Leksione ukrainase

Postuar në 03 Mars, 2022 18:26
Erjus Mezini

 

Rezistenca ukrainase ndaj sulmit të pajustifikueshëm rus ka befasuar shumë komentatorë dhe ka sjellur njëfarë euforie në kryeqytetet perëndimore, të shoqëruar nga shpresa se demokracia dhe arsyeja do të rezistojnë dhe një ditë do të triumfojnë si në Ukrainë ashtu edhe në vetë Rusinë. Pyetjes nëse “euforia është e justifikueshme apo jo?” përgjigjen mund t’ia japë vetëm koha. Vetëm koha do ta tregojë edhe të ardhmen e Ukrainës. Mirëpo duhet theksuar këtu se megjithë mirëdashjen e analistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe megjithë kontributin ndërkombëtar për kauzën ukrainase, gjasa është e madhe që e ardhmja i Ukrainës të vuloset në Kremlin dhe jo në Uashington, Bruksel, Londër apo diku tjetër.

Nëse, fjala bie, vendimmarrësit e Kremlinit bëhen më agresivë dhe më iracionalë nga ç’jemi mësuar t’i shikojmë, Rusia (paçka dështimeve të deritanishme në fushëbetejë) e ka ende një arsenal të tillë konvencional dhe jo-konvencional që ta gjunjëzojë Ukrainën, duke e parandaluar njëkohësisht çdo ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në Ukrainë. Që të ndodhë diçka e tillë, nënkuptohet që në Kremlin do të mbizotërojnë çmenduria në vend të arsyes, ndërsa urrejtja dhe inati do të arrijnë në atë gradë, saqë ushtria ruse të përdorë armë që do të vrasin qindra njerëz të pafajshëm në një vend me të cilin gjërat që e bashkojnë janë më të shumta se gjërat që e ndajnë.

Përderisa koha është ajo e cila do ta nxjerrë verdiktin e vet për Ukrainën, është e kotë të bëj parashikime për ditët dhe javët në vijim. Sidoqoftë do desha që me lexuesin shqiptar të veçoja disa leksione, apo më saktë përshtypje personale, nga gjithë ky grumbull informacioni që po na seviret në këto ditë të tensionuara përleshjesh. Këto përshtypje, të bazuara në lajmet dhe shkrimet e mediave të huaja, më shumë u referohen aspektit didaktik të luftës (mesazhet dhe mësimet që marrim), sesa aspektit emocional apo shijes së hidhur që këto katër ditët e fundit kanë krijuar tek miliona njerëz anemban globit. Duke mos e humbur kurrë shpresën për një Ukrainë të lirë, të fortë dhe sovrane, leksionet e deritanishme të kësaj lufte do t’i përmblidhja si më poshtë:

Ukraina është shtet komb

Në vitet kur jetoja në Evropë sa herë që dëgjoja emrin Ukrainë ato që më vinin në mendje ishin analogji të stilit Greqi-Qipro, Rumani-Moldavi, apo Shqipëri-Kosovë. Pra vetvetiu kujtoja se po bëhej fjalë për një shtet të pavarur i cili ndante të njëjtën kombësi me Rusinë. Mirëpo kur në SHBA mu dha mundësia të njoh njerëz nga Ukraina e kuptova sesa i gabuar kishte qenë besimi im. Shumë ukrainas që kam njohur (me apo pa të drejtë) nuk duan ta dëgjojnë emrin Rusi, e jo më të përdorësh dyshen Rusi-Ukrainë si diçka analogjike. Tani që kombi ukrainas po lufton me mish dhe me zemër për të ruajtur sovranitetin, jam i bindur se tek shumë njerëz në Evropë është bërë e qartë që ukrainasit kanë identitetin e tyre kombëtar dhe janë tepër krenarë për këtë.

Putini e hoqi maskën

Në vitet e ndërhyrjes së SHBA në Irak, të gjithë e mbajnë mend sesi Vladimir Putin iu bashkua Zhak Shirakut dhe gjithë atyre udhëheqësve të cilët këshillonin vetëpërmbajtje dhe mosshkelje të kufijve dhe ligjeve ndërkombëtare. Është i njëjti president i cili amerikanëve iu drejtua me një letër të hapur (A Plea For Caution From Russia, Vladimir Putin, New York Times 09/11/2013) ku pak a shumë u thoshte që fajin për gjërat që po ndodhnin në Siri e kishin terroristët islamikë dhe megjithë të metat e Asadit, SHBA duhet t’i largohej “veseve të këqija” si injorimi i kufijve apo shkelja e konventave ndërkombëtare. Ky Putin, i cili dikur i bënte mentorin Perëndimit, më njëzet e katër shkurt vendosi ta heqë maskën dhe, në vend se t’u bëjë moral për ligjin dhe drejtësinë ndërkombëtare (siç i bënte dikur Xhorxh Bushit dhe Barak Obamës), rusëve t’u tregojë përralla nga e kaluara, ku midis të tjerave u mohon ukrainasve identitetin kombëtar.

Shkaqet përse Putini i sotshëm e ndryshoi qëndrimin e tij nga Putini i dhjetë viteve më parë mund të lidhen me sukseset e ushtrisë ruse në Gjeorgji dhe Siri, me dobësimin e aleancës perëndimore këto njëzet vitet e fundit, por edhe me faktorë të tjerë brenda a jashtë Rusisë. Sidoqoftë, toni nervoz dhe përrallat e zgjedhura nga presidenti i Rusisë në një fjalim me të cilin ai i shpall sulm ushtarak Ukrainës, e zhbëjnë njëherë e përgjithmonë Putinin e dhjetë viteve më parë, njeriun pragmatist e racional që mundohet t’u qëndrojë besnik konventave ndërkombëtare. Putini i ri është një megaloman, një agresor, një mohues i vlerave perëndimore, mohues i identitetit ukrainas dhe i të drejtave që lidhen me këtë identitet. Cilado qoftë rrjedha e ngjarjeve në Ukrainë, maska e Vladimir Putinit ka rënë tashmë. Fjalët apo veprat e tij nuk do munden kurrë t’ia rivendosin maskën që mbante dikur.

Rusët nuk e duan luftën

Ndonëse në Shqipëri a gjetkë mund të ketë ende nga ata njerëz të cilët besojnë se megjithë të metat e Vladimir Putinit, Rusisë i janë kryer shumë padrejtësi nga Perëndimi dhe ndërhyrjet e saj në shtetet fqinje janë të justifikueshme, gjasat janë të mëdha që shumica e njerëzve në Rusi nuk mendojnë kështu. Unë nuk mbaj mend ndonjë libër historie ku të thuhet që rusët i kanë parë luftërat me entuziazëm. Nëse ndonjëherë më kanë rënë në sy foto me njerëz që shkojnë krejt të lumtur në luftë, këto janë foto të shkrepura në Evropën e fillimshekullit të 20të, jo në Rusi. Për këto dhe për shumë arsye të tjera më duken tepër të besueshme raportet e mediave perëndimore sipas të cilave në Rusi njerëzit janë duke protestuar kundra luftës dhe ata që nuk e bëjnë këtë ose kanë frikë nga regjimi i Putinit ose nuk e kanë një ide të qartë për atë që po ndodh në Ukrainë.

Bota po solidarizohet

Përveç protestave në Rusi, protesta po organizohen në çdo shtet të lirë të botës. Në këto protesta do të shikosh ukrainas, rusë, por edhe njerëz të çdo kombësie. Në alarm janë vënë edhe qeveritë që po sponsorizojnë rezistencën ukrainase, mirëpo është hera e parë që në luftë të shikojmë kaq kontribut privat, të shtyrë nga mjetet e reja të komunikacionit. Ia vlen të përmenden këtu ndërhyrja e Elon Musk për të aktiviziar shërbimin Starlink në Ukrainën e shkatërruar, por edhe ndërhyrja e hakerave Anonymous për të përhapur lajmet e luftës në Rusinë e manipuluar. Shumë nga këta njerëz që po i ofrojnë këto shërbime të rëndësishme Ukrainës janë të rinj në moshë (hakera pa emër, pa katandi, pa adresë) që nga cilado qoshe e globit vendosin të luftojnë telekomunikacionet dhe informatikën e regjimit të Vladimir Putinit. Është hera e parë që regjimi i Putinit të ketë provuar një agresion kibernetik të kësaj përmase dhe jam i sigurt që tani ky regjim po e kupton shumë mirë se luftën nuk e ka vetëm me Ukrainën, por e ka me një glob që informacionin e përdor dhe e përhap lirshëm.

Mediat sociale janë të dobishme

Atje ku të gjithë po mendonin për tu treguar më të rreptë me platformat e Facebook, Twitter, Instagram, TikTok, etj., për shkak të dëmeve që këto platforma sjellin në shpërndarjen e informacionit, në barazinë ekonomike dhe sidomos në shëndetin mendor e të rinjve, Volodimir Zelenski, stafi i tij dhe çdo luftëtar ukrainas na e treguan se këto dhe platforma të përngjashme kanë një gjë të mirë: të lidhin me një botë të tërë në momentin më të vështirë. Ndonëse mashtruesit, urrejtësit, kriminelët e çmendurakët do vazhdojnë të fusin duart e tyre në mediat sociale, liria e informacionit do t’u bëjë të mundur shumë të tjerëve të informohen dhe të arsyetojnë vetë. Do t’u bëjë të mundur, po ashtu, që në hall të munden të kërkojnë ndihmë dhe në disfatë të munden t’u japin mësim të tjerëve.

Gjermania po armatoset

Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri këto ditë deklaratën bombë që vendi i tij do të harxhojë rreth njëqind miliardë euro në vit për ushtrinë. Kjo përkthehet pak a shumë si dyfishim i shpenzimeve gjermane në sektorin e mbrojtjes. Nuk besoj se gjermanët u lumturuan shumë me këtë lajm, por koha ka ardhur që dikush t’u thotë gjermanëve dhe gjithë evropianëve që demokraci nuk do të thotë të mblëdhësh para dhe të bredhësh i lirë. Demokraci do të thotë të jesh aktiv si në politikëbërje, ashtu edhe në mbrojtjen e të drejtave të tua. Dhe nëse ti nuk bindesh për këtë, do të vijë dita kur dikush tjetër të vijë e të ushtrojë ligjin e vet mbi ty.

Zelenski është çifut

Ashtu si gjithë të frymëzuarit e tjerë me Volodimir Zelenskin, e vendosa edhe unë që t’ia lexoja biografinë në Wikipedia. Aty thuhet që Volodimir Zelenski vjen nga një familje çifute e cila në shtëpi përdorte gjuhën ruse. Nëse janë qind për qind të vërteta, këto informacione nga njëra anë e zhbëjnë retorikën e Vladimir Putinit sikur gjasme Ukrainën e sulmoi për ta pastruar nga nazistët dhe antirusët (përderisa udhëheqësi të cilin Putin po përndjek nuk kualifikohet as për njërën dhe as për tjetrën kategori) dhe nga ana tjetër shërbejnë si leksion i mirë për ata shqiptarë të cilët në çdo debat kafenesh dhe portalesh mundohen të diktojnë ndonjë çifut si konspiratorin e radhës. Nuk e di se kush e ushqen këtë antisemetizëm në Shqipëri. Nëse eshtë sjellja e Xhorxh Sorosit shkaku i këtij antisemetizmi (rishtar për shqiptarët), më duhet ta pranoj se ky i fundit në sytë e mi më shumë ngjan me një miliarder të llastuar amerikan, sesa me një jude të rëndomtë. Sakaq, Volodimir Zelenski nuk e ndan veten nga judeu i rëndomtë (ai është fotografuar me kësulën e bardhë në kokë, duke u lutur përbri rabinëve), por as nga ukrainasi i rëndomtë nuk e ndan veten.

Kur iu ofrua bursa për të studiuar në Izraelin e pasur, Volodimir Zelenski zgjodhi të rrinte dhe të studionte në Ukrainën e varfër. Kur amerikanët i ofruan shpëtimin nga Kievi, Volodimir Zelenski u kërkoi plumba për të luftuar. Me dyshim të madh e kam nëse antisemitët e kafeneve dhe portaleve shqiptare do të vepronin me kaq ndershmëri.

Racizmi është problem në Evropë

Dhe përshtypja e fundit nga kjo luftë ishte me padyshim mikpritja evropiane. Pothuajse të gjitha shtetet e BE shprehën gatishmërinë e tyre për të strehuar qindra mijëra ukrainas (anti-refugjati Boris Xhonson deklaroi që do të heqë regjimin e vizave për ukrainasit). Më bëri përshtypje kjo gjë sepse akoma e kam të gjallë në mendje dajakun që hëngrën sirianët dhe afganët në Serbi, Kroaci, Bullgari, Poloni, Hungari, etj. Janë akoma miliona refugjatë të Lindjes së Mesme të izoluar në Turqi dhe Ballkan, por edhe në ishujt e Greqisë dhe Italisë. Askush nuk e di se çfarë do të bëhet me ta, asnjë politikan në BE nuk guxon t’i përmendë. Akoma edhe një njeri modest dhe liberal si Emanuel Makron ua bëri të ditur Sofies dhe Athinës se çdo mur që mban refugjatët e Lindjes së Mesme jashtë BE është një mur i mirëpritur në Paris. Për pasojë, mikpritja e evropianëve në rastin ukrainas ishte edhe njëra nga surprizat e kësaj lufte.

Le të urojmë që ukrainasit ta mbajnë vendin e tyre të lirë, të fortë dhe sovran, pa qenë nevoja që të kërkojnë strehim në dyert e fqinjëve evropianë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.