimi ështe objektiv dhe real pse manifestohet nën simbole zyrtare në plate publike. Sigurisht që janë pretendime të rreme. Hajati përfaqëson veten në atë aktivitet, sepse i gjithë i ashtuquajturi art i këtyre kohëve, institucionet që e formalizojnë atë, kanë gërryer çdo kuptim përfaqësimi nacional.

Nuk ka përfaqësim real pa aderimin emocional dhe sentimental të një shoqërie në një proces apo aktivitet që përndryshe shndërrohet në një ritual të mbyllur grupimesh që ndajnë intetesa të vetat. 
E njëjta mund të thuhet për Parlamentin, i vetëakuzuar dhe provuar si gjenerator krimi, korrupsioni dhe imuniteti të krimit.

Ne sot jetojmë në një Republikë që ka nisur të hetojë veten dhe nuk po del të qepë dot një plagë të vetme të sëmundjeve që i krijon vetë. Ndaj njollat në fjalë, të shpallura si të tilla janë hiçmosgjë, për të mos thënë episode argëtuese të asaj që është në fakt domeni i një klike. 

Dikush mund të thotë se nuk relativizohet çdo gjë, mirëpo të na gjejnë një mënyrë për të marrë seriozisht diçka në një vend ku askush nuk beson asgjë, veç të sotmes. 
Ironia nuk mungon, p.sh para disa ditësh një turk hyri në stadiumin e Madridit me një flamur shqiptar në dorë. Korrigjim: Flamurin e Shqipërisë të 30 viteve të fundit. Kë përfaqëson xhanëm zotëria me atë gjest?!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.