Mirë në 2013 ishte Berisha, po më 30 qershor 2019 pse i duheshin z. Rama kandidatët “e fortë”?

Postuar në 23 Gusht, 2019 16:31

Partia Demokratike ka kapur një tjetër peshk socialist në rrjetën e dekriminalizimit. Agim Kajmaku i Vorës është prej dy ditësh nën akuzë se ka qenë i dënuar në Greqi dhe se një gjë të tillë e ka mbajtur të fshehur. Në një prononcim për shtyp, zyrtari i PD-së për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata, ka deklaruar madje se kryeministri Edi Rama ka qenë në dijeni të plotë të problemeve të Kajmakut. 

Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se edhe Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të japë menjëherë dorëheqjen e të përballet me drejtësinë…Edi Rama e di se i përzgjedhuri i tij dhe i Belinda Ballukut për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke dhe se ai e ka fshehur të vërtetën. Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, madje ai e ka bekuar fshehjen e precedentit penal të Agim Kajmakut. Por, Edi Rama po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke fallsfikuar dokumentat shtetërorë, siç është formulari i dekriminalizimit.

Pyetja drejtuar Edi Ramës, Belinda Ballukut, Agim Kajmakut dhe Arta Markut është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: A është dënuar, dëbuar, arrestuar dhe shpallur në kërkim ndonjëherë në Greqi për vepra penale të rënda dhe a e ka fshehur këtë fakt në vetedeklarimin e dekriminalizimit?

tha ndër të tjera Gjata.  

Në fakt, brenda PS-së flitet se për Valdrin Pjetrin zoti Rama ka patur dijeni më herët për problemet e tija ligjore dhe se sërish ka miratuar kandidimin e tij. Për Kajmakun spekullimin po e ngre opozita e cila ka boll material me një shumicë parlamentare që të krijon përshtypjen se e kë vendim unanim përfaqësimin e krimit. 

Ajo që të bën të dyshosh sot është këmbëngulja e PS-së për të përfshirë në lista njerëz me probleme. Në vitin 2013 u përfol se z. Rama bëri një lloj aleance me njerëz të rrugës sepse duhet të përballonte presionin rrugaçëror të orkestruar nga pushteti i Sali Berishës. Por kjo tezë bie sepse në vitin 2019, z. Rama nuk kishte asnjë presion të tillë. Madje më 30 qershor ai kandidoi përballë vetes dhe nuk kishte asnjë lloj stresi. Pse atëherë ky implikim dhe kjo njollosje me këtë kategori? 

PS-ja ka detyrimin t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje ose përndryshe ajo do të pranojë se është parti që strehon kriminelë. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

2005 nuk eshte e sakte. Nuk ka qene ky kryetar partie. 2009 ose 2013 mund te keni pasur ne mendje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.