Kur miraton dhe hesht para gënjeshtrave

Postuar në 15 Mars, 2020 16:10

Italia ka mbyllur kufijtë. Greqia po ashtu. Edhe Europa është duke marrë këtë hap. Karantina u mendua si zgjidhja më e mirë për të përballur këtë pandemi që tashmë e ka epiqendrën në Europë. E ndërsa Italia p.sh po lufton me sëmundjen duke u përballur me një krizë të vërtetë menaxhimi, në Gjermani apo Francë nuk e shohim këtë lloj lufte. Sistemi shëndetësor italian është ndër më të mirët, me mjekë të dedikuar dhe spitale të kompletuara. Shumë prej nesh kanë përvojën e tyre me vendin fqinj.

Ta themi qartë dhe ndershëm: të gjithë ne, qoftë ata që lëpihen te partia, qoftë ata që sot duatrokasin ballkoneve, qoftë ky kryeministri që del me video mesazhe nga vila, qoftë krahu tjetër, të gjthë ne për hallin e parë shëndetësor për veten apo familjarët do të kërkojmë të shkojmë në Europë, e më parë në Itali. Sot kjo mundësi nuk ekziston më për ne. A për të pasurit e këtij vendi, as për të varfërit.

Sepse nuk e lejon rregulli i vendosur. Sigurisht që mund të shkohet në spitale private jashtë, ku mund të ketë shërbime shumë të mira. Por nga sa kemi parë, edhe njerëz të njohur në botë që janë prekur nga virusi kanë deklarur karantinim. Pra ende mjekësia nuk ka një zgjidhje farmaceutike. Ajo që bën dallimin këtu është sisistemi shëndetësor, kapacitetet e tij dhe pajisjet apo stafi. Një vend i vogël e ka më të thjesht që ta zgjidhë këtë sfidë, sepse në një popullsi të madhe, me gjeografi të shtrirë kjo bëhet më e ndërlikuar.

Çfarë kemi ne në Shqipëri? Kemi një QSUT, boshatisje nga mjekët dhe infermierët – apel për vullnetarizëm – mungesë shtretërish(sot u deklarua se spitalet private do vihen në dispozicion) – mungesë pajisjesh (sa respiratorë janë?). Ku janë miliardat e harxhuara për shëndetësinë? Çfarë kuptimi kanë koncesionet për shërbime të caktuara kur një shtet nuk ka asnjë strategji për epidemitë? Kush ka qenë në Itali e di p.sh se protokolli i vaksinave të Shqipërisë quhet shumë i mirë sepse përfshin edhe sëmundje për të cilat në Europë nuk konsiderohen më.

Kjo u arrit pas një politike shtetërore kundër sëmundjeve infektive si tuberkulozi dhe malarja p.sh. Nuk është këtu vendi të tallemi e të themi: akoma me komunizmin ti? Kemi dy skenarë: ose jemi Itali, një vend që ka kapacitete mendore dhe logjistike të sfidojë penetrimin e një epidemie të tillë duke përshtatur infrastrukturën e vet shëndetësore, ose duhen politika shtetërore që kanë në fokus shëndetin publik dhe planifikojnë masa për gjendje si këto kur të dhënat flasin se epidemitë kanë incidencë më të lartë se më parë.

Nuk kemi bërë asgjë nga këto. Kemi vjedhur, kemi parë si vidhet, kemi miratua vjedhjen dhe gënjeshtrën. Edhe njëherë pyetja që bëhet është: kush ka besim te sistemi ynë shëndetësor? Në vitin 2020 ecim ende me mëshirën e fatit dhe gënjeshtrën e qeverisë. Kush është ai që nuk po mendon sot sesa e kotë është e gjithë lufta e përditshme në këtë vend, përpjekja për punën, për shtëpinë, për fëmijët? Është realiteti që na përplaset në fytyrë, vrazhdë dhe egër, jo negativiteti ynë që e krijon.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.