Njoftim: "Të Kripura" shkëput marrëdhënien me Soros

Postuar në 06 Korrik, 2020 02:06

Të nderuar miq! Duam të ndajmë sot me Ju një njoftim të rëndësishëm, ose që ne e quajmë të tillë. Që prej disa ditësh, Të Kripura nuk financohet më nga fondacioni “Soros” duke mbyllur kështu një kontratë bashkëpunimi interesante.

Kjo tashmë është vënë re edhe nga lexuesit e rregullt të rubrikës, që kanë nuhatur kthesën 180 gradë të Të Kripura dhe përmbajtjes së saj. Kush mund të qeshë vallë në këto kohë? Atëherë: kush mund të shkruajë gjëra për të qeshur kur nuk ka financim?

Për ne si redaksi na është e dobishme të njoftohet një gjë e tillë, pasi në suazën e etiketimeve dhe këmborëve që na kanë vënë, kjo e Sorosit i përgjigjej më shumë të vërtetës. Për kujtesë po rendisim këtu se ndër vite ne kemi qenë të PS-së, Saliut, Sorosit, rusëve, grekëve si dhe kundër Erdoganit. Ku ja hedh dot njeriu në këtë vend?

Siç mund ta dijë shumëkush në anët tona përjashtohet kategorikisht që të jesh i vetes dhe të mendosh me kokën tënde. Te ky vëzhgim ka patjetër mençuri. Të mendosh me kokën tënde është gjë e mirë. Të bësh media në kokë tënde, nuk është terezi e mirë. Të bësh humor të pavarur, në qejf tënd, këtu mban erë muhabeti. Sepse humori nuk mund të jetë aheng për miletin, ai është pjesë e simfonisë politike dhe orkestrës së pritmërive. Të cilat nuk ndryshojnë.

Nisur nga kjo situatë ne ftojmë lexuesit të kontribuojnë me sadopak dhe sipas mundësisë që kjo rubrikë të vazhdojë të funksionojë, kuptohet me vijë editoriale të pavaruar nga ResPublica.al, ashtu siç i do edhe mushka drutë.

Ju falemnderit!

PS: Rubrika nuk jepet me koncesion.

I Juaji, Shaptilografisti! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.