Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk gjen antikushtetueshmëri te sjellja e Presidentit

Postuar në 14 Janar, 2019 13:38

Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushteuese ka dhënë dy ditë më parë një intervistë për gazetën “Tema” në cilësinë e konstitucionalistit. Abdiu është metaforikisht si makina e urgjencës për socialistët e gjeneratës tjetër që bëjnë politikë orale dhe nuk njohin nen e germë të ligjit. Kësaj radhe juristi ka folur edhe situatën e krijuar mes Presidentit dhe Kryeministrit për dekretet për ministrat e rinj. Sado që është e qartë se z. Abdiu anon nga qëndrimi i qeverisë, PS-së për këtë çështje, ai nuk arrin dot të formulojë në ligjëratë të drejtë akuzën që kryeministri Rama e ka bërë të vetën, pra që Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Dhe z. Abdiu nuk e thotë këtë për një arsye të thjeshtë: ai është jurist.

Shiko nuk jepet mendimi kuturu, duhen parë dispozitat, analizuar vendimet e precedentët, por unë një gjë dua të them: Kushtetuta jonë edhe pse ka një problem duke vënë tre porta për të miratuar qeverinë; Kryeministër, President dhe Kuvend, e thotë në mënyrë të qartë se qeveria është atribut i Kryeministrit.

Firma e Presidentit të Republikës, edhe pse mund të mos jetë thjesht formale, ajo nuk mund të jetë bllokuese. Firma e kreut të shtetit, është një lloj postblloku institucional dhe nuk mund të jetë një portë që mbyllet përfundimisht

është shprehur Abdiu.

Që do të thotë se në të vërtetë presidenti nuk ka kompetenca honorifike, por është aty si një ndër pushtetet që filtron qeverinë. Kur thuhet se presidenti nuk është një portë që mbyllet përfundimisht, kjo ka kuptimin se Presidenti në asnjë rrethanë nuk ka tagrin të bllokojë apriori emërimin e një titullari në një ministri. Por ai ka ama të drejtën e refuzimit të cilën nuk ja njeh fare qeveria e z. Rama. Në fund të fundit çfarë bën postblloku? Ai ndalon qarkullimin, bën kontrollin e dokumentacionit dhe bagazheve dhe nëse verifikon probleme, ose të kthen mbrapsht(në doganë) ose kërkon ndalimin. Kjo po ndodh edhe me Gent Cakajn që është ndaluar në postbllok për një sërë arsyesh.

Kjo është madje në frymën e Kushtetutës shqiptare dhe pranohet nga Abdiu që është një ndër hartuesit e saj.

E kemi bërë me probleme. Duke dashur që të mos japim pushtet të madh për qeverinë, apo një institucion të vetëm, kemi furnizuar me pushtet institucione të tjera, çka edhe ka ndodhur në vite

shprehet ai duke sqaruar këtu se cilat kanë qenë synimet e ligjvënësit në hartimin e ligjit themeltar.

Edhe njëherë, sipas kësaj analize, një president është honorifik kur do të jetë i tillë, por me honorifik nuk mund të kuptohet Periferik dhe një sportelist që mban shënim emrat që hyjnë e dalin në hotel. Kjo është e gabuar dhe bie ndesh me faktin se Presidenti është një ndër pushtetet që vepron në emërimin e qeverisë. Këtë na thotë konstitucionalisti më lart që gjithësesi pranon më poshtë se:

Loja politike, apo beteja e argumenteve për çështje, politika të caktuara, figura autoritetesh etj., mund të bëhet pa problem, por jo duke përdorur shtigjet kushtetuese, sepse kështu hapim hendeqe edhe më të mëdha, apo vrima që s’i mbyllim dot.

Çdo ligj, dekret, VKM apo akt nënligjor është precedent që si praktikë juridike do të lërë gjurmë në historikun institucinal të shtetin në të ardhmen.

Një gjë është e qartë: Presidenti nuk mund të bëjë qeveri, ajo është atribut dhe përgjegjësi politike e kryeministrit i cili ka mazhorancën në Kuvend

Çka do të thotë se ndonëse Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankesën e Kryeministrit për këtë çështje, vendimet e presidentit do të lënë gjurmën e tyre në krijimin e hapësirës së ligjshmërisë ose jo në raport me qeverinë. Sikundër në çdo rast, është bërë e qartë se jo çdo mik apo shok i kryeministrit mund të bëhet ministër. E drejta e kryeministrit vjen bashkë me përgjegjësitë të cilat nuk mund të jenë çikërrima siç e trajton ai certifikatën e sigurisë.

Zoti Abdiu nuk ka ndarë ndonjë gjë konkretisht duke nënkuptuar se vendimi i Gjykatës për këtë çështje ka për të qenë i vështirë. Ose do të trajtohet një rast konkret, ose në tërësi marrëdhënia mes Presidentit dhe Kryeministrit në këtë kuadër do të detajohet dhe për rrjedhojë kushtëzojë sjelljen e mëpasshme të tyre. Është interesant të vihet re shmangia e PD-së, dhe dy kryetarëve të saj nga debate juridik për dekretet. Duket se PD-ja, qoftë Sali Berisha, qoftë kryetari Lulëzim Basha mendojnë se presidenti nuk ka tagër për të bërë këtë që po bën, ndonëse me gëzim miratojnë veprimet e tij. Dhe kjo është opozita…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.