Studentët nuk po thonë atë që i mundon realisht*

Postuar në 07 Dhjetor, 2018 11:57
Ben Andoni

Kryeministri Edi Rama është në ditët e tij më të këqija në mandatin e dytë qeverisës. Pa asnjë mëdyshje, ai nuk i shpëtoi dot mallkimit të qeverisë dy. Fenomeni, që i ka ngrënë kokën të gjitha qeverive shqiptare, nuk mund t’i shpëtonte edhe qeverisë së tij. Paradoksi është se paçka se të gjithë e dinë mirë dhe e njohin si fenomen, por askush nuk ka mundur të kalojë barrierën, Rubikonin shqiptar. Edi Rama tregoi se nuk mund të shkojë më shumë, paçka se në mandatin e tij të parë, shqiptarët filluan të kuptonin shtetin dhe mbi të gjitha dorën e ashpër të ligjit.

Vetëm se struktura qeveritare Rama, dora-dorës e zbuti çuditërisht për të fortët Ligjin duke lënë në darën e vështirësive fatkeqin, ata që duhej t’i ndihte për t’u rritur rrogën minimale dhe më shumë akoma, shpresën. Ndodh sot që burgjet janë të mbushur me qyqarë, kurse bosat tallen dhe bëjnë sehir. Në një tollovi strukturash të socialistëve; në një cinizëm, që e kanë gati burimor prej kryeministrit Nano; në një harresë totale ideologjike, Socialistët harruan masën, pikërisht ata të pagojët që i dhanë 1 milionë vota, që dikur Rama i perifrazoi si metaforë e shpullave për paraardhësin e tij.

Në fakt, ishin pinjollët e kësaj armate, që me gjithë malin e problemeve i treguan moskuptimin dhe mbi të gjithë rezistencën në ditët e fundit. Për fat të keq, studentët nuk nxorën realisht atë që i mundon realisht: Shqiptari i ri e ka të pamundur të jetojë në vendin e tij, ku prindërit rropaten; niveli i arsimit është fatkeq; për të nuk ka punë, nuk ka shpresë, pasi mungon konkurrenca e lirë dhe mbi të gjitha një model ekonomiko-social t’i ndihë të rrinë në vend.

Ata përjetojnë varfërinë e prindërve të tyre, por mbi të gjitha zbehjen e ëndrrave që në fillesë dhe kjo është tragjedia e një brezi, që është lindur dhe rritur pas vitit të tmerrshëm ’97. Protesta e tyre, vërtetë kishte kërkesa specifike, por ajo që donin të dëgjonin shqiptarët duhej të ishte pikërisht ajo që mundon shqiptarin e ri, shpresën e këtij vendi. Kjo bëri që politika të zvetënohej dhe Opozita, që u qep shëmtuar në kërkim të kauzave, që nuk i takojnë, të humbte pikë. Po Rama?

Ai vazhdon sikur të mos ketë ndodhur gjë, duke u munduar të shpërndajë vëmendjen në disa fusha dhe duke i funksionalizuar ministrat e tij, që para tij janë thjesht numërorë. Anipse kjo, sot, nuk mjafton sepse investimi që ka marrë mbi vete, ia ka drejtuar tash gishtin përballë: Rama, realisht, ka ardhur koha të  mendosh për zhgënjimin që i fale njerëzve. Dhe, thjesht, të heshtësh

*Titulli i ResPublica

Javanews.al

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Kete idene e "shtetit" qe u krijua ne mandatin e pare e dine vetem keta qe mbrojne Ramen.

Fakt: jashte unazes se Tiranes ju la dore bandave kriminale.
Fakt: shteti miraton projekte pa dokumente si kurre me pare.
Fakt: reforma e energjise sot ka krijuar me shume borxh sec gjeti ne 2013.

Ku dreqin e gjeti shtetin ky?

Submitted by Genti (not verified) on

Arsimi i larte eshte ne krize te thelle. Reforma e arsimit te larte nuk eshte ne koordinim te plote me realitetin ne vend dhe aplikimi i saj ne forme strikte, persa i takon anes se financave i con universitetet publike ne kaos. Prandaj mendoj qe ka ardhur koha per nje Rilindje 2. Duhet edhe nje here ti kthehen shpresat ketij popull me nje marreveshje te dyte historike Rama-Meta qe duhet bere brenda ketij muaj. Le te na bekojne perseri Stipe Mesic e Boris Tadic, keta dy miq te Shqiperise! Ministria e arsimit ti kaloje LSI-se sepse vetem LSI di ti koordinoje reformat me realitetin shqiptar. Rama - Meta mos te tregohen egoiste, nje marreveshje Rilindje 2, ia kane borxh ketij popull!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.