Rënia e Europës/Pas Brexit, riciklohet ideja e hapësirës austro-hungareze

Postuar në 28 Tetor, 2017 13:38

Agjencia ruse e lajmeve "Sputnik" publikon sot një material interesant dhe provokativ që lidhet me zhvillimet politike në Austri. Fitorja e konservatorit Sebastian Kurz ka nxitur diskutime mbi orientimin e ri të Vjenës zyrtare e cila ndonëse mbetet e angazhuar në marrëdhëniet me vendet kryesore të BE-së, po “thirret në skenë” që të luajë një rol edhe në hapësirën e saj të dikurshme të influencës, që ishte Perandoria Habsburgase. 
Në mbështetje të kësaj teze, pra që i jep Vjenës një rol të ri në zonën adriatiko-danubiane, Sputnik ka marrë prononcimin e një përfaqësuesintë Shtëpisë së Habsburg – Lorraine, Norbert Freiherr van Handel. Sipas këtij të fundit, historia nuk përsëritet dhe Europa nuk mund të kthehet në vitin 1918, por përtej këtij fakti, vend për bashkëpunim dhe për nxitje të raporteve patjetër që ka. 
Mund të shohim në hapësirën ekonomike ku njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin – kulturalisht, në termat e traditave, besimit fetar dhe historisë së përbashkët. Këtu mendoj unë ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe politik”, shprehet ai. Sipas tij, Italia e Veriut, Kroacia, Sllovenia, por edhe vendet e Grupit të Vishegradit kanë veçanërisht të afërt me Vjenën. 
Agjencia ruse shkon edhe më tej kur shtron pyetjen nëse Austria do të hyjë apo në Grupin e Vishegradit, duke marrë për këtë qëllim mendimet e një analisti politik gjerman, Herbert Auinger, sipas të cilit krijimi i një monarkie përjashtohet, por jo rreshtimi i ri i vendeve të Europës Qendrore. 
"Pritet një pozicionim i ri në Europë dhe kujdesi i vjetër austriak ka përfunduar tashmë. E kini parasysh Brexit dhe kështu bëhet e qartë se çdo vend europian, përfshrië Austrinë, duhet të kuptojë se me kë dhe kundër kujt synon të arrijë diçka”, citohet analisti në fjalë. 

Ndonëse pranon se Kurz ka përjashtur pjesëmarrjen në Grupin e Vishegradit, agjencia ruse sjell në vëmendje si realiste mundësinë e një entiteti gjeopolitik në mes të Europës që i bën jehonë zonës austro-hungareze të ndikimit historik. Një rol të këtillë Austria e mori sidomos gjatë krizës së refugjatëve me propozimin e ndërtimit të mureve dhe korridorit ballkanik, që synonte të shmangte lëvizjen e refugjatëve në itinerarin që çonte në Vjenë. Shqipëria aderoi në propozimin austriak dhe Greqia ishte ndër të parat që akuzoi Vjenën për politikë që ecte në konturet e dikurshme perandorake. 

Nga ana tjetër rigjallërimi i ideve të këtilla ka ndikime të mëdha në Ballkan, një rajon ku integrimi europian po merr goditje. Edhe nga një shtet i dështuar si Shqipëria është dëgjuar të përmendet alternativa e shtetit kombëtar nëse anëtarësimi në BE dështon dhe kjo me siguri që do të thoshte përplasje. Por me një Europë që po humnet përidtë e më shumë qëllimin e ekzistencës, ku populizmi dhe nacionalizmi separatist është realitet, nuk është i çuditshëm ushqimi i ideve të tilla që në fakt e frakturojnë përfundimisht Europën dhe e bëjnë bashkimin e saj një koniunkturë jo një aspiratë. BE-ja sot që flasim ka humbur shumë me daljen e Britanisë së Madhe. Ajo ka dështuar në Europën Qendrore me Poloninë dhe Hungarinë, ndërkohë që probleme ka edhe në Çeki me kryeministrin filorus që ndodhet nën sulm. 

Ka një përpjekje të madhe që të emfatizohet ideja e një Europe Gjermane në vend të një Gjermanie Europiane, për të sfiduar kështu me frikën e imperializmit konceptin e bashkimit. Hapësira austriake është më e fundit që lakohet në këtë drejtim dhe çdo gjë shkon paralel me nocionin rus të një Europe që shkëputet nga partneriteti transatlantik. Dhe duket se Rusia ka se çfarë të ofrojë ekonomikisht për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të cilat 25 vite pas rënies në Murit të Berlinit mbeten të margjinalizuara në krahasim me Europën Perëndimore që duket se është nocion gjeopolitik që nuk u tret në idenë e BE-së. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.