Etika e shkencës, dorëhiqet një pjesë e bordit të revistës që botoi studime mbi ujgurët

Postuar në 06 Gusht, 2021 16:14

Tetë anëtarë të bordit të revistës shkencore “Molecular Genetics & Genomic Medicine” kanë dhënë dorëheqjen pas botimit të disa studimeve që ata pretendojnë se mund të përdoren për profilizimin e ADN-së dhe persekutimin e pakicave etnike në Kinë.

Polemikat sa u takojnë kërkimeve etnike nuk janë diçka e re në komunitetin shkencor. Rasti konkret ka të bëjë me kërkime mbi tibetianët dhe ujgurët, midis grupeve të tjera etnike. Revista botohet nga Wiley, një kompani shumëkombëshe me seli në New Jersey që është një nga botuesit kryesorë shkencorë në botë.

Studimet që përfshijnë profilizimin e ADN-së, njohjen e fytyrës dhe transplantimin e organeve kanë ndezur polemika në revista të tjera, por kjo është hera e parë që kaq shumë anëtarë të bordit të një reviste - tetë nga 25 të tillë – japin dorëheqjen lidhur me debate të tilla.

Sipas “The Intercept”, dorëheqjet erdhën pasi kryeredaktorja e revistës, Suzanne Hart, nuk iu përgjigj në kohë pyetjeve në lidhje me punimet që përfshinin kërkime mbi pakicat e persekutuara, si tibetianët dhe ujgurët. I pari që paraqiti ankesë për punimet shkencore ishte Yves Moreau, një bioinformaticien në Universitetin e Leuvenit, Belgjikë.

Ai ka drejtuar një fushatë të palodhur për t'i detyruar revistat të tërheqin studime  që bien në kundërshtim me etikën.

Për vite me radhë, shkencëtarët kanë shprehur shqetësim në lidhje me kërkimet e ADN-së të mbledhura për bazat e të dhënave mjeko-ligjore, të cilat përdoren nga policia në hetimet penale. Përveç shqetësimeve për profilizimin, shkencëtarët kanë ngritur edhe shqetësimin se ADN-ja mund të mblidhet nga pakicat etnike pa pëlqimin e tyre. Ky është rasti i ujgurëve në Kinë dhe romëve në Evropën Lindore.

Në SHBA, pabarazitë racore në burg - një numër disproporcional i njerëzve me ngjyrë dhe latinëve e përbëjnë këtë komunitet - janë përkthyer në mbledhjen joproporcionale të ADN-së nga këto grupe etnike.

Moreau e ngriti për herë të parë shqetësimin e tij në lidhje me profilizimin e ADN-së në vitin 2015, kur Kuvajti planifikoi të mblidhte ADN-në e të gjithë qytetarëve, banorëve dhe vizitorëve. Falë përpjekjeve të tij dhe të tjerëve, vendimi u anulua një vit më pas. Por Moreau nuk është ndalur që atëherë dhe vijon të ngulë këmbë se shkenca dhe inteligjenca artificiale mund të përdoren për autoritarizëm të mëtejshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.