Fusha e minuar e sanksioneve

Postuar në 01 Mars, 2022 18:58
Gazmira Sokoli

 

Në janar të këtij viti, inteligjenca amerikane paralajmëroi për një sulm ushtarak rus në drejtim të Ukrainës, më 16 shkurt. Gabimi i vetëm në këtë parashikim ishte data. Sulmi rus ndodhi pak ditë pas 16 shkurtit, e megjithatë Perëndimi u gjet i papërgatitur dhe në një dilemë që vijon edhe disa ditë pasi trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë.

Perëndimi ka vendosur në kundërpërgjigjet me sanksione, me të cilat synohet dëmtimi i ekonomisë ruse. Por në epokën e globalizmit, sanksionet janë si të pështysh lart dhe të të kthehet në fytyrë.

Kjo reflektohet në mëdyshjen e madhe para se kërcënimet me sanksione të bëhen realitet.

Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, foli sot për një "luftë të gjithanshme ekonomike dhe financiare", që synon të rrëzojë sistemin financiar rus si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës.

Ne po bëjmë një luftë gjithëpërfshirëse ekonomike dhe financiare kundër Rusisë”, tha Le Maire për radion France Info. "Ne do të shkaktojmë kolapsin e ekonomisë ruse."

Por jo shumë pas kësaj deklarate, Le Maire iu drejtua agjencisë AFP, duke u shprehur se ishte keqinterpretuar dhe se termi "luftë" nuk lidhet me përpjekjet e Francës për të ulur tensionet rreth betejës në Ukrainë.

Ndërkohë, tre ditë pasi Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Britania ranë dakord për të nxjerrë nga sistemi SWIFT bankat ruse, nuk ka ende hapa konkretë. Një lëvizje e tillë do t’u hiqte bankave ruse mundësinë për të operuar globalisht.

SWIFT tha sot se po pret të shohë se cilat banka kanë zgjedhur autoritetet e këtyre vendeve për t’i shkëputur nga sistemi global i mesazheve financiare.

"Ne po angazhohemi me këto autoritete për të kuptuar se cilat subjekte do t'i nënshtrohen këtyre masave të reja dhe do t'i shkëputim ato pasi të marrim udhëzimet ligjore për ta bërë këtë", thuhet në njoftimin e SWIFT.

Bankat e përdorin SWIFT, një sistem me bazë në Belgjikë, për të dërguar çdo ditë miliona udhëzime pas të cilave qëndrojnë triliona dollarë pagesa çdo vit, që mbështesin tregtinë ndërkombëtare.

Frikën se mund të shkelin në “fushën e minuar” të sanksioneve nuk e kanë të gjithë. Meksika doli sot zyrtarisht kundër sanksioneve, duke e motivuar këtë vendim me dëshirën për “marrëdhënie të mira me të gjitha qeveritë në botë”.

Nuk mund të mos përmenden këtu lidhjet e kufizuara Rusi-Meksikë, për shkak të marrëdhënieve të forta që kjo e fundit ka me Rusinë.

Ndërkohë, Kina është e vetmja ekonomi e madhe që ka ende lidhje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Pavarësisht presionit ndërkombëtar, Pekini nuk ka ndryshuar qëndrim. Vetëm disa javë më parë, Kina nënshkroi me Rusinë një marrëveshje partneriteti "pa kufij", nga e cila mesa duket nuk është e lehtë të tërhiqet. Por për momentin, Pekini vijon ta shohë Moskën si partner strategjik afatgjatë, për të shmangur ndikimin global të Amerikës, pavarësisht se kjo qasje mund të mund të interpretohet si miratim i agresionit të Putinit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.