Konferenca Islamike flet edhe për Shqipërinë mbi “Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit”

Postuar në 10 Dhjetor, 2017 02:50

Vendmi i presidentit të ShBA Donald Trump dhe mandej Kongresit për të zhvendosur në Jeruzalem ambasadën amerikane në Izrael po shoqërohet me reagime globale të gjithanshme. Disa media kanë vënë në dukje se ShBA nuk është vetëm në këtë lëvizje kaq tensionuese. Sot Middle East Monitor, shkruante se Arabia Saudite dhe Egjipti janë dakordësuar paraprakisht me vendimin e ShBA, ndërkohë që në frontin e parë kundërshtues është shfaqur Turqia dhe Irani. 

Në këtë kuadër, ka patur reagime edhe nga vendet ballkanike dhe BE. Klima e përgjithshme është se vendimi i ShBA është me pasoja serioze dhe në këtë kor janë bashkuar edhe përfaqësuesit e kishave të Lindjes mes të cilave ajo Orthodhokse e Jeruzalemit dhe Kisha Kopte e Egjiptit. 
Si qëndron puna me Shqipërinë? Cili është qëndrimi i saj për këtë çështje? Pyetja ka rëndësi për shkak të gjeopolitikës fetare të kombit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe për shkak të detyrimeve komplekse që rrjedhin nga angazhimet e vendit tonë. 

Deri më sot nuk ka një qëndrim zyrtar mbi këtë zhvillim dhe heshtja parimisht do kuptuar se Tirana zyrtare nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim. Aktualisht ambasada e Shqipërisë në Izrael rezulton me seli në Ramat Gan, një qytet në distriktin e Tel Avivit, pra kryeqytetit të deritanishëm. 
Por heshtja e Tiranës zyrtare, e kthyer në një profesion të dytë për politikën e jashtme, ka disa probleme formale të cilat kërkojnë sqarime. 
Në datën 7 dhjetor, Konferenca Islamike ka reaguar zyrtarisht për situatën e krijuar, teksa përmes një deklarate për shtyp e dënon vendimin e Trump. 
“Konferenca e kundërshton vendimin si një dhunim të statusit politik, juridik dhe historik të Jeruzalemit, një thyerje e qartë e ligjeve dhe rezolutave ndërkombëtare, një ikje nga konsensusi ndërkombëtar…”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. 

Konferenca shton më tej se ka thirrur një samit të jashtëzakonshëm të liderëve të shteteve anëtare të Konferencës që do të mbahet më 12-13 dhjetor për të diskutuar, formuluar dhe unifikuar një “pozicion islamik për këtë përshkallëzim të rrezikshëm”.
Në faqen zyrtare të Konferencës, Shqipëria rezulton si vend anëtar i saj që nga viti 1992. Formalisht ftesa i shkon pra edhe presidentit aktual, Ilir Meta. 
Në përgjithësi Shqipëria nuk ka qenë shumë aktive në këtë konferencë, por qëndrimi zyrtar i saj e përfaqëson edhe Shqipërinë, sa kohë nuk kemi një tjetër deklarim zyrtar për këtë çështje. 

 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Politika e jashtme e Shqiperise prej 1992-in ka qene nje kameleonizem bajat dhe pa kripe. Keshtu ka per te vazhduar sa te rregullohen edhe disa probleme ballkanike. Vetem pastaj mund te marre nje drejtim te qarte e te sqaruar per gjithshka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.