Dekretet, problem i Kushtetutës dhe stërkëmbëshit të nenit 98

Postuar në 14 Janar, 2019 17:52

Tanimë është e qartë se çështja e dekreteve nuk është thjesht dhe vetëm politike, por edhe kushtetuese. Kryeministri ka deklaruar se do ta çojë refuzimin e presidentit në Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e tij të plotë se ai ka të drejtë në këtë përballje. Mirëpo ndërkohë që kjo krizë e re fermenton pasoja të shumta, mendimet e ekspertëve nuk po mungojnë. Në një shkrim të mëparshëm, ResPublica solli në vëmendje një intervistë të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, sipas të cilit çështja meriton shqyrtim të posaçëm.

Por këtë mendim e ndan edhe një tjetër jurist i njohur për publikun, Agron Alibali, i cili përmes një shkrimi në faqen online “Peizazhe të Fjalës”, rekomandon ndëryrjen sa më të shpejtë në nenin 98 të Kushtetutës, që përbën sipas tij një shartim problematik dhe anormal në trungun e një Republike Parlamentare.

…Sa i takon procedurës së zëvendësimit të ministrave në republikën parlamentare, momenti themelor është propozimi i kryeministrit, ndërsa miratimi presidencial përbën vetëm një formalitet. Sikurse e tregojnë shembuj të tjerë në të drejtën krahasimore kushtetuese, akti i kryeministrit për ndërrimin e kabinetit miratohet pa vonesë nga presidenti, dhe nuk kalon fare në parlament.

Në qendër të vëmendjes së opinionit sot është neni 98 i Kushtetutës, sipas të cilit (1) “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditësh” dhe (2) “dekreti [përkatës presidencial] shqyrtohet brenda 10 ditësh nga Kuvendi”.

Ky nen përpiqet të sintetizojë rolin e tre institucioneve kryesore të shtetit, Presidentit, Kryeministrit dhe Kuvendit. Pyetja që shtrohet në parim është se si rregullohet në një republikë parlamentare zëvendësimi nga kryetari i qeverisë i vartësve të tij? E thënë ndryshe, sa është e rregullt që propozimi për zëvendësim të kalojë për miratim joformal tek Presidenti, dhe dekreti i këtij të fundit të kalojë në Kuvend për miratim, që në fakt kthehet një rivotëbesim? Dhe së fundi, a është normale në një republikë parlamentare një procedurë e tillë e rënduar që mund të zgjasë deri të paktën 17 ditë? Neni 98 i Kushtetutës së vitit 1998 përfaqëson një nonsens të pashembullt kushtetues që, në thelb, ka sjellë një kontroll të trefishtë ndaj një veprimi krejt normal të kryeministrit i cili, në zbatim të Kushtetutës, ka detyrimin të sigurojë për popullin një qeverisje dhe administratë sa më të zhdërvjellët, profesionale dhe të efektshme…

Zgjidhja që ka sjellë neni 98 i Kushtetutës shqiptare përbën në thelb një stërkëmbës kushtetues, një shartim të panevojshëm të një dispozite tipike të sistemit gjysmë-presidencial mbi trungun e një kushtetute të sistemit parlamentar. Rrjedhimet negative që i ka dhënë vendit ky farë hibridi kushtetues i pafat janë më se të qarta. Ato sjellin edhe njëhere në vëmendje domosdoshmërinë e hartimit të amendamenteve të Kushtetutës së Shqipërisë, të cilat, kësaj here duhen kryer nga vetë juristët shqiptarë, dhe në bashkëpëlqim midis shumicës dhe opozitës, kushdoqofshin ato…

Në periudhën afatshkurtër është e këshillueshme zgjidhja sa më parë dhe sa më butë e ngërçit të përcjellë nga stërkëmbësi kushtetues i Nenit 98. Kurse në periudhën afatgjatë lypet një rishikim tërësor i Kushtetutës dhe i Kodit Zgjedhor e sistemit përkatës, me synim kthimin në modelin e gjithëpranuar të repubikës gjysmë-presidenciale, dhe çka është po aq e rëndësishme, fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse në vend

shkruan ndër të tjera Alibali.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.