Si e shpëtuan sovjetikët Titon nga nazistët

Postuar në 14 Prill, 2022 21:06

Gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, Ballkani ishte burim i problemeve të vazhdueshme për Rajhun e Tretë. Pas rrënimit të Jugosllavisë nga Vehrmahti në prill të vitit 1941, në copat e saj u ngrit një kundërshtim i fortë ndaj nazizmit, duke nisur një luftë të ashpër kundër pushtuesve.

Më e fuqishmja nga këto forca ishte e ashtuquajtura Ushtria Nacionalçlirimtare Jugosllave, në varësi të Partisë Komuniste të vendit. Nëse fillimisht përbëhej nga njësi të vogla partizane, në pranverën e vitit 1944, ajo përfshinte divizione dhe trupa të mëdha që numëronin rreth 300 mijë vetë.

Një dhimbje koke për komandën gjermane, ajo ia doli të frenonte mbi tridhjetë divizione të Vehrmahtit dhe SS në Ballkan, të cilat do t'i kishin ardhur në ndihmë në Frontin Lindor. Nazistët u përpoqën vazhdimisht të shkatërronin Ushtrinë Partizane dhe personalisht komandantin e saj, Josip Broz Tito, por pa sukses.

Në maj të vitit 1944 pati një tjetër tentativë që i shkoi arritjes së qëllimit më afër se kurrë ndonjëherë tjetër. Pikërisht në atë moment Ushtria e Kuqe i erdhi në ndihmë Titos.

Në orën 5:00 të mëngjesit të 25 majit, bombarduesit gjermanë u shfaqën mbi qytetin e Drvarit në Bosnjë-Hercegovinën perëndimore, ku ndodhej selia e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas një sulmi të madh ajror, aeroplanët e transportit filluan të zbarkojnë jashtë qytetit, nga i cili u shkarkuan menjëherë ushtarët e Batalionit të 500-të të Parashutave SS.

Operacioni ishte emërtuar ‘Lëvizja e kalorësit’ dhe qëllimi kryesor i tij ishte kapja ose eliminimi i Marshallit Tito. Për operacionin ishin angazhuar mbi 17 mijë njerëz. Përveç parashutistëve, në zonën e operacioneve luftarake ishin zhvendosur regjimentet e pushkëve të motorizuara, batalionet e zbulimit, tanket dhe xhenierët, një regjiment i divizionit të forcave speciale "Brandenburg" dhe njësitë kroate.

Ata u kundërshtuan nga njësitë e Korpusit të I-rë dhe të 6-të Proletar të Partizanëve Jugosllavë, Batalioni i Gardës së Marshallit dhe kadetët e Shkollës së Trajnimit të Oficerëve, me një total prej 12 000 burrash. Me gjithë rezistencën e tyre të ashpër, armiku e pushtoi qytetin.

“Gjermanët më kërkonin”, kujton Tito më vonë. “Ato ditë, një rrobaqepës në Drvar më qepi uniformën e një marshalli. Parashutistët nuk morën gjë tjetër veç kësaj uniforme të grisur nga copëzat e bombës... Të gjithë banorët e Drvarit e dinin se ku isha. Çdo parashutist kishte fotografinë time. Ata shkonin te njëri ose tjetri nga banorët e qytetit, i tregonin foton dhe e pyesnin: "Tito, Tito, ku është Tito?" Por askush nuk u tha asgjë. As fëmijët..."

Vetë marshalli, së bashku me stafin e tij dhe misionin ushtarak sovjetik, ndodhej në atë kohë në shtëpinë e tij jo shumë larg qytetit. Kur armiku arriti edhe aty, ata u tërhoqën në malet Dinarike, të mbrojtur nga trupat e tyre.

Gjermanët nuk hoqën kurrë dorë nga ndjekja, duke e ngushtuar rrethin përqark Titos dhe mbështetësve të tij. Gjenerali sovjetik, Nikolai Korneev, i cili ishte me grupin, e këshilloi Titon që të evakuohej në bazën ajrore aleate në Bari në Italinë jugore. Ky i fundit refuzoi për një kohë të gjatë, duke këmbëngulur se duhej të qëndronte në territorin jugosllav. Ai ra dakord vetëm me opsionin për t'u transferuar menjëherë nga Bari në ishullin Vis në detin Adriatik, në brigjet kroate.

Përveç aviacionit britanik dhe amerikan, në Bari u vendosën edhe skuadrilje të Forcave Ajrore të Ushtrisë së Kuqe: 12 transportues C-47 dhe 12 luftëtarë përcjellës me rreze të gjatë Yak-9D. Kur Stalini e mori vesh situatën e Titos, ai udhëzoi pilotët që të merrnin pjesë më aktive në shpëtimin e tij.

Pavarësisht komunikimeve të paqëndrueshme, shtabi i Ushtrisë Jugosllave ishte në gjendje të raportonte se po priste të evakuohej në një plazh malor pranë qytetit të Kupresit. Aleatët perëndimorë e vonuan misionin e shpëtimit për shkak të motit të keq, por majori sovjetik Alexander Shornikov ndjeu se koha po mbaronte dhe duhej veprim i menjëhershëm.

Natën e 4 qershorit, një C-47 sovjetik u ngrit në ajër dhe u nis drejt Jugosllavisë. Koordinatat u dhanë nga navigatori Pavel Yakimov i ekuipazhit të Shornikov, i cili ishte me marshalin në atë kohë.

Majori ishte tashmë një pilot me përvojë, i cili kishte kaluar kohë në Ballkan dhe kishte studiuar rrugët ajrore lokale. Megjithatë, edhe për të, detyra ishte jashtëzakonisht e vështirë.

“Në kushtet e stuhive dhe shiut, na u desh të kalonim detin Adriatik në lartësi të ulët, së pari, për të mos devijuar nga rruga e përcaktuar dhe, së dyti, për të shmangur retë”, kujton shefi i aviacionit, Aleksandër Golovanov. “Duke arritur në ishullin e Korçulës dhe duke anashkaluar Splitin, ku kishte një bazë detare gjermane të mbuluar nga një numër i madh artilerie kundërajrore, ekuipazhi filloi të fitonte lartësi, duke marrë një kurs për në Kupres, në zonën e të cilit ndodhej mali më i lartë, i cili shërbeu si një pikë referimi e besueshme. Pasi arritën në mal dhe identifikuan pozicionin e tyre, ekuipazhi kërkoi dritat paralajmëruese dhe sinjalet. Retë pengonin pamjen e mirë të zonës. Ekuipazhi fluturoi mbi terrenin e panjohur për më shumë se gjysmë ore derisa gjetën dritat e kodit.”

Vendi i vogël, i përgatitur nga partizanët në male, ishte plotësisht i mbuluar me gurë dhe kishte përrenj. Avionit i duhej të ulej me përpjekjen e parë dhe nuk i lejohej asnjë gabim. Shornikov ia doli me detyrën: zbarkoi C-47 e tij dhe e ndaloi në zjarrin e fundit të ndezur, përtej të cilit fillonte një greminë e pjerrët.

Ekuipazhi i avionit sovjetik duhej të përsëriste edhe një herë manovrën e vështirë. Pasi marshalli dhe oficerët e stafit u dërguan në Bari, pilotët u kthyen për pjesën e mbetur. Aleatët perëndimorë, duke mësuar për fluturimin e Shornikov, bënë edhe ata disa fluturime në male.

Pas evakuimit të udhëheqjes, njësitë jugosllave që e ruanin shkuan për të çarë rrethimin (të cilin e realizuan me sukses) dhe në mëngjes, trupat gjermane u shfaqën në horizont.

Alexander Shornikovit, bashkë-pilotit të tij, Boris Kalinkin, dhe navigatorit Pavel Yakimov iu dha titulli Heronjtë e Bashkimit Sovjetik. Jugosllavia, nga ana tjetër, i dha secilit prej tyre dekoratën më të lartë ushtarake - Urdhrin e Heroit Kombëtar.

Russia Beyond the Headlines 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.