Si lulëzoi biznesi i opiumit gjatë pushtimit amerikan në Afganistan

Postuar në 21 Gusht, 2021 18:04

Para se SHBA të hynte në Afganistan në vitin 2001, rreth 82 mijë hektarë kultivoheshin me lulekuqe, bima nga e cila prodhohet opiumi, i cili mund të shndërrohet në heroinë dhe opiate të tjera. Sipas OKB-së, sipërfaqja që kultivohet aktualisht është rreth 224 000 hektarë, pra pothuajse është trefishuar.

Sipas OKB-së, kjo shifër është rritur me 37 për qind nga viti 2019. SHBA-ja shpenzoi 8 miliardë dollarë në përpjekje për ta ndaluar kultivimin e lulëkuqes në Afganistan, por përfundimi ishte tjetër: ajo u bë prodhimi më fitimprurës që gjeneronte vendi. Afganistani ka aktualisht 82 për qind të furnizimit botëror, sipas OKB-së.

Ashtu si përpjekjet e tjera të SHBA në Afganistan (dhe, veçmas, lufta kundër drogës), lufta kundër lulekuqes është një dështim i plotë. Pentagoni jo vetëm që nuk arriti të zhdukte bimën nga e cila prodhohet droga, por krijoi kushtet perfekte që ajo të lulëzonte. Arsyet pse ndodhi kjo gjenden në dhjetëra raporte që Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet dhe Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit kanë hartuar specifikisht mbi këtë çështje.

Lufta krijoi kushtet perfekte për kultivimin e lulekuqes. Lulëkuqja është bimë vizualisht unike që kërkon shumë tokë, dhe gjatë përpunimit për konsum ose transportit lëshon një erë të veçantë. Është e vështirë të fshihet. "Paqëndrueshmëria që rezulton nga një pushtim i huaj nxit mjedisin e nevojshëm për të prodhuar opium," thotë Dan Grazier, ish-kapiten i Trupave të Marinës që shërbeu në Afganistan dhe Irak dhe Anëtar Ushtarak në Projektin për Mbikëqyrjen e Qeverisë.

"Për të prodhuar opium në sasi fitimprurëse duhet ose një qeveri vërtet joefektive ose duhet të paguash shumë njerëz për të punuar pa të shqetësuar. Pushtimi ynë krijoi kushte për të dyja këto. Ne destabilizuam qeverinë dhe derdhëm miliarda dollarë në vend. Kishte shumë kesh për të paguar njerëzit që prodhuesit duhej t’i paguanin", citohet ai nga VICE.

Sipas një studimi të SIGAR të vitit 2018 mbi kultivimin e lulekuqes në Afganistan, si shumë çështje të tjera në Afganistan, strategjia mbi mënyrën si duhej trajtuar kultivimi I lulëkuqes ndryshoi vazhdimisht. "Analiza jonë zbulon se asnjë program kundër narkotikëve nuk çoi në ulje të qëndrueshme të kultivimit të lulekuqes ose prodhimit të opiumit," thotë SIGAR.

Kultivimi i lulekuqes shpërtheu pas pushtimit dhe u kthye në biznes fitimprurës për afganët. Sipas SIGAR, deri në vitin 2017 "vetëm kultivimi i lulekuqes siguronte deri në 590 000 vende pune me kohë të plotë, më shumë se numri i njerëzve të punësuar nga Forcat Kombëtare Afgane të Mbrojtjes dhe Sigurisë".

Kushtet në SHBA dhe Evropë hodhën bazat për një kërkesë të jashtëzakonshme për opium. Shitja e lulëzuar e opiateve si hidrokodoni, fentanili dhe oksikontina krijuan klientë të rinj të opiumit. Nëse dikush blen heroinë në Rusi ose Evropë, ka shumë gjasa që origjina e saj të jetë pikërisht Afganistani. SIGAR vlerësoi se 90 për qind e heroinës së kapur në Kanada vinte nga lulekuqet afgane.

Disa vjet pasi SHBA hyri në Afganistan, nismat e saj kundër drogës zbuluan se shumë prej aleatëve të saj afganë ishin të përfshirë në tregti. Ata fionin aq shumë saqë nuk u leverdiste të punonin me amerikanët për të eliminuar bimën. Në vitin 2005, DEA amerikane kapi 9 tonë opium në ndërtesën e guvernatorit të provincës Helmand.

Përpjekjet e mëvonshme të Pentagonit për të dëmtuar fushat me lulëkuqe nga ajri I tensionuan marrëdhëniet mes aleatëve dhe forcave afgane.

Administrata Obama ndoqi një strategji tjetër, më të butë. Ajo u ofroi fermerëve ndihmë që në vend të lulëkuqes të kultivonin bimë të tjera si grurë apo sojë. Edhe kjo dështoi.

Opiumi është një lëndë shumë e kërkuar dhe ata që kontrollojnë kultivimin e tij fitojnë shumë. Kjo bimë është një mënyrë për t’iu arratisur varfërisë në Afganistan.

Por nga ana tjetër, nuk ka pasur një strategji koherente për eliminimin e kësaj bime që në krye të herës.   

Ndërsa trupat amerikane filluan të largoheshin, DEA dhe partnerët ndërkombëtarë filluan të humbnin interesin për luftën kundër narkotikëve në vend. Lufta e Amerikës në Afganistan ishte një tragjedi që krijoi kushtet perfekte për një shpërthim në prodhimin e opiumit.

E ardhmja e lulekuqes në Afganistan nuk dihet. Duke kërkuar normalizim të marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës në vitin 2000, talebanët ndaluan kultivimin e plotë të bimës. Ashtu si kur SHBA hynë në luftë kundër lulekuqes, talebanët u përballën me kundërshtimin e fermerëve afganë pas ndalimit. Gjithashtu, gjatë njëzet viteve të pushtimit amerikan, talebanët e kuptuan se vlerën e drogës si një mjet për fitim të shpejtë dhe se ndalimi i saj do të dëmtojë banorët e zonave rurale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.