Skenari i embargos së naftës ruse, kush humb dhe kush fiton

Postuar në 26 Mars, 2022 19:00

Europa merr nga Rusia ¼ e totalit të furnizimit me naftë dhe 40% të gazit. Megjithatë, Europa nuk është importuesja numër 1 nga Rusia. Përgjatë pesë viteve të fundit, Kina ka qenë blerësi më i madh i naftës ruse. Vetëm përgjatë vitit 2021, Kina ka importuar nga Rusia 70.1 milion ton naftë (30.6% e totalit të eksporteve ruse) për shumën prej 34.9 miliardë dollarë.

Importuesi i dytë më i madh është Holanda (37.4 milionë tonë me 17.3 miliardë dollarë). Holanda është qendër kryesore tregtare, nga ku lëndët e para nga Rusia rishpërndahen në vendet e konsumatorit fundor.

Në vendin e tretë është Gjermania, e cila gjatë vitit 2021 bleu 19.2 milionë tonë naftë, me vlerë 9.3 miliardë dollarë.

Në total, vendet e BE-së përbënin 47% të furnizimeve me naftë ruse në 2021 - 108.1 milion ton me vlerë 50.9 miliardë dollarë, sipas shifrave të Shërbimit Federal të Doganave Ruse, të cilave u referohet Russia Beyond the Headlines.

Dhjetë vendet kryesore importuese të naftës ruse në 2021 (sipas vëllimit):

    Kina - 70.1 milion ton

    Holanda - 37.4 milion ton

    Gjermani - 19.2 milion ton

    Bjellorusia - 14.9 milion ton

    Republika e Koresë - 13.5 milion ton

    Polonia - 11.2 milion ton

    Itali - 8.9 milion ton

    SHBA - 7.4 milion ton

    Finlanda - 6.3 milion ton

  Sllovakia - 5.3 milion ton

Bashkimi Europian po shqyrton shkëputjen e varësisë nga nafta dhe gazi rus. Në rast se BE arrin një vendim me unanimitet për këtë, Rusia pritet t’i orientojë eksportet drejt Azisë.

A do ta zëvendësojë Azia tregun europian dhe atë amerikan (ky i fundit është shkëputur tashmë si importues i naftës ruse)?

Arabia Saudite mbetet eksportuesi numër një i naftës në Kinë, për Rusinë, Kina (30.6%) mbetet vendi kryesor importues i naftës dhe kjo përqindje pritet të rritet. Në fillim të vitit 2022, Rusia dhe Kina nënshkruan një kontratë afatgjatë për furnizimin vjetor të afro 100 milionë tonë naftë (më shumë se 700 milionë fuçi).

Një tjetër zonë e mundshme për rritjen e furnizimeve është India. Në vitin 2021, blerjet nga Rusia përbënin vetëm 2% të importeve të naftës të Indisë, për shkak të kostove të larta të transportit. India blen ngarkesa nafte të dërguara nga Rusia, e cila nuk mund të gjejë blerës në Evropë. Në mars 2022, India i katërfishoi importet e naftës ruse - duke blerë 360 000 fuçi në ditë.

“Eksportet ruse të naftës dhe produkteve të naftës në Indi janë afruar 1 miliard dollarë, ka mundësi të mira për ta rritur këtë shifër”, tha zëvendëskryeministri rus Alexander Novak. Ndërkohë, pas kërkesës së Rusisë, po shqyrtohet edhe pagesa në rubla dhe rupi.

A do t’ia dalë Europa të zëvendësojë naftën ruse?

Ekspertët rusë parashikojnë një reduktim të varësisë, por e përjashtojnë heqjen dorë në mënyrë të menjëhershme nga nafta ruse.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaron se vetëm Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kapacitet të lirë prodhimi të aftë për të kompensuar rënien e prodhimit rus të naftës. Në këtë pikë hyn në lojë Irani. Analistët vlerësojnë se nëse Iranit i hiqen sanksionet, eksportet e tij të naftës mund të rriten me 1 milion fuçi në ditë brenda gjashtë muajve.

“Edhe Irani nuk do të jetë në gjendje t'i zëvendësojë shpejt sasitë që importohen nga Rusia, edhe nëse sanksionet hiqen nesër. OPEC+ nuk po nxitohet për ta ndihmuar Perëndimin me një rritje të shpejtë të prodhimit”, thotë politologu Georgy Bovt.

Në lojë mund të hyjnë edhe Brazili dhe Guajana. Këto dy vende të Amerikës Latine, sipas ekspertëve, në pak vite mund të jenë ndër njëzet eksportuesit më të mëdhenj të naftës. Në terma afatshkurtër, ato mund t’i rrisin furnizimet me naftë.

Venezuela (eksportet e naftës së së cilës janë aktualisht të kufizuara nga sanksionet e SHBA) shihen si një zëvendësim tjetër i mundshëm i naftës ruse, sepse nafta e saj me nivel të lartë squfuri është e ngjashme me atë të Rusisë. Por, edhe nëse Irani dhe Venezuela fillojnë të eksportojnë sërish naftë, furnizimet e tyre në total, sipas ekspertëve, do të zëvendësonin vetëm 50% të naftës ruse.

Ekspertët rusë parashikojnë rritje të mëtejshme të çmimeve përgjatë muajve të ardhshëm. Çmimi i naftës Brent arriti në 130 dollarë për fuçi më 9 mars 2022, një nga nivelet më të larta historike. Kjo solli rritje të çmimit mesatar të benzinës në Amerikë dhe Evropë, me 1.5-2 herë, krahasuar me një vit më parë.

Sipas llogaritjeve të JPMorgan Chase & Co, eksportet prej rreth 4 milionë fuçi nafte ruse në ditë i janë hequr tregut botëror. Në kushte të tilla, analistët e kompanisë parashikojnë që çmimet të arrijnë në rreth 185 dollarë për fuçi deri në fund të vitit 2022.

Sipas zëvendëskryeministrit Alexander Novak, nëse Perëndimi refuzon plotësisht naftën ruse, “rritja e çmimit do të jetë e paparashikueshme - më shumë se 300 dollarë për fuçi, nëse jo më shumë”.

Në të njëjtën kohë, është e pamundur të zëvendësohet shpejt vëllimi i naftës ruse në tregun evropian; do të zgjasë më shumë se një vit dhe do të jetë shumë më e shtrenjtë për konsumatorët evropianë. Në këtë skenar ata do të jenë viktimat kryesore... Çmimet e pikave të karburantit, energjisë elektrike dhe ngrohjes do të ngrihen në qiell. Kjo do të ndikojë në tregje të tjera, përfshirë SHBA-në.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.