Gol 34 miliardë euro Francës në Australi

Postuar në 19 Shtator, 2021 23:25

Ajo që ka ndodhur së fundmi mes Francës nga njëra anë dhe ShBA, Britani e Madhe, Australi nga ana tjetër është dëshmia më e fundit se Perëndimi tashmë është rikthyer në parimet e Realpolitikës dhe ekuilibrit të forcës të cilin e sfidoi prej gati 50 vjetësh me parimet e liberalizmit dhe të drejtave. 

Balona e vëmendjes është armiku i ri, Kina, por në fakt irritimi i Francës nuk është me natyrë gjeopolitike, por strikt monetare, ose deri diku edhe ekonomike. Por edhe politike, sepse kësaj radhe ia kanë kaluar shumë në cinizëm, fushë e preferuar e saj.

Nëse i besojmë gazetës italiane, “Corriere della Sera”, AUKUS, pakti trilateral anglo-sakson i ka hedhur në erë Francës një kontratë prej 34 miliardë eurosh.

Më 20 dhjetor 2016, Franca firmosi një marrëveshje me Canberrën për furnizimin me 12 nëndetëse bërthamore të klasit Shortfin Barrakuda. Marrëveshja u firmos nga socialistët e Holande me kryeministrin australian Malcolm Turnbull, duke fituar mbi atë që gazeta e quan konkurenca gjermane dhe japoneze. Me paktin në fjalë u hap mundësia për 4000 vende të reja pune në kantierët e Cherbourg, duke krijuar përmbi të gjitha një aleancë historike me Australinë me të cilën u ra dakord për të punuar së bashku për 50 vjet në zonën indo-paqësore, term i përdorur nga presidenti Macron dhe që përmbledh hapësirën nga Xhibuti, në ishujt Majote dhe Reunion në Oqeanin Indian, deri në Kaledoninë e Re dhe Polinezinë franceze në Paqësor. Një zonë ku jetojnë gati 2 milionë francezë me një zonë ekonomike ekskluzive prej 11 milionë km2, e dyta në botë pas asaj të ShBA. Siç shihet Macronit i pëlqen të mendojë “alla grande”.

Pakti vinte pas shitjes në vitin 2015 të avionëve Rafale Indisë, duke afirmuar një pozicion të mirë për Parisin. 

U arrit deri aty sa shoqëria Naval Group ku aksioner kryesor është shteti francez nisi modifikimin e nëndetëseve duke hequr reaktorin bërthamor dhe zëvendësuar me motorr dizel për shkak të kufizimeve për lëvizje nga Zelanda e Re. 
 
Me ardhjen e Biden dhe vendosjen e prioritetit absolut strategjik në Azi, interesi amerikan që ka për shënjestër Kinën do të hidhte sytë nga Australia. Duke i ofruar kësaj nëndetëset e veta dhe një aleancë të gjerë strategjike. Tek oferta e  nëndetëseve janë shtuar edhe raketat Tomahawk. E gjitha e studiuar për 18 muaj, njoftuar vetëm 4 ditë më parë nën heshtjen e të gjithëve. Edhe të Australisë që më 30 gusht mori pjesë në takimin ndërministror me Francën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Arsyetimi mbetet megjithatë i gëlltitshëm: Australinë vetëm ShBA mund ta mbrojë nga agresiviteti i Kinës që ka vendosur politikë proteksionizmi ndaj Australisë.

Pas dështimit me Turqinë, në Libi, Liban, Franca merr një tjetër shuplakë. Por kësaj radhe kjo shuplakë do të reflektohet në domosdoshmërinë e rikonceptimit të vetë Europës që është përfundimisht një bllok më vete interesash nga bota atlantike. Siç ka qenë me shekuj, ato shekuj që i dhanë asaj interesin për të parë te kontinenti dhe Rusia një aleat dhe jo një rival siç e keqkuptoi këtë marrëdhënie shekulli i 20-të.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.