Luksemburgu gjobit me 887 milionë $ Amazon

Postuar në 30 Korrik, 2021 18:40

Plot 887 milionë dollarë është gjoba që Luksemburgu i ka vënë gjigantit të shitjeve online, Amazon. Vendi me popullsi më të vogël se Tirana e ka kapur “mat” kompaninë e tregtisë online te zbatimi i Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), në zbatim në BE që nga 25 maji 2018.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania e Jeff Bezos.

“Vendimi në lidhje me mënyrën sesi e shfaqim ne reklamën për klientët bazohet në interpretime subjektive dhe të pashembullta të legjislacionit evropian të privatësisë dhe sanksioni i propozuar është plotësisht joproporcional edhe me këtë interpretim”, thuhet në njoftim.

Në një prononcim për Wall Street Journal, zyrtarë të Amazon ngulën këmbë për disproporcionin e gjobës me interpretimin mbi shkeljen. Rregullorja e Bashkimit Europian për mbrojtjen e të dhënave parashikon gjoba deri në 4% të të ardhurave të kompanisë. Gjoba korrespondon me 4.2% të 21.3 miliardë dollarëve të raportuara për vitin 2020.

E konvertuar në euro, gjoba që duhet t’i paguajë Amazon Luksemburgut është 746 milionë, çka e bën atë gjobën më të madhe që është vënë ndonjëherë në zbatim të GDPR.

Komisioni Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave nuk e ka publikuar ende vendimin, ndërsa Amazon nuk specifikon në njoftim se cilat praktika janë ndëshkuar me gjobë.

Luksemburgu ndjek shembullin e Francës, e cila në 2020 ka gjobitur Amazon me 35 milionë euro dhe Google me 100 milionë për shkeljen e të njëjtës rregullore.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.