Kombndërtimi në Afganistan u pa si një lojë Lego

Postuar në 17 Gusht, 2021 13:47
Simon Jenkins

 

Rënia e Kabulit ishte e pashmangshme. Shënon fundin e një fantazie perëndimore post-imperiale. E megjithatë reagimi i Perëndimit nuk është i besueshëm. Vëri emrin që do; katastrofë, poshtërim, një gabim katastrofik. I shkon. Të gjitha tërheqjet e perandorive janë të rrëmujshme. Kjo e tanishmja mori 20 vjet, por të paktën fundi ishte i shpejtë.

SHBA nuk kishte nevojë të pushtonte Afganistanin. Ky vend nuk ka qenë kurrë një “shtet terrorist” si Libia apo Irani. Nuk ishte në luftë me SHBA: në të vërtetë SHBA e ka ndihmuar atë kundër rusëve në vitin 1996. Talebanët kishin strehuar Osama bin Laden në strofullën e tij malore për shkak të miqësisë së tij me liderin taleban, Mullah Omar. Në një takim në një asamble të madhe menjëherë pas 11 shtatorit, mbajtur në qytetin jugor të Kandaharit, liderë të rinj i bënë presion mullahut që ta dëbonte Bin Ladenin. Herët apo vonë, Pakistani do të kishte detyruar dorëzimin e tij me forcë. Pas pushtimit të vitit 2001 sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld kërkoi që George Bush “të ndëshkonte dhe të largohej”.

Por as Bush dhe as Tony Blair nuk dëgjuan. Në fakt atyre u hipi gjaku në kokë. Urdhëruan NATO-n, që nuk humbiste gjë në këtë lojë, dhe nisën “komb – ndërtimin”, njësoj sikur po luanin me Lego. Politologu Joseph Nye tha se kishte për të qenë epoka e një “hegjemonie të kadifejtë”. Për arsye që nuk u shpeguan kurrë, Blair shpalli një doktrinë “të komunitetit ndërkombëtar” dhe u lut që Britania të ishte e para që hidhte bombat mbi Kabul. Ai dërgoi mandej Clare Short si ministër për Zhvillimin Ndërkombëtar për të ndalur që afganët të kultivonin lulëkuqe. Prodhimi afgan i lulëkuqeve arriti kulmin, duke u përhapur nga gjashtë në 28 provinca, me gjasë prodhimi bujqësor më i suksesshëm britanik i të gjitha kohërave. Opiumi ktheu talebanët sërish në pushtet.

Kur vizitova Kabulin më 2006, nuk kisha dëgjuar asgjë tjetër veç mburrjeve për atë që dukej tashmë një sipërmarrje e dënuar. Një ushtri britanike prej 3 400 vullnetarësh për të shtypur rebelët kryengritës talebanë në Helmand. Sekretari i Mbrojtjes John Reid premtoi se kishte vetëm “mbetje” të Talibanit dhe se “nuk kishte nevojë për asnjë të shtënë”. Gjenerali i tij, David Richards, tha se do të ishte thjesht “një tjetër Malaja”. Shtatë vjet më vonë, trupat britanike u larguan të mundur dhe amerikanët hynë për t’u mundur sërish. Pashtunët e zonës janë mjeshtra në poshtërimin e fuqive të huaja.

Nga atëherë tërheqja ishte vetëm çështje kohe. Ajo çfarë po ngjet tani është e tmerrshme. 20 vjet varësi nga taksapaguesit e pasur perëndimorë do të thotë tani që ushtarët, përkthyesit, gazetarët, akademikët dhe punëtorët e ndihmës po shohin miqtë e tyre të kërcënuar dhe të vrarë. Vite ndihme dhe stërvitjeje janë në rrezik. Trilioni i përfolur i dollarëve amerikane iku kot. Vetë Britania ka harxhuar 37 miliardë stërlina.

Sa herë duhet të përsëritet në kokat e britanikëve se Perandoria Britanike ka marrë fund? Ka vdekur, mbaruar, vjetëruar, nuk përsëritet më. E sërish, Boris Johnson sapo ka dërguar një aeroplanmbajtëse në detin e Kinës Jugore. Britania nuk ka nevojë, lëre më të drejtë, të sundojë vende të tjera “ta bëjë botën një vend më të mirë”. Asnjë ushtar nuk duhet të vdesë për këtë, lëre më 454 ushtarë dhe civilë britanikë në Afganistan. Më e mira që mund të bëjë Britania është të krijojë marrëdhënie të mira me një regjim të ri në Afganistan – në ndërveprim me fqinjët e tij si Pakistani dhe Irani – për të mbrojtur të paktën disa prej të mirave që u përpoq të bëheshin këto 20 vjet të shkuara. Bota nuk po e kërcënon Britaninë. Terrorizmi nuk ka nevojë për sponsorizues shtetërorë, as do të marrë fund me pushtim shtetesh.

Burimi: The Guardian

Përkthimi: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.