Levanti i ri - një manovër për rehabilitimin e Sirisë*

Postuar në 08 Korrik, 2021 02:01
Katherine Harvey/Bruce Riedel

 

Në muajin prill, lajmet se Iraku po ndërmjetësonte mes rivalëve të vjetër, Arabisë Saudite dhe Iranit, tërhoqi vëmendjen e vëzhguesve të Lindjes së Mesme. Roli i ri i Irakut si një ndërmjetës për Arabinë Saudite, vjen ndërkohë që sauditët kanë marrë hapa konkretë në vitet e fundit për ndërtimin e një marrëdhënieje domethënëse me fqinjin e tyre verior, siç është rihapja nëntorin e kaluar të kufirit, për herë të parë që nga viti 1990. E megjithatë, ndërsa marrëdhënia mes sauditëve dhe Irakut ka rëndësi, ky i fundit ka vepruar paralelisht duke krijuar një partneritet rajonal me dy vende të tjera arabe: Egjiptin dhe Jordaninë. Bagdadi organizoi një samit në qershorin e kaluar ku mori pjesë presidenti egjiptian, Abdel-Fattah el-Sissi dhe mbreti jordanez, Abdullah II. Ishte hera e katërt që liderët e tre vendeve u takuan së bashku në mars 2019 dhe e para herë në territorin iraken. Ishte po ashtu vizita e parë nga një president egjiptian në Irak në më shumë se 30 vjet.

Në pamje të parë, një partneritet që bën bashkë Egjiptin, Irakun dhe Jordaninë duket i çuditshëm. Një komentator e quajti jo pa arsye atë një aleancë të miqve të çuditshëm. Megjithatë, Iraku ka patur historikisht marrëdhënie të rëndësishme ekonomike si me Egjiptin, ashtu edhe Jordaninë dhe në fakt të tre vendet – së bashku me Jemenin e Veriut – u bënë bashkë në një partneritet shumë të shkurtër të quajtur Këshilli i Bashkëpunimit Arab që zgjati nga 1989 në 1990. Sot, njësoj si 30 vjet më parë, bashkëpunimi ekonomik qëndron në zemër të marrëdhënies tripalëshe. Por atëherë dhe tani ai ka patur edhe synime strategjike. Dhe në planin afatgjatë, partneriteti i ri njofton potencialisht një projekt shumë më ambicioz që bën bashkë jo vetëm Egjiptin, Irakun dhe Jordaninë, por edhe vendet e Levantit më në tërësi.

Pas në të ardhmen

Lidhjet e ngushta ekonomike të Egjiptit dhe Jordanisë datojnë në vitet ’80, gjatë luftës Iran-Irak. Jordania u bë baza jetike ekonomike për Irakun në atë kohë, duke shërbyer si një kanal importesh dhe eksportesh në naftës përmes portit të Akabas. Jordania përfitoi shumicën e naftës irakene të nënkontraktuar gjerësisht. Mbreti Husein ishte aleati më i ngushtë i diktatorit iraken Sadam Husein në atë kohë, duke e vizituar shpesh Bagdadin gjatë luftës. Egjipti ndërkohë pati mbi 1 milionë qytetarë të vet në Irak që shkuan aty gjatë viteve ’80 për të plotësuar vendet bosh të punës, të krijuara nga mobilizimi ushtarak iraken – kështu që Iraku ishte një burim i madh remitancash për Egjiptin.

Shpejt, pas përfundimit të luftës, të treja vendet, të cilave iu bashkua Jemeni i Veriut, formuan Këshillin e Bashkëpunimit Arab. Secili prej tyre kishte një motiv politik për të krijuar paktin. Të gjithë donin aleatë për të balancuar kundër Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, aleanca e drejtuar nga sauditët, e përbërë nga gjashtë monarkitë e Gjirit Persik. Sadam  Husein u detyrohej sauditëve miliarda dollarë në kredi lufte, ndërkohë që Amani dhe Sana kishte shqetësime afatgjata për ekspansionin saudit dhe ndërhyrjen në punët e tyre të brendshme.

Megjithatë bashkëpunimi ekonomik formoi një shtyllë qendrore në atë formacion. Këshilli u ideua si një mekanizëm për rritjen e tregëtisë mes vendeve anëtare si dhe për të lehtësuar lëvizjen e krahut të punës, sidomos nga Egjipti në Jordani dhe Irak.

Këshilli sapo kishte nisur kur ui shpërbë për shkak të pushtimit në gusht të vitit 1990 të Kuvajtit nga Saddam Hussein. Por edhe gjatë viteve ’90, ndërkohë që Iraku përballej me sanksionet e rënda ndërkombëtare kundër regjimit, tregëtia mes tij dhe Egjiptit dhe Jordanisë, vazhdoi. Iraku vazhdoi të ishte tregu i dytë i eksporteve egjiptiane nën Programin e OKB-së, Naftë për Ushqim. Jordania mbeti e varur nga nafta irakene, që vijoi ta merrte me miratimin e SHBA. Mbreti Husein u prish fare pa dëshirë me mikun e tij të vjetër Sadam kur Washingtoni pranoi të njihte Jordaninë si një aleate të ngushtë.

Nuk është çudi pra që Egjipti dhe Jordania ishin mes vendeve të para arabe që ndërtuan lidhje me Irakun e ri që pasoi pushtimin amerikan të vitit 2003. Në vitin 2005, kryeministri i atëhershëm jordanez, Adnan Badran, u bë zyrtari më i lartë arab që vizitonte Irakun që nga pushtimi; tre vjet më vonë Abdullahu ishte i pari kryetar arab shteti që kryente vizitë. Egjipti dhe Iraku rivendosën lidhjet tregëtare në vitin 2004. Një vit më pas, Kajro dërgoi një ambasador në Bagdad, ndonëse diplomati egjiptian u vra tragjikisht nga Al-Qaida, pak javë pas mbërritjes së tij. Ambasada jordaneze në Bagdad ishte gjithashtu mes shënjestrave të para të al-Qaida-s në Irak.

Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike të Irakut me Egjiptin dhe Jordaninë, u pengua nga lufta civile sketare e viteve ‘2000 dhe ngritja e Shtetit Islamik në vitet ‘2010. Por në vitet e fundit, të trija vendet kanë ndërmarrë hapa domethënës për rindërtimin e lidhjeve ekonomike. Në vitin 2017, Egjipti nisi të merrte naftë nga Iraku, pasi u ndërprenë furnizimet nga Arabia Saudite. Jordania nisi të furnizohej me naftë nga Iraku në vitin 2019. Të paktën që nga viti 2017, të trija vendet kanë paraprirë me një projekt të përbashkët energjetik që lidh fushat naftëmbajtëse të Irakut në Basra me Akaban, përmes një naftësjellësi që mund të zgjatet më tej drejt Egjiptit. Ndërkohë, Iraku ka hedhur sytë nga kompanitë egjiptiane dhe jordaneze për projektete masive të rindërtimit që duhen për të rimarrë veten pas katër dekadave luftë. Ka po ashtu plane për lidhjen e Irakut me Jordaninë dhe impiantet elektrike të Egjiptit për të reduktuar varësinë nga elektriciteti i importuar nga Irani.

Megjithatë të tri këto vende kanë mungesë likuiditeti – një sfidë e madhe kjo për ambiciet e tyre. Në fund të vitit të shkuar, Egjipti dhe Iraku ranë dakord efektivisht që të tregëtojnë naftën irakene në këmbim të asistencës egjiptiane për rindërtimin. Në planin afatgjatë, të trija vendet do të kenë nevojë të kërkojnë përtej vetes për financime.

Ndërkohë që Iraku po i drejtohet zgjedhjeve këtë vjeshtë, shumica e liderëve të tij duken entuziastë për premtimin e partneritetit ekonomik. Diskutimet për projektin kishin nisur gjatë kohës së drejtimit të kryeministrit Haider al-Abadi. Pas tij, Adel Abdul-Mahdi, në udhëtimin e tij të parë jashtë si kryeministër në mars të vitit 2019, mori pjesë në samitin e parë trilateral në Kajro. Presidenti Barham Salih u takua me el-Sissin dhe mbretin Abdullah në New York, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2019. Kryeministri i tanishëm Mustafa al-Kadhimi drejtoi pritjen e Irakut të samitit të tretë në Aman në gusht të vitit 2020.

Një Levant i ri?

Bashkëpunimi ekonomik është motorri pas formacioni, por sikurse në vitin 1989, secili nga të tre ka një incentivë politike për t’u bërë bashkë. Iraku do të diversifikojë marrëdhënien e vet rajonale përtej Iranit – ndonëse është e rëndësishme të theksohet se Bagdadi nuk synon të zhvillojë marrëdhëniet e tij me fqinjët arabë në kurriz të marrëdhënies së tij me Teheranin. Iraku do marrëdhënie miqësore me të gjithë. Iranianët nga ana e tyre, mundet ta shohin pozitivisht bashkëpunimin ekonomik të Irakut me Egjiptin dhe Jordaninë – nëse pas perdes edhe ata do të jenë të aftë të përfitojnë ekonomikisht. Në të kundërt, nëse Egjipti dhe Jordania dhe meqë ra fjala SHBA, do të kërkojnë ta përdorin grupimin si mënyrë për të izoluar Iranin, Teherani padyshim që do të mbjellë probleme. Shkalla deri ku Irani do të lejohet të përfitojë do të varet në fund të fundit nga rezultati i negociatave të tij me administratën Biden.

Egjipti, Jordania, ndërkohë, duan të reduktojnë varësinë e tyre nga Arabia Saudite. Për Jordaninë kjo është veçanërisht kritike pas raportimeve që flisnin për përfshirjen e sauditëve në një komplot të fundit për të destabilizuar vendin dhe zëvendësimin e mbretit Abdullah me ish-princin e kurorës, Hamza.  Formacioni i ri do t’i jepte Jordanisë, sikundër Egjiptit dhe Irakut, një mundësi më të madhe vis – a –vis me Arabinë Saudite dhe vendeve të tjera të Gjirit.

Por objektivi më domethënës, ndonëse ende i nënkuptuar, mund të jetë sigurimi i mjeteve dhe rrugëve që në planin afatgjatë të rehabilitohet Siria. Liderët nga të trija vendet kanë nisur ta quajnë grupimin e ri – Levanti i ri – ose “al-Sham al – Jadid” në arabisht. Sham është një referencë për qytetin e Damaskut dhe më gjerë për Sirinë dhe Levantin. Me përkufizim, nuk mund të ketë një “Sham të ri” pa Sirinë. Ndoshta dhe jo papritur, Egjipti, Iraku dhe Jordania kanë lënë të merret vesh se partneriteti në bllokun e tyre të ri do të hapet për vende të tjera në rajon, pa specifikuar se për kë është fjala. Në fakt, ky aspekt i formacionit të ri ka po ashtu rrënjët në eksperimentin jetëshkurtër të Këshillit të Bashkëpunimit Arab. Anëtarët e këtij të fundit nuk e shihnin si ekskluziv partneritetin e tyre dhe kishte një paraprirë se Siria dhe Libani mund të bashkoheshin në një pikë të caktuar.

Formacioni mes Egjiptit-Irakut dhe Jordanisë është në shumë mënyra ringjallja e Këshillit të vjetër të Bashkëpunimit Arab, që u prish nga 30 vjet pastabilitet dhe lufte në Irak. SHBA e ka mirëpritur dhe duhet të vazhdojë ta mbështesë këtë partneritet në rritje të tre prej partnerëve më të ngushtë të vetët në rajon. Në plan afatagjatë, nëse Siria dhe Libani ftohen të marrin pjesë, mbështetja e SHBA do të ndërlikohej nga qëndrimi në pushtet i Bashar al-Assad, i parë me të drejtë si një kriminel lufte. Megjithatë, “Levanti i ri” si projekt mund të shërbejë në finale si një mënyrë për të ndërmarrë rindërtimin masiv për të cilin ka nevojë Siria dhe reduktojë miserjen e konsiderueshme ekonomike të popullit aty dhe në Liban.

Pas një dekade lufte në Siri dhe katër dekadash lufte në Irak nevoja për të një vizion të ri në rajon, nuk ka qenë kurrë më  e madhe sesa sot. Bërthamat e një fillimi të ri ka mundësi të qëndrojnë në parrtneritetin ekonomik, nisur së pari më shumë se 30 vjet më parë.

Burimi: The Brookings Institution

*Përkthimi dhe titulli: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.