Facebook adopton parimin e punës së Endri Fugës

Postuar në 09 Nëntor, 2020 04:09

Nëse në vitin 2016 u njohëm me fermentin propagandistik “Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane”, kësaj radhe manifestimi i ndërhyrjes është gati brutal dhe tejkalon edhe paturpësinë e çdo fletushke të së majtës markisiste. Në momentin që në SHBA pritet të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit, Facebook, kompania kryesore në rrjetet sociale ka nisur të asistojë rivalin demokrat të Donald Trump, duke tentuar të izolojë kauzën ligjore të këtij të fundit.

Në postimet e Trump në faqen e tij në Facebook, ky i fundit shfaq një mesazh provokues përmes të cilit njofton se “kandidati fitues deri më tani është Joe Biden”, duke ftuar më tej që të shikohen në kohë reale rezultatet.

Pra Facebook ndërfut në postimet personale të një individi, sado që është njihet me statusin e Figurës Publike, përmbajtje të asociuar me mesazhin e përdoruesit, pa pyetur këtë të fundit. Ideja është e qartë: me reach e postimit, bashkëngjitet edhe reach i njoftimit për fituesin, duke konkuruar kështu propagandën e kandidatit me redaktimin editorial dhe faktik të Facebook.

Nëse sheh faqen e Kamala Harris, kandidatja për zv. Presidente në krah të Joe Biden, mesazhi i asociuar sugjeron vetëm kontrollin e rezultatit të zgjedhjeve, por jo të njoftojë se kush është fitues deri më tani.

Kjo politikë e një medieje sociale si Facebook, që kundërvepron ndaj lirisë së shprehjes së dikujt me qëndrimet e veta është fundi i një demagogjie që ka rënë me kohë. Nuk ka media të paanshme apo të pavarura dhe se ky lloj mjedisi që shpall me të madhe “se ka qenë dhe do të jetë përherë falas”, është kontaminuar nga të njëjta klishe politike që në pamje të parë duket se janë ilaçi kundër prirjes për të dalë nga normaliteti i kohës.

Në Shqipëri këtë lloj politike të zhurmimit të çdo skandali e kemi parë të dirigjohet nga Zyra për Komunikim e Kryeministrit, që edhe kështu ka dështuar. Media në radhë pranë pushtetit, që shtohen e shtohen, portale që lindin e paguhen vetëm e vetëm për të ndërtuar valën e resë informative që balancon, e mandej kundërvepron dhe dominon çdo përpjekje për të argumentuar kundër pushtetit.

Kjo është simptomë e zakonshme e atyre pushteteve të cilëve u prish punë liria e medias, por në vend se të bëjnë gabimin ta mbyllin atë, apo godasin, zgjedhin ta izolojnë duke synuar publikun dhe percpetimin e tij. Dhe kjo arrihet duke zhurmuar. Sigurisht që Facebook është zhurmues më i madh sesa Trump, vetëm se nuk dihet cili parim demokratik ia jep këtë të drejtë kësaj kompanie që përherë e më shumë po shndërrohet në problem global.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.