Kina përplaset me SHBA-në në hapësirë

Postuar në 28 Dhjetor, 2021 14:13

Gara SHBA-Kinë është zhvendosur prej kohësh edhe në hapësirë. Por një incident i fundit i ka acaruar marrëdhëniet edhe në këtë pikë. Pekini e akuzoi sot SHBA-në për sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në hapësirë ​​për shkak të dy “takimeve të afërta” mes stacionit hapësinor kinez dhe satelitëve të kompanisë Starlink të miliarderit amerikan, themeluesit të Tesla, Elon Musk.

Këtë muaj, qeveria kineze i dorëzoi agjencisë hapësinore të OKB-së një notë proteste, sipas të cilës stacioni i ri hapësinor kinez - Tiangong - u detyrua të kryente manovra emergjente për të shmangur përplasjen me satelitët e shërbimit të ardhshëm të Internetit Starlink në dy raste: në korrik dhe tetor të këtij viti.

Sipas qeverisë kineze, këto dy incidente kanë "vënë në rrezik jetën ose shëndetin e astronautëve në bordin e Stacionit Hapësinor Kinez".

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, tha sërish sot se "Shtetet e Bashkuara ... i injorojnë detyrimet e tyre sipas traktateve ndërkombëtare, duke paraqitur një kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e astronautëve".

Starlink, divizion i kompanisë SpaceX të Musk, operon një plejadë prej rreth 2000 satelitësh që synojnë të ofrojnë akses në internet në nivel global. SpaceX është kompani private, por Kina deklaron në notën e saj se anëtarët e Traktatit të Hapësirës së Jashtme - themeli i ligjit ndërkombëtar të hapësirës - janë përgjegjës për veprimet e enteve të tyre joqeveritare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.