Një kapitull i ri për Kishën*

Postuar në 24 Dhjetor, 2017 12:47
Tomáš Halík - Universiteti Charles në Pragë

 Dy papë të mëdhenj që kisha mundësinë t’i njihja perronalisht dhe me të cilët kam mundur të dialogoj në disa raste, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, e kanë mbyllur me dinjitet një epokë të gjatë në historinë e Kishës. Me Papa Françeskun zë fill një kapitull i ri i historisë së kristianizmit. Tema e epokës së maparëshme ishte përshtatja me modernitetin. Ky proces, i vështirë dhe i dhimbshëm për shumë krisitianë, pati një mbyllje të lumtur sipas mendimit tim, në debatin filozofik mes kardinalit Ratzinger dhe filozofit Jürgen Habermas, në Mynih të Bavarisë në vitin 2003.

Të dy përqafuan mendimin se kristianizmi i sotshëm dhe humanizmi shekullar kanë nevojë për njëri-tjetrin, sepse të dy bashkë mund t’u shpërtojnë rreziqeve të cilave u ekspozohen duke qëndruar vetëm. Jo “luftëra kulturore” dhe demonizime reciproke, as edhe përshtatje të lehta apo okulitizim i diferencave, por dialog, kërkim i pajtimit, pasurimit reciprok…

Papa Françesku ka marrë përsipër detyrën sfiduese të drejtojë Kishën në këtë shteg të ri shpirtëror, në erën Post(post modern, post-shekullare), në erën e pluralizmit të radikalizmave, të ndërlidhjes globale të qytetërimit, në një moment në të cilin nuk është ende e qartë nëse kjo ndërlidhje do të çojë në fund drejt dialogut dhe pajtimit, apo drejt një një konflikti apokaliptik qytetërimesh

Jam i bindur se Papa Françesku i bindet të njëjtës frazë të homonimit të tij shenjtor, tetë shekuj më parë: Françesk, shko dhe rregullo shtëpinë time!

Papa Benedikti bëri gjithçka që shtëpia e Kishës njësoj si Tempulli i Jeruzalemit, të përfshinte edhe “Oborrin e të Sjellshëmve”(këshill kulturor i kuries romane të Vatikanit), ku ata që sot besojnë në “Zotin e panjohur” mund që në një mënyrë të marrin pjesë në jetën e familjes së madhe të Kishës. Ishte në një kuptim një hap i mëtejshëm në rrugën e hapur nga Gjon Pali II me takimin historic të përfaqësuesve të besimeve fetare të të gjithë botës në Assisi: Papa Benedikti ftoi edhe agnostikët dhe “vëllezërit tanë ateistë” dhe u sugjeroi atyre – në frymën e Paskalit – të kërkojnë pranimin e Zotit të paktën si hipotezë, të jetojnë “sikur Zoti të ekzistonte”. Kardinali Bergolio, foli pak përpara se të zgjidhjej Papë, për Krishtin, që sipas Shkrimeve të Shenjta “është te porta dhe troket” – por sot, tha Bergolio, “Krishti po troket në portën e Kishës si të tillë nga Brenda, për të dalë jashtë”.

Shtëpia e Kishës ka të domosdoshme shumë riparime. Por reforma më e rëndësishme duhet të ndodhë në mentalitetin e kristianëve: duhet dalë jashtë, jo vetëm duke tejkaluar kufijtë institucionalë të Kishës, por duke hapur portat e mendimit dhe të imagjinatës sonë, duke takuar ata që “nuk ecin me ne”

Jezusi flet për bariun që duhet të lërë 99 dele për të shkuar të kërkojë një dele të vetme që ka humbur; Papa Françesku shton se bariu i sotshëm duhet të lërë një dele të vetme për të shkuar të gjejë 99 delet që kanë humbur. Deri më sot, Kisha i ka përgatitur shërbëtorët e vet mbi të gjitha nën kujdesin pastoral të grigjës së saj të disiplinuar apo përmes misioneve për sjellë në grigjë delet e humbura. Në të ardhmen ku kemi mbërritur tashmë, Kisha do të ketë një detyrë të tretë, krejtësisht të ndryshme: të shoqërojë ata që kërkojnë. Sipas sociologut Robert Wutnow, sot linja kryesore e ndarjes nuk është mes “besimtarëve” dhe “jo besimtarëve”, por mes “rezidentëve dhe “kërkuesve”. Dhe një nga shenjat e mëdha të kohëve tona është që “rezidentët”(aofshin ata mes besimtarëve apo mes atesitëve) po pakësohen, ndërkohë që po shtohen “kërkuesit” – besimtarë jo për nga tradita, por edhe “jobesimtarët” – që sidoqoftë nuk janë njerëz të prekur nga “amuzia shpërtërore”(paaftësia për të njohur shpirtëroren). Vendi im, Republika Çeke, përkufizohet shpesh si “më ateisti” nga vendet europiane, nëse jo në të gjithë planetin. Por nuk është kështu.

Ata që “nuk ecin me ne”, që kanë lënë shtëpinë e Kishës dhe të cilën nuk e kanë gjetur kurrë, nuk mund të përkufizohen me nxitim si ateistë, jo besimtarë, apo “besimtarë të këqinj”.  Shumë prej tyre janë kërkues. Gjithësesi, ne nuk mund t’u prezantohemi këtyre kërkuesve si “zotërues të së vërtetës”. Mund të merremi vesh vetëm kur do ta kemi marrë seriozisht imazhin e Kishës i një komunitet pelegrinësh(commuio viatorum). Nuk bëhet fjalë për të kërkuar integrimin e “kërkuesve” në kufijtë institucionalë dhe mendorë të formës aktuale të Kishës. Ndoshta, për të siguruar riparimin e dosmdoshëm të shtëpisë së Kishës, duhen hapur në mënyrë radikale kufijtë mendorë të kristianëve dhe para së gjithash duhen dëgjuar me vëmendje dhe respect, pa nevojën e një proselitizmi të nxituar dhe të zellshëm, përvojat e atyre që ecin përgjatë shtigjeve që për ne janë të rinj dhe të panjohur

Për befasinë time të madhe, në takimet me lexuesit në shumë pjesë të botës, kam konstatuar se përvoja ime, maturuar në një republikë si ajo Çeke, e shekullarizuar në rrënjë, nuk është aspak e panjohur dhe e pakuptueshme për personat e vendeve “të traditës katolike”. Edhe për këtë arsye jam shumë kurioz të zbuloj si do të pritet në Itali.

Marrë nga: https://www.avvenire.it/agora/pagine/toma-halik-francesco-papa-credenti-...

Përkthimi: ResPublica

*Titulli është i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.