ATA dhe NE - shpjegimi keqdashës dhe përçarës i krizës

Postuar në 16 Mars, 2019 21:59

Brenda krizës së sotme politike dhe institucionale në Shqipëri, po nxjerr krye më fort se më parë ajo që mund të quhet kriza e gjykimit publik dhe vlerësimit objektiv të saj. Nëse në radhët e opozitës ka një larmi qëndrimesh, qofshin këto edhe kaotike, kjo më së paku dëshmon për dinamikë interesash, mungesë disipline, pakënaqësi, etj., por së paku diçka po lëviz. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi po prekin disa ekuilibra.

Nëse hedhim sytë nga krahu tjetër, aty çdo gjë duket monolite. Duket se të gjithë, ca sepse kanë vendosur të heshtin e të shohin punët e tyre, ca sepse nuk dinë çfarë të thonë, janë dakord me versionin e kryeministrit. Tezë e cila reduktohet pak a shumë kështu: ne jemi top, ata kanë probleme. Nëse duan Pazar, këtu jemi.

Përkrah Taulant Ballës, Milva Ikonomit dhe Elisa Spiropalit që riprodhojnë pa menduar atë që kërkon të thotë kryeministri, gjen kohë të flasë edhe zv.kryeministri Erjon Braçe. Në disa statuse në Facebook, z. Braçe lexon dështimin e opozitës dhe e kërkon shkakun te Basha dhe Berisha që kanë vjedhur dhe vrarë ndaj populli nuk u shkon nga pas.

Por a mund të shpjegohet kështu kriza e sotme? A mund të përkufizohet ajo tek emrat e Lulzim Bashës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe mbështetësve të tyre në shesh? A beson realisht z. Braçe se kjo qeveri është më e mira që ka qenë ndonjëherë, se ka kryer reforma? Nëse po, atëherë me të vërtetë që ky vend është zhytur në një qerthull keqkuptimi dhe moskomunikimi që patjetër janë premisa të konfliktit civil. Jo sepse z. Braçe peshon shumë në kandarin politik, por sepse ai po do t’u flasë socialistëve vetëm me gjuhën e ndarjes ATA dhe NE.

Kriza është evidente. Ajo lidhet më së pari dhe kryesisht me qeverinë e z. Rama, me korrupsionin e zgjeruar që është shndërruar në një faktor me të vërtetë antikombëtar, në drogën dhe trafiqet që janë struktura kryesore e ekonomisë reale në vend. Opozita thjesht po instrumentalizon krizën, por ajo ka rrënjë te qeverisja. Tek opozita ka mosbesim, por te qeveria e z. Rama mishërohet çdo e keqe në këtë vend, sidomos polarizimi ekonomik dhe kapitalizimi partiak i pasurisë kombëtare. Kjo shumicë, me z. Braçe brenda që bërtet me vend e pa vend, shohim të gjithë ilustrimin e një mashtrimi për drejtësinë e munguar. Një drejtësi që pse është e tillë ushqen përvit gazetarinë antiberishiane të Gërdecit dhe 21 janarit, terapia e gënjeshtrës së vazhdueshme ndaj njerëzve.

Dhe që ta besojë edhe z. Braçe këtë, meqenëse hiqet si idealisti i fundit, le ta shohë te gatishmëria e kryeministrit për të ndarë pushtetin me Berishën, Bashën dhe Kryemadhin. Është një fabul e pështirë kjo që ndoshta pa dashje e riprodhon zv.kryeministri aktual, një fabul që aktualizon me forcë nevojën që krizës t’i vihet emri që ka, të shpjegohet për atë që përfaqëson dhe mandej të ofrohen zgjidhje.

Parimi i shtirjes sikur nuk ka asnjë problem është i ri në PS, atë e solli Edi Rama me të vetët. Kaq e dimë edhe ne që nuk duruam ndonjëherë erën e rëndë të Partisë Socialiste dhe nuk shkelëm ndonjëherë aty. Ndaj hidh njëherë sytë nga Kryeministri o zv.kryeministër!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.