Valerie Pecresse: Nuk ka vend për Turqinë në BE

Postuar në 01 Mars, 2022 10:09

Kandidatja e republikanëve të qendrës së djathtë për presidencën franceze, Valerie Pecresse, thotë se Turqisë nuk duhet t’i jepet asnjë shans për t’u bërë pjesë e BE-së.

E konsideruar si pretendentja kryesore kundër presidentit aktual Emmanuel Macron në zgjedhjet e prillit, Pecresse thotë në një intervistë për greken “Kathimerini” se Turqia nuk ka vend në Bashkimin Evropian dhe çdo ndihmë para-integruese që i jepet qeverisë së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan duhet të kundërshtohet.

Turqia e Rexhep Tajip Erdogan është nga njëra anë anëtare e aleancës së NATO-s me sytë nga BE dhe, nga ana tjetër, një faktor jostabiliteti në Mesdheun Lindor. Cila është qasja juaj për ndërveprimin e Evropës me vendin që shumë e përshkruajnë si një fqinj të vështirë?

Frikësimi i qeverisë turke nuk do të më bëjë përshtypje. Unë do të kundërshtoj integrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, procesi i të cilit vetëm është pezulluar dhe ndihma aktuale e para-anëtarësimit të së cilës duhet të vihet në pikëpyetje. Me mua si presidente, Franca do të jetë në vijën e parë në luftën kundër islamizmit dhe në favor të mbrojtjes së të drejtave të grave.

Si i qaseni projektit të një mbrojtjeje të përbashkët evropiane? Deri ku mund të shkojë integrimi evropian në këtë fushë?

Emmanuel Macron e thekson këtë temë si një nga sukseset e tij kryesore. Kredo e tij: “Mbrojtja e Evropës ka përparuar më shumë gjatë mandatit tim pesëvjeçar sesa në dekadat e mëparshme”. Por kjo nuk është e vërtetë! Përparimet e pakta të pamohueshme janë edhe zhgënjyese dhe larg konsolidimit me kalimin e kohës, por ato gjithashtu kompensohen kryesisht nga bllokimet apo edhe pengesat. Do të duhet një rishikim i qartë për të zgjedhur siç duhet atë që meriton të konsolidohet në 27-she, çfarë meriton të trajtohet brenda BE-së nëse është e mundur ose jashtë BE-së nëse kërkon më shumë fleksibilitet dhe çfarë duhet të rishikohet tërësisht në marrëveshjet e ndryshme të bashkëpunimit dypalësh jashtë BE-së. Ne duhet të lëvizim nga pozicioni i të mahniturit, të bindim partnerët në vend që t'i ligjërojmë dhe të favorizojmë fleksibilitetin për të qenë efektiv!

Si i shikoni zhvillimet në Ukrainë dhe cila mendoni se duhet të jetë strategjia e BE-së në këtë krizë?

Para së gjithash, nuk do të kisha të njëjtën diplomaci si Emmanuel Macron. Ai ka një diplomaci arrogante dhe të vetmuar. Gjithashtu, kur shoh Marine Le Pen dhe Eric Zemmour duke u rreshtuar vazhdimisht në krah të Rusisë, them se nuk është Franca në këmbë, por Franca në gjunjë. Sipas mendimit tim, nëse vërtet jemi aleatë – dhe jo vasalë – të Shteteve të Bashkuara, duhet të kemi një dialog real me Rusinë, jo një dialog nënshtrimi, por një dialog me një ekuilibër fuqie. Situata në Ukrainë na mëson se kur ky dialog nuk zhvillohet mjaft herët, nuk ushqehet sa duhet dhe nuk i parashikojmë krizat e mundshme, rrezikojmë të gjendemi në situata jashtëzakonisht të rënda, siç jemi sot. Sot nuk kemi diplomaci ndikuese, jemi shumë vetëm. Të bësh diplomaci do të thotë të kesh aleanca. Shembulli më i qartë është në nivelin e Bashkimit Evropian, ne nuk jemi në gjendje të mbrojmë interesat tona të përbashkëta: Është e vërtetë për energjinë bërthamore, industrinë e mbrojtjes, taksën e karbonit… Përballë krizës ukrainase, ne duhet të flasim me një zë duke i treguar [Vladimir Putinit] se qëndrimi evropian është i fortë dhe unanim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.