Më mirë kur i prish tërmeti sesa t'i prishë "shteti"

Postuar në 02 Dhjetor, 2019 17:22

Prokuroria e Shqipërisë ka nisur sot hetimin për pasojat e krijuara nga tërmeti, duke u orientuar në tri akuza: ndërtim i paligjshëm, shpërdorim detyre që lidhet ndër të tjera edhe me mospërmbushjen e rregullt të detyrave nga nepunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Hapja e hetimeve penale në këtë drejtim implikon eventualisht dënime me burg dhe përgjegjësi për një zinxhir vendimmarrës, por edhe përgjegjësi njerëzore.

Ndërtimi pa leje ngarkon me përgjegjësi edhe njerëzit që e kanë kryer një akt të tillë që sot ka sjellë pasoja që askush nuk do t’i uronte. Këto ditë u përsërit se nuk ndëshkoi tërmeti, por marrëzia jonë e përbashkët, marrëzi që në shtrirje në territory mund ta konstatosh me sy të lirë sapo kalon me avion hapësirën shqiptare të bombarduar me kokla betoni në tokë bujqësore, anës përrenjve, lumenjve etj.. Në këtë kuptim çdo vendimmarrje e sotme duhet të konsiderojë këtë përgjegjësi që mund të nxirret nga organet e akuzës. Dhe çdo vendimmarrje duhet të ketë themele të forta ligjshmërie.

Qeveria ka menduar të rindërtojë banesat e shkatërruara, me fonde publike dhe donacione, duke zgjidhur një krizë immediate strehimi. Që këtu përgjegjësia e ndërtimit të paligshëm relativizohet në mos eliminohet përmes dhurimit të një banese të re, legale, në këmbim të një tjetre të shkatërruar, por ilegale. 

Qeveria ka vendosur që të blejë apartamente nga fondi stok që biznesit të ndërtimit. Përpara se ta bëjë këtë do të duhej që në dritën e këtyre zhvillimeve të merrte me siguri certifikatën e tyre, pra që nesër akuza e shpërdorimit të detyrës të mos ringrihet dhe që qeveria të mos përfshihet në një përgjegjësi që nuk ta donte askush.

Qeveria po ashtu ka nxituar të miratojë fonde publike dëmshpërblimi për familjarët e viktimave. Të gjithë duhet të themi që mirë ka bërë dhe duhet ta bënte. Por nuk mund të mos kujtojmë këtu sjelljen e po kësaj qeverie dhe patjetër edhe të atyre para saj, që p.sh për raste dëmshpërblimesh apo trajtimi social –financiar për kategori qytetarësh të cilëve u janë prishur banesat për të ashtuquajturin interes publik.

Banorë të Shkozës apo Unazës së Madhe u dëmtuan nga qeveria, por nuk u zhdëmtuan, ose u zhdëmtuan në mënyrë fare të padrejtë. Me dhjetëra prej tyre kishin aplikuar për legalizim prej vitit 2005 dhe morën përgjigje negative pak përpara nisjes së projekteve publike, disave prej tyre që kanë blerë tokën, u erdhi gjoba për dëm në mjedis ndonëse shpallen ilegalë.

Oferta maksimale që iu bë këtyre banorëve që ishin lejuar të ndërtonin dhe të cilët në një masë kanë paguar taksa ishte 3 vjet në banesa sociale. Kemi dy lloj trajtimesh që sigurisht nuk mund të vihen në analogji të plotë, por që dëshmojnë sjelljen e këtij shteti, qeverive brenda tij me qytetarët. Mund të themi me siguri që reagimi imediat I sotshëm, maksimalist për atë që dëgjojmë, në fakt lidhet me kurimin e një krize immediate që prek drejtpërdrejt qeverinë, e cila ndjen shenjat e destabilizimit social.

Dje, kur problemin e krijonte vetë në emër të interesit publik, por që siç u pa në rastin e Unazës së Madhe ishte në rend të dytë pas interesit të disa privatëve, nuk e ka për gjë të tregojë ligjin, ta intepretojë si do dhe madje edhe të përdorë dhunë policore. Ndonëse kjo e fundit ka qenë mjet i papreferuar dhe i fundit.

Ndaj, sado e hidhur të tingëllojë, ne përvoja në mëson shumëçka për hallin kryesor që kemi, që nuk është Natyra, por vetja jonë. Ata që zgjedhim. Kush shpreson se ministrat miliarderë do të vrasin mendjen për ca të pastrehë në Thumanë, gënjen veten. Ata vetëm duhet të falenderojnë Natyrën që shtëpitë ua prishi tërmeti dhe jo qeveria. Sepse të paktën kështu do të legalizohen në banesa që s’i vë më kush në diskutim. Keqardhja më e madhe shkon patjetër për viktimat sepse jetën nuk e kthen dot askush më. Por keqardhja është sot edhe një mall protokollar, kurse dhimbja, ajo e vërteta është shumë personale. Ndaj këtë dhimbje realisht e ndjejnë vetëm ata që nuk I shohim në ekrane të personalizuara.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.