Kaq budalla është me të vërtetë Hashim Thaçi?!

Postuar në 31 Janar, 2019 16:56

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot me lexuesit e rrjeteve sociale lajmin e telefonatës mes tij dhe John Bolton, këshilltarit për Sigurinë të Presidentit amerikan, Donald Trump.

shkruan Rama që në fakt tashmë vepron me duar të zgjidhura për të kryer operacionin e ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Kryeministrit shqipar dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u duhet patjetër një sukses diplomatik edhe pse siç po kuptohet dita - ditës, sjellja e tyre përveçse po kërkon të aktualizojë tezat serbe të ndarjes dhe shkëmbimit territorial, Kosovë-Serbi, në kushtet kur kjo e fundit nuk mundet aspak ta imponojë një gjë të tillë, mund të dëmtojë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe SHBA-së. Sado të kamuflohet dhe të artikulohet si nevojë strategjike, kjo që po ndodh me shumë gjasa përbën një goditje për këto marrëdhënie që në mishërimin e diplomacisë thuajse personale të John Bolton kapërcen duke mohuar angazhimin amerikan 25 vjeçar në këtë rajon.

Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë mençurinë tinzare personale, apo hallet e mëdha që të mos presin në rastin e Ramës, ndërkohë që nuk është i qartë interesi i shqiptarëve dhe ndoshta mund të jetë më mirë të shtyhet ky proces deri sa në Shtëpinë e Bardhë të vijë dikush tjetër.

Mirëpo edhe në këto kushte, ka diçka që meriton të sqarohet: Pse John Bolton duhet të komunikojë me Edi Ramën për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë? Pse duhet kërkuar mbështetje nga Tirana zyrtare për një raport ndërshtetëror kur Kosova duhet të jetë e lirë të veprojë në përputhje me interesat e qytetarëve të saj dhe me vendimarrjen e saj?

Nga ana tjetër, për cilat qëndrime konseguente e ka falendëruar Bolton kryeministrin shqiptar? Zoti Bolton është autori i idesë së ndarjes së Kosovës, ndërkohë që politika e jashtme e Shqipërisë referon tjetër gjë në këtë drejtim. Në faqen online të Ministrisë së Jashtme, që aktualisht është pa kokë, thuhet ndër të tjera:

Bashkëpunimi dypalësh udhëhiqet nga interesi kombëtar për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si projekt themelor përbashkues i hapësirës shqiptare në shërbim të paqes, stabilitetit dhe begatisë së saj... Pjesëmarrja e Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale, synimi i saj për zgjerimin e njohjes së saj ndërkombëtare, si në planin dypalësh ashtu edhe shumëpalësh i japin një vlerë të shtuar investimit ndaj paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosoven në këtë aspiratë të saj

Shqipëria pra synon njohjen e Kosovës dhe në këtë politikë ajo udhëhiqet nga interesi kombëtar. Aktualisht interesi kombëtar presupozon garanci të plota për shtetësinë e Kosovës dhe duhet shtuar këtu se qëndrimet në këtë drejtim janë përçuar vazhdimisht nga ministri i Jashtëm i larguar Ditmir Bushati. Zoti Rama e nisi këtë proces me mbështetje austriake, meqenëse në këmbim të ideve për ndarjen do të blinte hapjen e negociatave dhe po e vazhdon këtë punë në marrëdhënie me Shtëpinë e Bardhë ku kërkon afirmimin personal dhe ndoshta, garanci për të cilat në një vend normal do të ishin punë e drejtësisë.

Cilat janë pra këto qëndrime të Shqipërisë që kënaqin John Bolton? Zoti Rama u tregon shqiptarëve vetëm atë pjesë të komunikimeve që i intereson, ndërkohë që po vepron hapur në ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Qeveria e së cilës së fundmi ka deklaruar se nuk tërhiqet nga taksa 100% për Serbinë. Njerëz të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit po përpiqen të barazojnë ekzistencën e Kosovës me marrëdhëniet me Amerikën e Donald Trump. Dhe që këtej të përligjin çdo politikë që përfshin edhe shkëmbimin e territorit mes Serbisë dhe Kosovës.

Ku qëndron interesi i Shqipërisë në këtë drejtim? Po interesi i shqiptarëve? 

Mund të mirëkuptohet për një çast dorëzimi i Hashim Thaçit dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së para presionit amerikan për shkak të së kaluarës së tyre, por nuk kuptohet fare se nga cilat premisa udhëhiqet Tirana zyrtare.

Sidoqoftë, boja kësaj loje i doli. Kryeministri i Shqipërisë është aty ku është jo për shqiptarët, por për vete. Ajo çfarë sot përbën imperativ është angazhimi i aktorëve të tjerë institucionalë dhe politikë në një lojë që do të ketë pasoja afatgjata për vendin. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk mund të shprehet përmes një personi të vetëm, që kërkon të imponojë axhendat e veta si politikë të jashtme, pa riformuluar më parë dokumentet e veta që përbëjnë bazën e kësaj politike; në raport me Kosovën dhe në kushtet kur në vetë Kosovën nuk ka dakordësi për çështjen e marrëveshjes me Serbinë.

Është emblematike pabesia e këtij njeriu. Pasi mbajti heshtjen kaq kohë, pasi pastroi Ministrinë e Jashtme nga Bushati që kundërshtonte ndarjen e Kosovës, kryeministri shqiptar po rend në mënyrën më të paskrupullt të marrë dafinat e një njeriu të amerikanëve në Ballkan që katalizon marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Që vendos një paqe të dhimbshme.

Përtej aspektit emotiv në këtë çështje dhe faktit se me sa lehtësi pafytyrësia dhe mungesa e dinjitetit gjejnë rrugën deri lart në këtë vend, është për t’u çuditur dhe pyetur: vallë vërtet kaq budalla është ky Hashim Thaçi sa për vete të marrë faturën e tradhëtarit ndërkohë që kurorën e “njeriut tonë në Ballkan” t’ia rrëmbejë Edi i Tiranës, që ka meritën e vetme se nuk di të bëjë absolutisht asgjë mirë, përveçse të tradhëtojë?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.