Gjykata e Parisit dënon gjigantin francez të farmaceutikës, Sanofi

Postuar në 05 Janar, 2022 15:18

Gjykata e Parisit i ka dhënë të drejtë një shoqate pacientësh, duke dënuar me dëmshpërblim gjigantin francez të farmaceutikës, Sanofi. Kjo e fundit u hodh në gjyq në vitin 2020, nga Shoqata e Prindërve të Fëmijëve që vuajnë nga Sindroma Antikonvulsant (Apesac).  

Ilaçi antiepileptik Depakine, i prodhuar nga Sanofi, mendohet të jetë bërë shkak për keqformimet dhe vonesat e zhvillimit te fëmijët, nënat e të cilëve e kanë marrë trajtimin gjatë shtatzënisë.

Gjykata e Parisit konkludoi se Sanofi ka "kryer një gabim duke mos përmbushur detyrimin e tij për vigjilencë dhe detyrimin për të informuar" në lidhje me rreziqet e ilaçit të tij Depakine për fetusin në rast se merret gjatë shtatzënisë, raporton "Le Monde".

Ky është rasti i parë që një kompani framaceutike e përmasave të tilla dënohet nga drejtësia.

Sipas Autoritetit Kombëtar Francez për Shëndetin (HAS), valproati i natriumit - përbërësi aktiv në Depakine, i tregtuar që nga viti 1967 - "çon në një rrezik në rritje" të çrregullimeve të zhvillimit cerebral (kognitiv, autik, të sjelljes) tek fëmijët e ekspozuar në mitër.

Për Agjencinë Kombëtare për Sigurinë e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (ANSM), fëmijët e ekspozuar gjatë shtatzënisë ndaj ilaçeve të bazuara në valproat ose derivatet e tij paraqesin gjithashtu " rrezik të lartë për keqformime kongjenitale". Për shkak të këtyre rreziqeve, kjo molekulë nuk u rekomandohet prej disa vitesh për "vajzave, adoleshentëve, grave në moshë riprodhuese dhe grave shtatzëna".

Sipas ANSM, valproati i natriumit është përgjegjës për keqformimet te 2 150 deri në 4 100 fëmijë dhe çrregullime neurozhvillimore në 16 600 deri në 30 400 fëmijë.

Gjykata ka miratuar një skemë kompensimi për të prekurit nga efektet anësore të medikamentit.

Sanofi është kompani farmaceutike shumëkombëshe me bazë në Paris. Në bazë të shitjeve, ajo renditet e pesta në botë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.