Pas vërdallosjeve me Bjellorusinë dhe Turqinë, kreu i OSBE-së ka një mundësi në krizën bullgaro-maqedonase

Postuar në 25 Shtator, 2020 03:33

Muajt e fundit kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama iu krijua një mundësi e mirë për të marrë një rol ndërkombëtar që mund të kishte pasoja pozitive për imazhin e tij dhe qeverisë që drejton. Në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së, z. Rama propozoi një nismë dialogu për krizën në Bjellorusi, duke luajtur ndërkohë me një manovër të vockël krahëmarrëse që ishte telefonata me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Më tej z. Rama zhvilloi një tur në Turqi dhe Greqi duke takuar presidentin Erdogan dhe kryeministrin grek, Mitsotakis. Për këtë tur nuk pati një njoftim zyrtar që ta lidhnin atë me misionin ndërmjetësues të z. Rama në cilësinë e sipërpërmendur. Por z. Rama kontrabandoi në media të caktuara shqiptare pikërisht këtë ide: ai po përpiqej për të ndërmjetësuar dialogun mes të dy palëve që gjenden në krizë të thellë.

Siç e dimë të dyja lëvizjet nuk dhanë produkt. Propozimi i tij për Bjellorusinë i konvenoi shumë Bashkimit Europian përballë Rusisë, ndaj edhe ai u përshëndet dhe u përdor si kartë diplomatike nga Brukseli zyrtar. Pa sukses sepse çështja u ndërlikua nga ngjarja me opozitarin rus Navalny dhe fakti se Gjermania që udhëheq këto lëvizje ka llogari të ndërlikuara me Moskën.

Në rastin e dytë, palët kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet, por kjo gjë ka ndodhur si pasojë e këmbënguljes amerikane dhe asaj gjermane. Kështu detyra e lartë formale e z. Rama nuk ndihmoi në arritjen e ndonjë suksesi, veç protagonizmit të tij.

A kishte interes real Shqipëria në këto dy raste? Teorikisht po, por z. Rama nuk është lloji i politikanit që ka një grup pune nga pas me të cilët përpunon një plan dhe mandej hyn në lojë. Në këtë kuptim loja e imazhit tejkalon vlerën e vet nismës.

Mirëpo ka një zonë ku Shqipëria ka vërtet interesa dhe ku ajo nuk po lëviz nga vendi, ndonëse drejton OSBE-në. Kjo është Maqedonia e Veriut, një vend që tani së fundmi po kërcënohet nga Bullgaria me bllokim të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zv. Kryeministri bullgar, Krasimir Karakachanov citohet të jetë shprehur se nuk ka kushte të reja, por ka një kusht të BE-së që përcakton se një vend që do të anëtarësohet duhet të zgjidhë problemet me fqinjët. Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk ka përmbushur detyrimet e veta që rrjedhin nga Traktati i Fqinjësisë së Mirë për të cilin Bullgaria ka kërkuar me kohë respektimin e plotë.

Përmes memorandumi sqarues për BE-në, Sofja zyrtare pretendon se Maqedonia e Veriut ka zhvilluar inxhinierim etnik dhe gjuhësor duke ngritur këtu probleme të tilla si historia dhe pakicat.

Ky është një problem i ngjashëm me çështjen e Emrit që Shkupi kishte me Greqinë dhe në këtë kuadër, z. Rama ka një shans të hidhet në veprim në një vend që ka interes direkt për Shqipërinë. Në Maqedoni faktori shqiptar, me ndihmën edhe të qeverisë në Tiranë, ka kapur pozicione drejtuese duke patur mundësi që të luajë një rol. Po kështu z. Rama  ka bërë lëshime serioze për Bullgarinë kur plotësoi dy vjet më parë kërkesën e Bullgarisë për minoritetin bullgar.

Është e qartë se mbetja e Maqedonisë së Veriut jashtë negociatave penalizon edhe Shqipërinë, e cila vështirë se do të ndahet nga Maqedonia kur të vijë puna për shqyrtimin e kandidaturës së saj. Ne kujtojmë sesi kur Shkupi lutej që të trajtohej veçmas Shqipërisë, z. Rama doli e tha se Shqipëria nuk mund të lihej vetëm, duke dëmtuar të ardhmen e një vendi të tërë. Si mundet që sot p.sh ta ndryshontë këtë qëndrim?

Ajo që ndodh sot mes saj dhe Bullgarisë ka interes edhe për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Është ndaj e çuditshme që kryeministri i Shqipërisë që vlerësoi rezultatin elektoral në Maqedoni sot nuk pretendon të marrë ndonjë rol në krizën e saj. Për më tepër kur politikën e jashtme e ka përdorur përherë për interesin e vet personal.

Një Jo e radhës do të prodhojë pasoja politike dhe do ta largojë më tej Shqipërinë dhe Ballkanin nga një Europë që nuk ka strategji dhe është rasti që të investohet gjithçka. Këtu nuk është fjala për një politikë të bllokut, por të një vendi ndaj një tjetri, ndaj meqenëse z. Rama e ka marrë shumë seriozisht rëndësinë e pozicionit në krye të OSBE-së, do të ishte shumë e kuptueshme një lëvizje e tij në këtë kuadër. Çka nuk është parë deri më tani dhe për arsye që nuk mund të kuptohen nga jashtë, ose nga mënyra sesi kryeministri e komunikon aktivitetin e tij diplomatik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.