Fjalët duhen shoqëruar me vepra

Postuar në 10 Mars, 2019 14:47

Opozita është e bindur tashmë se Edi Ramën nuk e rrëzon dot nga rruga dhe me protesta. Në fakt pakkush e ushqente realisht një shpresë të tillë, edhe pse zërat se kryeministri ka ofruar zgjedhje të parakohshme dhe lokale në muajin shtator nuk kanë munguar. Zoti Rama është vënë përballë protestës së opozitës dhe bojkotit parlamentar të saj me ofertën e vetme që i shkon për shtat e që është ajo e majit 2017.

Që veprimi i opozitës ka qenë i duhuri kjo nuk ka dyshim. Ai pasoi një protestë masive të studentëve dhe reflekton një pakënaqësi në rritje ndaj qeverisë së socialistëve, të cilët janë problemi më i thellë i shoqërisë shqiptare. Aktualisht çështja kryesore mbetet produkti që do të japë ky zhvillim dhe mënyra sesi PD-ja dhe LSI-ja do të menaxhojnë aktin e tyre.

Zoti Basha është një njeri që prodhon në vijimësi gabime dhe ia nënshtron veten kërkesave afatshkurtra. E bëri këtë kur e la veten të bëhej shtojcë e pushtetit, po e bën sërish duke vendosur data të rrëzimit të Ramës, sepse i duhet të tonifikojë mbështetësit, por harron se dëmton seriozitetin e tij. 

Në të vërtetë të dyja prodhojnë kosto. Ishte gabimi i parë i z. Basha, që është faj themelor i një opozite, që solli në pikën kur atë e shpëtonte nga mosbesimi masiv vetëm një akt i fortë. Zoti Basha u detyrua të lëshonte mandatet në mënyrë që përpara zgjedhjeve lokale të mos perceptohej si dikush që është në Parlament dhe në politikë për të mbajtur ison e Edi Ramës.

Ka edhe një arsye le të themi historike që i jep rëndësi mënyrës së veprimit politik të PD-së. Zoti Basha kishte argument të bollshëm kur nisi betejën e tij për dekriminalizimin. Dhe në të vërtetë ai imponoi një ligj që nxori jashtë Kuvendit njerëz me rekorde kriminale e çfarë ka më shumë rëndësi, që mund të kenë qenë aty falë pazareve me z. Rama. Ishte një arritje jo e vogël prishja e këtij pazari.

Teza e dekriminalizimit i jepte të drejtë z. Basha që të refuzonte nga pozita morale dhe politike bashkëpunimin me shumicën nëse nuk realizohej ky pastrim. Ai mbërriti deri te çadra me ligjërim të ekstremizuar, por lëshoi në fund për një marrëveshje që e përcëlloi keq. Marrëveshja nuk ishte e keqe sepse z. Rama u tregua më i zgjuar sesa kundërshtari i tij. Marëveshja ishte e keqe, sepse ajo u lexua qartë se u firmos nga Basha vetëm e vetëm për interes të tij. Në emër të momentit që u krijua, kryetari i PD-së i lejoi vetes pastrimin e listave të kandidatëve nga të gjithë kundërshtarët e vet në parti duke hipotekuar këtë të fundit dhe duke hyrë në zgjedhje me sigurinë e një konfirmimi elektoral. Rezultati dihet.

Sot z. Basha ka nisur të njëjtën rrugëtim, por në kushtet kur qeveria e z. Rama ka konsum shumë herë më të madh. Është e udhës pra që PD-ja dhe LSI-ja të shohin te protesta e vazhdueshme jo një mjet për të linçuar publikisht Edi Ramën, por për të gërryer aftësinë qeverisëse dhe administruese të tij. Ajo që shohim është fakti se opozita po kërkon një marrëveshje të re kushtetuese të cilën do të detyrohet ta firmosë me atë palë që sot e quan shkaktare të problemit dhe të sistemit kriminal.

…ajo që ne duhet të merremi është projekti pas kësaj, se nuk është thjeshtë çeshtje e largimit të Ramës, ky sistem duhet shembur me themele dhe duhet rrafshuar në mënyrë të tillë që të mos lejojë mbirjen e asnjë Rame tjetër, pavarësisht se me çfarë ngjyre vjen apo përfaqësohet para shqiptarëve.

Për këtë, unë së bashku me Partinë Demokratike, jemi të vendosur bashkë me opozitën, që së bashku me qytetarët të diskutojmë dhe t’i japim jetë një projekti të ri i cili të hedhë bazat për një demokraci me të vërtetë të standardeve europiane. Të ketë kufizim të pushtetit, të ketë kufizim të zgjatjes në pushtet të personave që iu besohen çelësat e qeverisjes. Të ketë institucione që të kontrollojnë këta persona, që asnjë person të mos ketë pushtet të pakufizuar.

Nëse fjala vjen, kryeministri do të vazhdojë të mbetet figura kryesore në kuptimin e pushtetit ekzekutiv, të ketë një parlament me të vërtetë parlament, jo thjesht një paradhomë të kryeministrit apo një shtojcë të pushtetit kryeministror, të ketë një parlament ta mbajë përgjegjëse qeverinë për çdo hap

tha Basha pas takimit me drejtorin e Zgjerimit në BE, Danielsson.

Ai po propozon ndryshim të Kushtetutës dhe të raporteve të sistemit, por është e paqartë sesi një punë e këtillë shumë e madhe do të harmonizohet me ndryshimet kushtetuese që u bënë për reformën në drejtësi. Kjo paketë për të cilën z. Basha deklaron se po punohet nga ekspertë gjermanë dhe amerikanë, duket se do të jetë mekanizmi për rikthimin e opozitës në Parlament, ose në versionin maksimalist, për të krijuar kushte të reja për zgjedhjet e përgjithshme. Këtu konstatohet një paradoks logjik të cilit politika nuk ka qejf t’i përgjigjet. Ofrohet ndryshimi, apo shembja e sistemit si pjesë e një marrëveshjeje me një palë që supozohet se ekziston për shkak të këtij sistemi. Dhe bëhet kjo ndërkohë që protesta e nisur artikulon largim pa kushte të shumicës.

Paradoksi tjetër rrjedh nga fakti se aspekti kushtetues dhe juridik mbivlerësohet si element bllokues për çdo ndryshim politik, kur dihet fare mirë se projekti kushtetues në fuqi është menaxhuar me të njëjtin moral edhe nga PD-ja kur ajo ishte në qeveri.

Zoti Basha po na deklaron se ai nuk është në gjendje ta kufizojë pushtetin e z. Rama, pra as të funksionalizojë opozitën për shkak se dispozitat e Kushtetutës sonë e pamundësojnë një gjë të tillë. Kjo është deri diku e vërtetë, por si tezë kompromentohet në faktin se pas opozitës aktuale ka mungesë të madhe besimi.

Kjo u dëshmua edhe te fakti se ajo nuk u faktorizua për asnjë çast gjatë protestës apartiake të studentëve, të cilën edhe e dëmtoi rëndë. Për këto arsye zoti Basha dhe zonja Kryemadhi do të arrijnë të përfaqësojnë polarizimin dhe pakënaqësinë e madhe të qytetarëve vetëm nëse do të ndërmarrin veprime që së pari prodhojnë kosto për ta. Pra që kanë brenda një sakrificë personale dhe politike. Heqja dorë nga mandatet – ende e paqartë juridikisht nëse ka ndodhur apo jo – ishte një i tillë. Dhe ai ka kuptim dhe do të prodhojë rezultate vetëm nëse PD-ja dhe LSI-ja besojnë realisht në këtë që po bëjnë.

Sigurisht që të dyja këto parti janë pjesë e po këtij sistemi dhe kanë përfituar prej tij, por ne duhet ta shohim si fitore faktin se ky sistem piramidë është destabilizuar në pikën e tij më amorale: Pazarin.

Për fat tërë sot vota filtrohet më shumë nga interesi sesa dje. Mosbesimi tek opozita është edhe akt denoncimi i kulturës së pazarit në politikën shqiptare që u lejon 3-4 individëve të vendosin kur të duan për gjithçka dhe të ndajnë pasurinë publike. Sot kjo opozitë propozon parime apo rregulla të reja. Mirë është të dëgjohen dhe lexohen këto propozime, por besimi dhe vlera politike nuk vjen as sigurohet prej tyre. Nëse ka një gjë që z. Basha dhe zonja Kryemadhi mund të mësojnë nga paraardhësit e tyre në partitë respektive është fakti se afirmimi si alternativë nuk vjen nga trashëgimia e partisë, por nga distancimi nga pushteti. Zoti Berisha kaloi një rrugë shumë të vështirë deri në vitin 2005, ndërkohë që z. Meta u fut edhe në grevë urie për Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Fjalët duhen shoqëruar me vepra, kaq është bazike në politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.