Zhvlerësimi i euros shkaktoi 45 miliardë lekë dëm në buxhet

Postuar në 27 Prill, 2019 11:14

Rreth 45 miliardë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit nga rënia e monedhës së huaj (euros). Në raportin e stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2018, mbiçmimi i monedhës vendase ishte në nivelin 3.3%, duke shënuar një rënie në raport me 6-mujorin e parë, situatë që u stabilizua pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore në treg.

Në po këtë periudhë, leku ka pësuar një nënçmim ndaj dollarit me 1.3%. Sipas këtij raporti, nëse nuk do të ishte zhvlerësuar euro dhe nëse nuk do të ishte goditur buxheti, rritja e të ardhurave do të ishte në nivelin 3.5% dhe jo 0.5% aq sa ka rezultuar në 2018. Pavarësisht se sipas analizës së kryer rezulton se stabiliteti financiar është i qëndrueshëm, banka vëren me shqetësim edhe disa rreziqe që sipas saj janë, rrezik për përkeqësimin e ekonomisë së brendshme duke marrë parasysh edhe situatën në rajon dhe Evropë.

Po ashtu me pesimizëm shikohet edhe ndikimi i situatës politike, pasi më herët edhe institucionet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin për dëmin që do t'i shkaktohet buxhetit nëse tensionet politike do të vazhdojnë. Ndërsa rrezik i tretë është përsëri zhvlerësimi i euros, pasi edhe ky vit ka nisur me luhatje të shumta në kursin e këmbimit. Mirëpo pavarësisht luhatjeve individët kanë rritur ndjeshëm kursimet  në valutë.

Ashtu si edhe në raportet e mëparshme të bankës edhe në këtë theksohet ndjekja e politikave të shtrënguara nga bankat e nivelit të dytë për kredidhënien ndaj bizneseve, e cila në 6 muajit e dytë të vitit 2018 është ulur me 5 miliardë lekë. Sektori i ndërtimit ka qenë më i favorizuari për të marrë kredi nëpër banka, pasi edhe shifrat paraqesin një rritje të kredidhënies. Ekspertët e bankës qendrore këtë fakt e argumentojnë me rrezikun potencial që iu kanoset për shtimin e kredisë me probleme. Ajo që vlen të theksohet është se rreth 46.5% e kredisë në valutë është e pambrojtur duke krijuar kështu hapësira për rritje të kredisë me probleme, e cila aktualisht është në nivelin e 11%. 

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.