Danimarka aplikon pasaportën e vaksinës

Postuar në 04 Shkurt, 2021 11:43

Danimarka bëhet vendi i parë që vë në jetë planin për një pasaportë digjitale të vaksinimit. Brenda shkurtit, danezët mund të kontrollojnë statusin e tyre online dhe të printojnë certifikatat e vaksinimit.

Ministri danez i Financave, Morten Bodskov, tha se pasaporta digjiitale e vaksinës është një mënyrë përmes të cilës mund të rimëkëmbet ekonomia.

"Do të jetë pasaporta shtesë që do të keni mundësinë ta mbani në celularin tuaj që dokumenton se jeni vaksinuar", tha Bodskov. "Ne mund të jemi ndër të parët në botë që e kemi dhe mund t'ia tregojmë pjesën tjetër të botës."

Qeveria ka në plan të punojë me organe biznesi si Konfederata e Industrive Daneze, e cila përfaqëson kompanitë kryesore të Danimarkës, dhe Dhoma e Tregtisë Daneze për të vendosur sistemin e ri.

"Ka të bëjë me gjetjen e zgjidhjes së duhur teknologjike në mënyrë që të kemi mundësi në jetën kulturore dhe shoqërinë daneze, dhe kështu që ata që duhet të udhëtojnë, për shembull për biznes, do të kenë mundësinë ta bëjnë këtë", tha ai.

Skema të ngjashme të pasaportave digjitale janë propozuar edhe në vende të tjera. Komisioni Evropian po shqyrton lëshimin e certifikatave të vaksinimit ndërsa Belgjika, Qipro, Greqia dhe Spanja kanë shprehur interes për plane të ngjashme.

Megjithatë, kjo risi ka hapur debat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në janar u shpreh kundër kësaj ideje "për momentin". OBSH e motivoi qëndrimin e saj me vërtetësinë e një “dokumenti” të tillë për shkak të "shumë të panjohurave" në lidhje me efektivitetin e goditjeve.

Ndërkohë, të shumtë janë ata që thonë se pasaportat e vaksinave mund të krijojnë njëfarë diskriminimi. Kjo sepse, sipas tyre, një certifikatë e tillë i ndan njerëzit në kategori bazuar në statusin shëndetësor, duke mohuar aksesin në shërbimet publike për personat e pavaksinuar dhe krijuar mundësi për shkeljen e privatësisë së individëve në aspektin e gjendjes shëndetësore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.