Schmidt: Bosnja rrezikon të shpërbëhet

Postuar në 02 Nëntor, 2021 15:08

Përfaqësuesi kryesor i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje paralajmëron se vendi është në rrezik shpërbërjeje dhe se ekziston një perspektivë "shumë reale" e rikthimit në konflikt.

Në një raportim për OKB-në, për të cilin Guardian ka dijeni, Christian Schmidt, përfaqësuesi i lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën, shprehet se, nëse separatistët serbë e vënë në zbatim kërcënimin për të rikrijuar ushtrinë e tyre, duke ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh, do të nevojiten më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë për të ndaluar nisjen e një lufte të re.

Aktualisht në Bosnje janë në detyrë 700 trupa paqeruajtëse ndërkombëtare (EUFOR). NATO-ja ka një seli në Sarajevë. Mandati njëvjeçar për të dyja do të rinovohet këtë javë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por Rusia ka kërcënuar të bllokojë një rezolutë nëse të gjitha referencat ndaj përfaqësuesit të lartë nuk hiqen, duke minuar potencialisht autoritetin e Schmidt si mbikëqyrës i marrëveshjes së paqes të Dejtonit të vitit 1995.

Në raportin e tij të parë që nga gushti kur ka marrë detyrën, Schmidt, ish-ministër i qeverisë gjermane, paralajmëroi se Bosnja po përballet me "kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës".

Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, kërcënon të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë ushtrinë kombëtare të ngritur me ndihmën ndërkombëtare gjatë çerek shekullit të kaluar, dhe të rindërtojë një forcë serbe. Më 14 tetor, Dodik deklaroi se do të detyronte ushtrinë boshnjake të tërhiqej nga Republika Srpska (gjysma serbe e Bosnjës) duke rrethuar kazermat e saj dhe se nëse Perëndimi do të përpiqej të ndërhynte ushtarakisht, ai ka "miq" që kanë premtuar të mbështesin kauzën serbe, një referencë e supozuar për Serbinë dhe Rusinë.

Policia serbe e Bosnjës kreu stërvitje "kundërterroriste" muajin e kaluar në malin Jahorina, nga ku forcat serbe bombarduan Sarajevën gjatë një rrethimi të viteve 1992-‘95.

"Është njësoj me shkëputjen, por pa e shpallur atë," thotë Schmidt në raportin që i ka dorëzuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të premten. Ai shprehet se veprimet e Dodik "rrezikojnë jo vetëm paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, por - nëse nuk ka përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar - mund të çojnë në prishjen e vetë marrëveshjes së Dejtonit".

Përfaqësuesi i lartë lë të hapur mundësinë e një përplasjeje mes agjencive kombëtare të zbatimit të ligjit boshnjak dhe policisë serbe të Bosnjës.

"Nëse forca e armatosur e Bosnjes dhe Hercegovinës ndahet në dy ose më shumë ushtri, niveli i pranisë ushtarake ndërkombëtare do të kërkonte rivlerësim", paralajmëron Schmidt.

"Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikonte marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa paqëndrueshmëria në BiH do të kishte implikime më të gjera rajonale," tha ai. "Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale."

Schmidt-i i dorëzoi paralajmërimet e tij ndërsa këshilli i sigurisë i OKB-së po përgatiste rezolutën vjetore për rinovimin e mandatit paqeruajtës për EUFOR-in dhe selinë e NATO-s, ndërsa votimi është parashikuar për të mërkurën. Moska kërcënon të bllokojë rezolutën nëse nuk hiqen të gjitha referencat për përfaqësuesin e lartë.

Kremlini kundërshtoi emërimin e Schmidt nga një Këshill për Zbatimin e Paqes, një organ ad hoc shumëkombësh i krijuar për të zbatuar marrëveshjen e paqes të Dejtonit dhe refuzon të njohë autoritetin e tij.

"Unë dyshoj se ajo që Rusia dëshiron në të vërtetë është të heqë dorë nga autoriteti i zyrës së përfaqësuesit të lartë duke e ndaluar atë të informojë këshillin", citon "The Guardian" një diplomat që ka dijeni për diskutimet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.