Veza e kuqe e SPAK-ut

Postuar në 07 Janar, 2020 09:50

Struktura e Posaçme Antikorrupsion -SPAK- është vënë në provë shumë shpejt. Dhe rezultati ka qenë ai që kemi prej kohësh. 
Mediat raportuan se Gjykata ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve për tre gjyqtarët që pranuan gjykim të shkurtuër për shtetasin Dritan Dajti, akuzuar për vrasje dhe dënuar për veprën penale në fjalë. 
Prokurorët që kanë propozuar pushimin e hetimeve – Donika Prela dhe Klodian Braho kanë kaluar vettingun dhe presupozohet se janë të filtruar mirë. Mirëpo teksa ata kanë deklaruar se akuza për korrupsion e gjyqtarëve që pranuan gjykim të shkurtuar nuk provohet dhe në vendimin e tyre nuk ka elementë të veprës penale, gjykata ka urdhëruar ndryshe. 

Vendimi është delikat pasi në vendin ku jetojmë nuk është çudi që rrugës të dalin elementë të rinj, dëshmi etj., që do të vënë në provë të vështirë integritetin e SPAK mbi të cilin ngrihen shumë pritmëri. 

Nuk është thjesht kjo çështja. Nëse kthehemi në arkivën e afërt të raportimeve nga drejtësia do të shohim se pjesa më e madhe e vendimeve të prokurorisë për pushim hetimi për çështje të rëndësishme, është vënë nën akuzë politike. 

P.sh vendimet për pushim hetimi për ekstradimin e Nazar Seitajt, pjesë e dosjes “Habilaj”, për Edi Ramën që deklaroi se kishte bërë ekspertizë provate për audiopërgjimin e dosjes “Babale”, pushimi i hetimit për ngjarjen e Elbasanit ku u godit dhe filmua goditja e një punonjësi policie janë të gjitha dosje me sfond politik. Prokuroria u akuzau se ka vepruar në manipulim të hapësirave proceduriale dhe ligjore dhe nën mbrojtjen e politikës. Kjo nuk është retorike. Mbi këtë realitet u kalua me shpejtësi në krijimin e SPAK. 

Mirëpo praktika e këtij vendimi të parë përputh një karakteristikë profesionale që shqiptarët e kanë në kurriz prej vitesh. Ka disa që mbrohen, ka të tjerë që dënohen. 

Dikush mund të thotë se prokurorët kanë zbatuar ligjin. Po kur këta prokurorë ishin në Prokurori nuk zbatonin ligjin? Nëse jo, si e kaluan vettingun? 

Është ende herët për të folur, por është patjetër vonë për të ngrënë akoma karamelen e SPAK-ut që bën drejtësi. Dhe është e pafalshme që të besosh se është bërë një reformë që shkon përtej spastrimit në organin e akuzës. Shohim se gjykata mund të pezullojë zellin e një prokurori sepse këta ja ka mundësuar përherë ligji. Dhe kjo është drejtësia në një formë. Shohim ama se ka prokurorë të certifikuar që mbyllin dosje që janë shumë të nxehta. Këtë lojë a nuk e luante “sistemi i vjetër”?

E reja këtu vjen nga politika.  Nuk kemi këtu gjurmët e KÇK-së, edhe për arsye se gjykatën nuk ke sesi ta akuzosh në raste të tilla. Ndaj saj duhet të presësh të hakmerresh. 
Sigurisht, askush nuk ka ndërmend të shpifë e të thotë se prokurorët që kanë pushuar hetimet janë të korruptuar. Jo. Ata janë njësoj si gjyqtarët që pranuan gjykim të shkurtuar. Kanë zbatuar ligjin. Vetëm se u kërkohet të ulin kokën e të kontrollojnë mos u ka shpëtuar gjë. Për ta thënë me një gjuhë të vjetër: pazari i pushimit të hetimit nuk u mbyll. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.