Shpërblimet e fshehura të vëllazërisë anti-FETO

Postuar në 19 Janar, 2020 20:57

Shqipëria dhe qeveria e saj vazhdojnë të shpërblehen nga Turqia dhe presidenti i Erdogan për gatishmërinë e treguar në dorëzimin e të gjithë të kërkuarve nga Ankaraja si anëtarë të organizatës së Fetyllah Gulen.

Pa u mbushur dy javë nga largimi  banditesk që policia shqiptare i bëri i shtetasit turk Haruç Çelik, në Tiranë kanë mbërritur pajisje dhe mjete të ndryshme sidomos për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhuratë nga Turqia.

Ceremonia e dhurimit u organizua në 14 Janar, ditën e 107 vjetorit të Policisë me rastin e krijimit të një reparti të ri pranë Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, por u mbajt e fshehtë nga kanalet e raportimit të qeverisë shqiptare që mesa duket i është trembur ekspozimit lidhur me çështjen “FETO” .  Aktiviteti nuk u pasqyrua as në faqen e policisë së shtetit dhe as në ERTV siç ndodhi me pjesën tjetër të ceremonisë apo rëndom me aktivitete që lidhen me agjencitë qeveritare,

Lajmi është pasqyruar i plotë nga Agjencisë Anadolu (seksioni shqip), e cila ka përcjellë edhe mesazhin e zëvendësministrit të Brendshëm të Turqisë, Mehmet Ersoy, i pranishëm në këtë ceremoni. https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/turqia-vazhdon-mb%C3%ABshtetjen-p%C3%ABr-policin%C3%AB-e-shqip%C3%ABris%C3%AB/1702196

Deklaratat e zyrtarit turk ishin në përputhje të plotë me axhendën anti-FETO që ka përqafuar edhe qeveria shqiptare e kthyer tashmë në një aneks shërbimesh të presidentit Erdogan sipas qëllimeve politike të këtij të fundit dhe kleringut që ka negociuar lideri Edi Rama.

“Kemi një shprehje popullore që thotë: ‘Zemra nuk kërkon as çaj dhe as sobën e çajit, por zemra kërkon dashuri dhe respekt. Për ne kjo ceremoni është një shkak që na bashkon dhe në të njëjtën kohë ky takim është në vazhdën e solidariteti dhe qëndrimit pranë njëri tjetrit kur kemi nevojë gjithmonë si njerëz të së njëjtës gjeografi.

“Uroj që kjo paketë ndihmash me pajisje ta përdorni në ditë të mira, gjithmonë duke eliminuar apo minimizuar të keqen. Ne nuk e shikojmë si dhuratë ndihmën, por ajo që duhet të kuptojmë qartë është që ne mes njëri-tjetrit ndajmë ndjenja vëllazërore. Ajo që duhet ta dini shumë mirë dhe ju është që, nëse ne jemi të sigurtë edhe ju duhet të jeni të sigurtë dhe jeni të sigurtë dhe anasjelltas".

Meqenëse jemi pjesë e kësaj gjeografie dhe ndajmë të njëjtin fat jemi të detyruar të jetojmë në një solidaritet. Suksese në detyrat tuaja për t’i ofruar popullit siguri maksimale dhe veçanërisht, kur bëhet fjalë për organizata terroriste, të cilat cënojnë drejtpërsëdrejti sigurinë e komunitetit apo shtetit, duke cituar këtu organizatën terroriste FETO, e cila tashmë është si virus për kombin dhe për shtetet e tjera”-tha zëvendësministri i Brendshëm turk.

Dhurata bujare e qeverisë turke mori falenderimet e Ardi Veliut, i cili u zotua t’i përdorë me nikoqirllëk sipas nevojave të qeverisë simotër turke.

 “Sot kemi një pjesë të parë të ndihmës që Qeveria Turke ka bërë gati për të mbështetur me logjistikë Policinë Shqiptare. Kemi kontingjentin e 6 mjeteve të blinduara dhe 10 mjete ‘Land Rover’ ashtu siç është një ndihmë e konsiderueshme përsa i përket veshjeve që do të përdorin forcat speciale, duke përfshirë pjesën e kaskave, pjesën e mburojave dhe një sërë elementësh të tjera që do t’ua bëjnë punën më të lehtë në rastin e përdorimit të këtyre pajisjeve”, tha Veliu.

Ndihmat e Ministrisë së Brendshme të Turqisë përfshijnë automjete, kundragaz, pajisje të ndryshme për mbrojtje, jelek antiplumb si dhe pajisje të tjera të ndryshme që do të përdoren nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.